Përtej formësimit dhe veprës përbrenda hapësirave të dominuara prej kanonëve të traditës rigoroze filozofike gjermane, Jürgen Habermas ishte rebel i përhershëm. Kundërshtonte konvencat, kritikonte idhujt, trazonte zonat e komforit. Debatonte për politikë, media, religjion. Konsiderohej ndërgjegje e Gjermanisë së pasluftës. Arkitekt i Arsyes Komunikative. Mbrojtës i Projektit të Papërfunduar të Modernes
Liria teorike ka emër
16-17-vjeçar. Çarja e parë, jetësisht orientuese. Derisa në radio transmetoheshin dëshmitë tmerruese nga Gjyqi i Nurembergut, thellësisht u trondit me ato që dëgjonte. Veçanërisht kur tentohej që tragjeditë njerëzore, deri atëherë të paimagjinueshme, të ballafaqoheshin me ftohtësinë e procedurave juridike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër dallim nga shumëkush në Gjermaninë e pasluftës që bënte përpjekje relativizimi dhe kërkimi të argumenteve për anashkalim të fajësisë, kjo përvojë pati ndikim fondamental në perspektivat e tij mbi botën dhe shoqërinë. Prej këtu iu mbrujt përkushtimi jetësor për fuqizimin e legjitimitetit demokratik dhe të parimit që pushteti duhet të jetë llogaridhënës ndaj arsyes. Në instancë të fundit, gjithë këtë e shihte në funksion të gjetjes së rrugës drejt arsyeshmërisë publike për t’i parandaluar parakushtet e rishfaqjes së nazizmit.
Si student nuk i ra rrugës tipike – me Hegelin, Kantin, Husserlin, Heideggerin, por zgjodhi një tjetër, tejet të veçantë: pragmatizmin amerikan, me Peirce, James, Dewey, Mead. Kjo s’ishte vetëm çështje preference, por pozicionim që mbartte rrezik të konsiderueshëm për karrierë, pasi asokohe pragmatizmi trajtohej joserioz dhe i pakrahasueshëm me peshën e traditave të etabluara filozofike.
Pikërisht këtu do ta gjente bërthamën e teorive të tij madhore të të vepruarit komunikativ: metodën në të cilën arsyeja operon në intersubjektivitet, pra në hapësirën mes njerëzve, për dallim nga refleksionet vetmitare të subjektit transcendental. Habermasologët pajtohen që ky momentum paraqet esencën e dallimit të tij me trashëgiminë gjermane. Ai ishte në kërkim të një filozofie sociale që më shumë do të ishte e bazuar në komunikim. Paradoksalisht, me ndihmën e teorive amerikane u bë prijatar i filozofisë gjermane.
Matanë shkoi edhe kur në vitin 1953, si 24-vjeçar, e kritikoi ashpër figurën grandioze të filozofisë bashkëkohore – Martin Heideggerin.
Heideggeri i kishte ribotuar ligjëratat e tij “Hyrje në Metafizikë” (Einführung in die Metaphysik), të vitit 1935, por pa e larguar fjalinë që e lartësonte “të vërtetën e brendshme dhe madhështinë e Nacional-Socializmit”. Habermasi shkroi një kritikë të ashpër në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke kërkuar shpjegime se si ishte e mundshme që një fjali e tillë të publikohej pa kërkimfalje dhe pendesë. Ende nuk ishte profesor, prandaj s’kishte aleatë të fuqishëm dhe ndonjë mbrojte institucionale, për dallim nga Heideggeri, i cili edhe më tej e posedonte adhurimin nga establishmenti dhe ndikimin e jashtëzakonshëm në filozofinë kontinentale.
Qëndrimi i tillë i dha hov imazhit të tij si intelektual publik, mirëpo njëkohësisht i përvijoi konturat e një konfrontuesi të pakompromis, të gatshëm për beteja edhe me personalitetet më të rëndësishme kurdo që besonte se parimet morale dhe ato racionale po viheshin në pikëpyetje.
Angazhimi i tij në të famshmin Institut për Hulumtime Sociale (Institut für Sozialforschung) në Frankfurt, ia solli përplasjen e radhës. Tash me mentorin, Theodor Adorno.
Tema e tij habilituese, që më vonë do të shndërrohej në veprën “Transformimi Strukturor i Sferës Publike” (Strukturwandel der Öffentlichkeit), nuk i pëlqeu Adornos, që ishte kapluar nga një pesimizëm i thellë në raport me potencialet e politikave demokratike. Tema e Habermasit vlonte prej optimizmit normativ. E kishte analizuar historikisht ngritjen dhe rënien e sferës publike borgjeze, prandaj thoshte se ishte e mundshme që idealet e saj të rigjendeshin dhe vazhdoheshin.
Adorno e konsideronte naive, pasi teoria kritike e kishte tejkaluar idealizmin liberal borgjez. E kishte humbur shpresën, sepse sfera publike ishte kolonizuar nga industria kulturore, politika ishte shndërruar në opinion të administruar, ndërsa Iluminizmi tashmë dialektikisht i kundërt me atë që përfaqësonte dikur.
Habermasi refuzoi dhe shkoi në Marburg. Duke mos e pranuar dëshpërimin teorik të Adornos, e nisi krijimin e gjeneratës së dytë të Shkollës së Frankfurtit. E me të edhe të një teorie kritike të re, jo si vazhdimësi por si transformim, duke e zhvendosur përqendrimin nga estetikja drejt komunikatives.
Beteja e re erdhi me lëvizjen studentore të vitit 1967. Derisa Instituti dhe Habermasi u bënë përkrahës të mëdhenj të kauzave studentore, ndarja ndodhi kur në skenë doli instrumentalizimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike. Gjatë një debati, e akuzoi liderin studentor Rudi Dutschke për “Fashizëm të Majtë” ("Linksfaschismus"), pasi ai insistonte në “aksion direkt” dhe nuk hiqte dorë nga metodat militante. Ky pozicionim ia zbehu respektin ndër studentë, por Habermasi insistonte: “Duhet të besojmë në demokraci”. Një dekadë më pas u bë pishman, duke u vetëkorrigjuar se cilësimi kishte qenë reagim i tepruar.
Në vitin 1986 hyri në debat të rreptë me një grup historianësh konservatorë që synonin ta relativizonin temën e Holokaustit (Historikerstreit), duke e interpretuar në kontekst më të gjerë të dhunës masive gjatë shekullit 20, konkretisht si imitim të terrorit sovjetik. Habermasi ua kundërvuri konceptin e “tendencave apologjete”, dhe përdori argumente të etikës komunikative me të cilat e bëri të pambrojtshëm revizionizmin historik.
Dhe pastaj erdhi 29 prilli 1999. “Die Zeit”. Kur kolegët e tij nga e majta kundërshtonin, ose përkrahnin me gjysmë zëri dhe balanca artificiale (“Kundër NATO-s dhe kundër regjimit serb”), Habermasi u bë intelektuali më i zëshëm në përkrahje të bombardimeve të NATO-s.
“Kafshëria dhe Humaniteti: Një luftë në kufirin mes të drejtës dhe moralit” (Bestialität und Humanität. Ein Krieg an der Grenze zwischen Recht und Moral), u shndërrua në leksion global për sensin e të njerëzishmes. Ndërhyrjen ushtarake për Kosovën e quajti “moralisht të domosdoshme” dhe “tranzicion nga modeli Hobbesian i shteteve sovrane” (ku shtetet mund të bëjnë çfarë të duan brenda kufijve), në “rregullim kosmopolitan Kantian’, në të cilin “Qytetari i Botës” (“Weltbürger”) i tejkalon të drejtat e shteteve sovrane.
Etapa e fundit jokonvencionale ishte religjioni. Në esenë “Besimi dhe Dija” (Glaube und Wissen), të shkruar si fjalim me rastin e pranimit të Çmimit të Paqes në Panairin e Librit në Frankfurt, në 2001, si dhe në botimin “Dialektika e Sekularizmit: Mbi Arsyen dhe Religjionin” (Dialektik der Säkularisierung: Über Vernunft und Religion), të bashkëbisedimit të vitit 2004 me kardinalin Joseph Ratzinger, që në 2005 do të bëhej Papa Benedikti XVI, Habermasi i habiti adhuruesit e tij sekularë: “Shoqëria liberale sekulare duhet t’i marrë me seriozitet traditat religjioze si bartëse të dijeve kulturore dhe morale, të cilat nuk mund të zëvendësohen prej arsyes sekulare”. Me këtë nuk nënkuptonte vërtetësinë e pandehmave religjioze, por faktin se ato mbartnin resurse fenomenologjike dhe morale, veçanërisht për dinjitetin njerëzor, solidaritetin dhe vlerën e njerëzores, të cilat arsyeja proceduralisht e pastër sekulare kishte tendencë t’i zbehte ose humbte. Sipas tij, shoqëria post-sekulare do të duhej të kërkonte prej qytetarëve sekularë dhe religjiozë që t’i përkthenin intuitat e tyre morale në forma të pranueshme reciprokisht.
Jürgen Habermas e kishte të pamundshme që të strukej brenda kornizave të imponuara filozofike dhe politike. Jetën intelektuale e çmonte si vokacion, prandaj mospajtimet s’i shfaqte me qëllime provokuese, por si reagime ndaj cenimit të parimeve të cilave u qëndronte: ndaj botës sociale (1945), ndaj traditës intelektuale (pragmatizmi), ndaj establishmentit (Heidegger), ndaj institucionit që i përkiste (Adorno), ndaj aleatëve (lëvizja studentore), ndaj së djathtës politike (historianët), ndaj të majtës politike (Kosova) dhe ndaj të majtës sekulare (religjioni).
Nga një kryevepër në tjetrën
“Transformimi Strukturor i Sferës Publike” u botua më 1962, por çuditërisht në anglisht u përkthye në 1989. Pati ndikim enorm në studimet e mediave, teoritë politike dhe sociologjinë historike.
