Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Gjermania, Kosova dhe etika e rendit pas Luftës së Ftohtë

Demonstrata në Prishtinë, mars 1998 (Foto: Imre Sabo)

Demonstrata në Prishtinë, mars 1998 (Foto: Imre Sabo)

Për herë të parë, publiku shqiptar ka në dispozicion një studim të plotë që shpjegon jo vetëm çfarë bëri Gjermania ndaj Kosovës, por si mendoi, pse hezitoi, kur ndryshoi dhe në çfarë kushtesh e mori përgjegjësinë historike, respektivisht se si rasti i ndikoi po ashtu në evoluimin në kontinuitet të politikës së jashtme gjermane. Rëndësia e librit të Sylë Ukshinit “Roli i Politikës së Jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008”, sot është edhe më e theksuar në dritën e kontekstit aktual ndërkombëtar. Në një kohë kur rendi liberal i pas Luftës së Ftohtë po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje dhe kur koncepti i ndërhyrjes humanitare po relativizohet, studimi i Ukshinit na rikujton se shtetësia e Kosovës nuk ishte as një akt i rastësishëm historik, as një dhuratë gjeopolitike

Libri i historianit Sylë Ukshini “Roli i Politikës së Jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008” përfaqëson një ndër kontributet më të rëndësishme të historiografisë politike shqiptare pas vitit 1999. Kjo rëndësi nuk qëndron vetëm në faktin se vepra trajton rolin e një aktori kyç ndërkombëtar në proceset e angazhimit, ndërkombëtarizimit dhe shtetformimit të Kosovës, por edhe në mënyrën se si ky rol analizohet: përmes një qasjeje arkivore të disiplinuar, të mbështetur në burime gjermane, parlamentare dhe diplomatike, dhe të artikuluar nga një pozicion epistemik kosovar.

Kjo qasje e bën librin thelbësisht të ndryshëm nga literatura ekzistuese shqiptare. Për dekada, historia e Kosovës është rrëfyer kryesisht nga brenda me romanticizëm e nga jashtë: nga diplomatë perëndimorë, akademikë anglofonë ose gjermanë, dhe nga narrativa që e kanë trajtuar Kosovën si objekt krize, jo si subjekt historie. Ukshini e përmbys këtë logjikë pa rënë në interpretime të ngushtuara nga konteksti lokal apo në apologji kombëtare. Ai nuk e idealizon rolin e Gjermanisë së ribashkuar, por e analizon atë me akribi shkencore, duke u mbështetur në burime arkivore dhe me vetëdije të plotë për kufizimet, hezitimet dhe ambiguitetet që e shoqëruan këtë rol.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për herë të parë, publiku shqiptar ka në dispozicion një studim të plotë që shpjegon jo vetëm çfarë bëri Gjermania ndaj Kosovës, por si mendoi, pse hezitoi, kur ndryshoi dhe në çfarë kushtesh e mori përgjegjësinë historike, respektivisht se si rasti i ndikoi po ashtu në evoluimin në kontinuitet të politikës së jashtme gjermane.

Rëndësia e librit sot është edhe më e theksuar në dritën e kontekstit aktual ndërkombëtar. Në një kohë kur rendi liberal i pas Luftës së Ftohtë po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje dhe kur koncepti i ndërhyrjes humanitare po relativizohet, studimi i Ukshinit na rikujton se shtetësia e Kosovës nuk ishte as një akt i rastësishëm historik, as një dhuratë gjeopolitike, por rezultat i një procesi të gjatë normativ, moral dhe institucional. Në këtë proces, aktorë ndërkombëtarë si Gjermania luajtën role të rëndësishme dhe në momente vendimtare, por gjithmonë në ndërveprim të ndërlikuar me rezistencën, qëndrueshmërinë dhe agjencinë politike të vetë shoqërisë kosovare.

Në këtë prizëm, libri nuk është vetëm një studim mbi Gjermaninë. Ai është edhe një reflektim i thellë mbi subjektivitetin politik të Kosovës në histori: mbi mënyrën se si një çështje e konsideruar për vite me radhë “periferike”, “e rrezikshme” ose “destabilizuese”, u shndërrua gradualisht në një test qendror për vetë identitetin moral të Evropës pas vitit 1989. Kosova, në analizën e Ukshinit, nuk është thjesht objekt i politikës së jashtme gjermane; ajo është një moment përkufizues për transformimin e Gjermanisë nga një fuqi e vetëpërmbajtur historikisht në një aktor që pranon përgjegjësi normative përtej kufijve të saj. Pikërisht për këtë arsye, ky libër ka rëndësi jo vetëm historiografike, por edhe politike dhe akademike. Ai i pajis studiuesit, studentët, diplomatët dhe vendimmarrësit e shtetit të Kosovës me një kuadër analitik, një kuadër që tregon se si ndërtohet pozicioni në politikën e jashtme të një fuqie të madhe, si lexohen operimet dhe hezitimet diplomatike, si dekodohen kompromiset morale dhe si kuptohet koha e gjatë e vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ky libër nuk është vetëm një studim mbi Gjermaninë. Ai është edhe një reflektim i thellë mbi subjektivitetin politik të Kosovës në histori: mbi mënyrën se si një çështje e konsideruar për vite me radhë “periferike”, “e rrezikshme” ose “destabilizuese”, u shndërrua gradualisht në një test qendror për vetë identitetin moral të Evropës pas vitit 1989

Teza themelore: Nga mbyllja e çështjes gjermane te hapja e çështjes së Kosovës

Një nga tezat më bindëse dhe njëkohësisht më të nënkuptuara të librit të Sylë Ukshinit është ideja se ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990 nuk përfaqësonte vetëm mbylljen e një kapitulli historik evropian, por edhe hapjen e një cikli të ri politik, në të cilin çështjet e pazgjidhura të periferive të kontinentit u bënë gradualisht të pashmangshme. Në këtë logjikë, mbyllja e “çështjes gjermane”,  e cila për dekada kishte strukturuar arkitekturën e sigurisë evropiane, krijoi hapësirën politike, diplomatike dhe normative për shfaqjen e çështjeve të tjera të “mbyllura”, ndër to edhe të Kosovës që nga koha e etablimit të sistemit të Versajës.

Ukshini e lexon këtë proces jo si një tranzicion linear nga Lufta e Ftoftë në rendin liberal, por si një fazë të ndërmjetme të mbushur me pasiguri, frikë historike dhe dilema morale, veçanërisht për Gjermaninë. Pas vitit 1990, Berlini gjendej në një pozitë paradoksale: ishte shteti më i fuqishëm ekonomik dhe demografik i Evropës, por njëkohësisht shteti që ndjente më fuqishëm nevojën për vetëpërmbajtje politike. Normaliteti që kërkonte Gjermania e ribashkuar nuk ishte dominim, por besueshmëri, jo ekspansion, por legjitimitet.

Kjo gjendje e dyfishtë shpjegon edhe raportin e saj fillestar me Kosovën. Deri në mesin e viteve ‘90, Kosova mbeti në periferi të diplomacisë evropiane jo sepse ishte e padukshme, por sepse ishte politikisht e rrezikshme: një çështje që rrezikonte të hapte precedentin e rivendosjes së kufijve, të aktivizonte frikën nga shpërbërja e mëtejshme jugosllave dhe të vinte Gjermaninë në qendër të akuzave për destabilizim të Evropës Juglindore, një akuzë historikisht e ndjeshme për Berlinin.

Në këtë kontekst, margjinalizimi i Kosovës në Dejton nuk shfaqet, në leximin e Ukshinit, si akt cinik apo indiferent diplomatik, por si zgjedhje strategjike e kalkuluar, e dokumentuar në arkiva dhe debate të brendshme gjermane. Gjermania zgjodhi ta shtynte çështjen e Kosovës në atë moment, pasi ajo e njihte padrejtësinë e saj, por në ato rrethana për vendet kryesore të Grupit të Kontakt (një lloj i Koncertit të ri Evropian) prioriteti absolut ishte stabilizimi i Bosnjës dhe ruajtja e një rendi minimal evropian pas një periudhe tronditjesh. Kjo e bën analizën e Ukshinit veçanërisht të rëndësishme: ai e zhvesh diplomacinë nga mitet morale, pa e reduktuar atë në realpolitikë të ftohtë.