Veçantia ishte në kombinimin kreativ të analizës historike me teorinë normative. Me gjurmimin e ngritjes dhe rënies së një formacioni specifik historik – sferës publike borgjeze, Habermasi e vuri në pah një etapë të rëndësishme në zhvillimin e demokracisë moderne dhe e artikuloi idealin normativ që ende vazhdon ta udhëheqë analizën kritike bashkëkohore të mediave dhe politikës.
“Teoria e të Vepruarit Komunikativ” (Theorie des kommunikativen Handelns) u shndërrua në kulmim të përpjekjeve të tij për ta rekonstruktuar teorinë kritike mbi themele të reja. Duke u bazuar në filozofinë analitike të gjuhës, psikologjinë zhvillimore, teoritë sociologjike dhe teorinë e sistemeve, dyvëllimëshi e krijoi një kornizë harmonike për të kuptuarit e shoqërisë moderne – dhe i tejkaloi krejt veprat e gjeneratës së parë të Shkollës së Frankfurtit.
Më shumë se në kontributet teorike, vlera ishte në inovacionet metodologjike. Sipas Habermasit, qasja “rekonstruktive” niste me njohjet intuitive të cilat akterët kompetentë tashmë i posedonin dhe kësisoj i bënte eksplicite ato struktura racionale që ishin implicite në praktikat e përditshme. Kjo metodologji ia mundësonte ta zhvillonte teorinë kritike të bazuar në strukturat e jetës sociale, e jo vetëm në përkushtimet e jashtme filozofike.
Koncepti i “Jetëbotës” (ose Jetës së Botës - Lebenswelt), përfaqëson horizontin e kuptimeve, vlerave dhe gjuhës së përbashkët, që na mundëson ta kuptojmë njëri-tjetrin. Tri shtyllat: kultura, shoqëria dhe personaliteti, përbëjnë mbretërinë e “të vepruarit komunikativ”.
“Sistemi” ka të bëjë me domenet formale në shoqëri – ekonominë dhe burokracinë shtetërore. Në këto arena koordinimi social nuk bëhet me anë të gjuhës dhe të kuptuarit reciprok, por me para dhe pushtet. Është i dizajnuar për efikasitet maksimal.
Tensioni në jetën moderne krijohet kur ndodh ajo që Habermasi e quan “kolonizim i Jetëbotës (Jetës së botës)” – (“Kolonialisierung der Lebenswelt“). Logjika e Sistemit (efikasiteti, profiti, kontrolli administrativ) fillon t’i kaplojë hapësirat jetësore që do të duhej të udhëhiqeshin prej të kuptuarit komunikativ: atëherë “paratë dhe pushteti” i Sistemit i zëvendësojnë “kuptimet dhe vlerat” e Jetëbotës.
“Mes Fakteve dhe Normave” (Faktizität und Geltung), 1992, paraqet kontributin më të elaboruar në teorinë juridike dhe atë politike. E ndërton teorinë diskursive të ligjit dhe demokracisë, që fillon me të vepruarit komunikativ, mirëpo shkon edhe më tej. Qëllimi kryesor është të tregojë që ligji modern mund të jetë sistem i rregullave detyruese, por edhe shprehje legjitime e sovranitetit popullor. Karakteri dualist i ligjit – njëkohësisht fakt dhe normë, e bën “paradoksin”, pasi ushtrimi legjitim i pushtetit politik varet nga ligji, ndërsa legjitimiteti i ligjit varet nga të ushtruarit e pushtetit politik. Zgjidhja e Habermasit është në teorinë diskursive të demokracisë: normat ligjore janë legjitime kur ato janë në pajtueshmëri me të gjithë ata që ndikohen prej tyre, përfundim tek i cili arrihet pas angazhimit në diskursin racional.
Kjo është esenca e “demokracisë deliberative” (mund të shqipërohet “demokraci bashkëshqyrtuese”), modelit teorik të qeverisjes, në të cilin legjitimiteti i vendimeve politike buron nga procesi i bashkëshqyrtimeve gjithëpërfshirëse, racionale dhe publike në mes të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, e jo vetëm prej grumbullimit të preferencave individuale përmes të votuarit.
Në pyetjen: “Si mund një shoqëri moderne dhe pluraliste të qëndrojë e unifikuar edhe nëse nuk ka religjion, etni ose histori të përbashkët?”, përgjigja e Habermasit është: “Patriotizmi Kushtetues” (“Verfassungspatriotismus”).
Das Ende
Nga rrënojat morale të Gjermanisë së pasluftës, e transformoi dëshpërimin në projekt për demokraci të rimëkëmbur dhe të qëndrueshme. Sferën publike nuk e trajtoi si relikt historik, por hapësirë jetësore të një shoqërie të lirë. Këmbënguli që legjitimiteti i pushtetit duhet të farkëtohet në debate të hapura, jo në vakumin e ftohtë të autoritetit shtetëror. Guximshëm u zhvendos nga filozofia e subjektit në filozofinë e gjuhës. Tregoi që të folurit është angazhim në revolucionin ndaj të paarsyeshmes, me forcën joshtrënguese të argumentit më të mirë.
Dhe dinjiteti i zërit njerëzor mbetet pengesa e fundit racionale kundër presionit të pushtetit sistemor.