Në këtë mënyrë, libri ofron një kuptim strukturor të kohës historike: Kosova nuk u vonua sepse ishte e parëndësishme, por sepse sistemi ndërkombëtar ende nuk ishte gati ta përballonte implikimin e saj dhe mbi të gjitha se shkërmoqja e krijesës së Versajës po shkonte si një proces në etapa. Vetëm pasi Gjermania dhe Evropa filluan të çlirohen nga trauma e vetë ribashkimit, nga frika e rikthimit të historisë dhe nga iluzioni i stabilitetit përmes status quo-së, u hap rruga për një trajtim serioz të çështjes së Kosovës, zgjidhja e së cilës përmbyllte kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë së Versajës.

Nga “fuqi civile” në aktor normativ: transformimi gjerman

Një tjetër shtyllë themelore e librit është analiza e transformimit gradual të Gjermanisë nga ajo që literatura e ka përkufizuar si Zivilmacht, një fuqi civile, e orientuar drejt diplomacisë, multilateralizmit dhe refuzimit të forcës, në një aktor normativ që pranon përdorimin e forcës si instrument të fundit moral dhe politik. Ky transformim nuk ndodh papritur, as si rezultat i ambicies strategjike, por si pasojë e një serie krizash që e sfidojnë vetë identitetin moral të shtetit gjerman.

Ukshini e trajton Bosnjën si pararojë të këtij procesi: një traumë politike që e ekspozoi kufirin e pacifizmit absolut përballë gjenocidit. Megjithatë, Kosova përbën momentin e vërtetë të kthesës. Aty, Gjermania nuk ishte më thjesht dëshmitare apo ndërmjetëse diplomatike; ajo u bë pjesëmarrëse aktive në një ndërhyrje ushtarake pa mandat të drejtpërdrejtë të OKB-së, një akt i paimagjinueshëm për politikën gjermane të dekadave të mëparshme.

Në qendër të kësaj kthese qëndron ajo që Ukshini e dokumenton si një zgjim moral institucional. Debatet në Bundestag mbi përdorimin e Bundeswehrit, dilemat juridike mbi kushtetutshmërinë e ndërhyrjes, dhe përplasjet brenda elitës politike gjermane nuk paraqiten thjesht si diskutime formale, por si shenja të një krize identitare. Pyetja nuk ishte vetëm a duhet të ndërhyjmë?, por çfarë do të thotë të jesh Gjermani pas Auschwitz-it?  Ishte koha kur Gjermania po kërkohej më shumë përgjegjësi.

Diskursi i famshëm i “Nie wieder Auschwitz” (kurrë më Auschwitz), i artikuluar nga Ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer, shënon pikërisht këtë moment të rishkrimit normativ: nga “kurrë më luftë” drejt “kurrë më indiferencë ndaj krimit masiv”. Ishte kjo përgjigja e Fischerit ndaj sulmeve të ndërmarra kundër tij nga e majta radikale, pasi kjo parullë, së bashku me parullën “Kurrë më luftë”, është shpalosur si obligim i vetëm i dalë nga historia më e re gjermane. Fischer, i sapoemëruar ministër i Jashtëm i qeverisë kuqe-gjelbër, e përdori kujtesën e Auschvitzit për të justifikuar pjesëmarrjen ushtarake gjermane në luftën e Kosovës. “Millosheviqi dukej se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të tjera”,  citon Ukshini mendimin e Joschka Fischerit.

Në këtë logjikë, përdorimi i forcës nuk shihet si mohim i historisë gjermane, por si përgjigje ndaj saj. Ukshini tregon se si ky argument moral, i kombinuar me pragmatizmin strategjik të Kancelarit Gerhard Schröder, krijoi një konsensus të ri politik që e nxori Gjermaninë nga politika e vetëpërmbajtjes strategjike dhe normative e formësuar pas Luftës së Dytë Botërore si përgjigje ndaj barrës historike të së kaluarës naziste dhe si angazhim për një rend ndërkombëtar të bazuar në norma, multilateralizëm dhe përgjegjësi kolektive.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë