Shtojca për Kulturë

“Evropa dhe çështja shqiptare” – objektivitet për ngjarjet e stuhishme

“Evropa dhe çështja shqiptare”

Libri i Sreten Drashkiq, “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)” – botoi “Altera”, Prizren 2025 – është vepër me një objektivitet të theksuar në vorbullën e ngjarjeve të stuhishme. I liruar nga subjektivizmi dhe tendencioziteti racist i etabluar prej shekujsh në ndërgjegjen dhe shpirtin e rënduar serb, teksti 330 faqesh i Drashkiqit, është një keqardhje për vonesën që patën shqiptarët si dhe për ndarjet famëkeqe që u kanë bërë trojeve shqiptare Fuqitë e Mëdha nëpër tryeza diplomatike

Sreten Drashkiq, (1910-1995), i shkolluar në Beograd, deri në kryerjen e shkollës së mesme, Fakultetin juridik në Zagreb (1933), kurse  shkencat politike në Paris (1937). Shërbeu si diplomat në MJ të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene dhe atë të Jugosllavisë së re më 1945, kurse në qershor të vitit 1946  përjashtohet nga detyra në MPJ, dhe e  vazhdon punën në tregtinë e jashtme për firmat e njohura të Beogradit e të Zagrebit. Pas pensionimit, më 1975, me interesim dhe njohuri  diplomatike e politike mbi qëndrimin e Evropës ndaj çështjes shqiptare, kësaj teme i rreket me përkushtim e objektivitet, për dallim thuaja nga të gjitha penat diplomatike që janë marrë me këtë problem, duke hulumtuar arkiva, e lexuar literaturë të bollshme vendore e ndërkombëtare rreth kësaj teme, përfshirë edhe atë shqiptare, me mbi 80 referenca dhe dorëshkrimin e përfundon më 1990, kurse libri botohet pas vdekjes së autorit, në vitit 2000. Në librin e tij “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”  janë trajtuar problemet shqiptare nga Rilindja kombëtare, Lidhja e Prizrenit, Luftërat Ballkanike, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, deri te pranimi i kufijve ndërkombëtar të Shqipërisë pas cungimeve diplomatike nëpër tryeza, konferenca e kongrese ndërkombëtare.

Në biografinë e autorit gjejmë elemente që atë e bëjnë t’i dojë dhe të flasë me simpati për trojet dhe fatkeqësitë shqiptare që ua shkaktuan të tjerët me pushtimet e vendimet e tyre. Pas pushtimit serb të Kosovës, (1912), pas pushtimit bullgar dhe austriak që erdhi në vitin 1915, kur ushtria serbe për tre vjet u detyrua e turpëruar ta lëshojë vendin, Drashkiqi qe pesëvjeçar kur e lëshoi vendin.  Meqë babai i tij Panta Drashkiq ishte gjeneral, tok me gruan, tri vajzat dhe Sretenin pesëvjeçar, në kosha rrushi të thurur me thupra, me një kalë u detyruan të kalojnë në Shqipëri për ta shpëtuar kokën. Ushtria serbe shpëtimin e gjen në frontin e Selanikut ku për disa vjet qëndroi atje derisa pas mbarimit të LPB-së, Franca sërish e kthen ushtrinë serbe si triumfuese në vendin e saj pas shpartallimit të Perandorisë Austro-Hungareze dhe mbarimit të LPB-së.

Udhëtimi i gjatë dhe i vështirë, masakrat serbe nëpër Shqipëri në vitet 1912 edhe pse shqiptarët i strehuan, deri në përndjekjen bullgare të vitit 1915 në krahinën e Lumës, bënë që të lindë shprehja serbe në formë të një mesazhi për golgotën serbe nëpër Shqipëri:

“Niko ne zna šta su muke teške; dok ne pređe Albaniju peške!" ( Askush nuk e di çfarë janë mynxyrat e rënda, pa e kaluar Shqipërinë në këmbë!)

Çlirimi prej racizmit shekullor serb

I liruar nga subjektivizmi dhe tendencioziteti racist i etabluar prej shekujsh në ndërgjegjen e rënduar dhe shpirtin serb, teksti 330 faqesh i Drashkiqit, është një keqardhje për vonesën që patëm ne shqiptarët (për të cilët autori flet me objektivitet dhe empati) si dhe për ndarjet famëkeqe që u kanë bërë trojeve shqiptare Fuqitë e Mëdha nëpër tryeza diplomatike, nga Kongresi i Berlinit e deri te Konferenca e Parisit e vitit 1946, kur edhe dr. Sreten Drashkiqi si sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e drejton delegacionin jugosllav në këtë konferencë në maj 1946, kur delegacioni shqiptar në krye me Enver Hoxhën, si “apendiks” i delegacionit jugosllav merr pjesë në këtë konferencë, ku siç thotë Enver Hoxha te pamfleti “Titistët”, në emër të delegacionit shqiptar kishte folur Eduard Kardelj, i cili, siç thotë presidenti shqiptar që kryesonte delegacionin, “Jugosllavia na mbronte de jure, për të na gllabëruar de facto!"

Libri i Drashkiqit, siç e thotë edhe redaktori i botimit, gazetari Fahri Musliu është një studim serioz, për çka autorit i lindi interesimi pas pensionimit më 1976, në të cilin punoi plot 15 vjet, të cilin e përfundon më 1991, kurse vdiq më 1995.

Sreten Drashkiq ishte një poliglot i vërtetë, ku krahas gjuhëve që i fliste: frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, (kinezishten e mësoi pas pensionimit), e kuptonte dhe fliste edhe shqipen, bullgarishten dhe me këtë bagazh kulturor që kishte dhe ishte i paanshëm, shfrytëzoi shumë arkiva hulumtues, në mesin e atyre që flasin me dokumente dhe objektivitet për çështjen shqiptare në Londër, Romë, Paris, Berlin, Vjenë, etj. për të rrumbullakuar studimin e tij “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”, ku në rastin e librave tendenciozë siç jemi mësuar ne shqiptarët thuaja me gjithë historiografinë serbe, libri i Drashkiqit na vjen si një “puhi freskuese” dhe “qershi mbi tortë” nga një pendë objektive serbe, që siç thotë zotëri dr. Jusuf Buxhovi recensent i botimit, është një “vepër me kredibilitet”.

Nga katër pjesë prej të cilave përbëhet libri, në të parën flet me simpati dhe objektivisht për Rilindjen Kombëtare dhe autorët e aktorët e saj të cilët punuan e u rropatën me presione nga çdo anë, në frymën e romantizmit, atdhedashurisë dhe iluminizmit nëpër kolonitë kulturore jashtë Shqipërisë: Stamboll, Rumani, SHBA, Bullgari, Egjipt, Greqi, Liban, etj. Në pjesën e dytë flet për Krizën Lindore (1875-78), shpërnguljet shqiptare nga trojet e tyre duke u përqendruar në Paqen e Shën Stefanit më 3 mars 1878, për shkak se, Rusia si fituese e luftës ruso-turke me politikën e saj ekspansioniste të zgjerimit në Evropë e sidomos në Ballkan, andaj Fuqitë e Mëdha, Anglia dhe Austro-Hungaria ftuan Kongresin e Berlinit dhe për 47 ditë sa zgjati ai (13 qershor – 30 korrik 1878) e detyruan Turqinë të qëndronte edhe 34 vjet në Ballkan, i falën tokat shqiptare dhe nga katër vilajetet tona me rreth 90 mijë kilometra katrorë, vetëm 28 mijë që i mbeten shtetit amë me më pak se gjysmën e popullatës, duke na kafshuar fqinjët barbarë copa të mëdha territoresh. Luftërat më të mëdha u bënë për mbrojtjen e viseve shqiptare, siç ishin ato në Mal të Zi: për mbrojtjen e Hotit e Grudës, Ulqinit, Plavës e Gucisë, në të cilat u bënë luftëra të përgjakshme, të cilat përfunduan domosdo në dëm të shqiptarëve me vendimet e Fuqive të Mëdha.

Dhe, si për dreq, e lëshoj në YouTube një këngë të Rizah Bllacës, ku u këndohet këtyre tragjedive tona në vargjet:

“Të shtatë krajlat pa i ngreh orditë (ushtritë);

Pa kris’ topi kurrë s'kemi me e lëshu!"

Dhe: ‘Thirret mileti me hexhele (urgjencë);

Çare s’kemi pa e lëshuar Ulqinin;

Kemi Stambollin muhasere!” (keq, në hall)”.

Këtu del sheshit hipokrizia e pashallarëve turq dhe e popullit shqiptar që identifikohej me ta në mbrojtjen gjoja të tokave shqiptare me hile, sepse tokat tona i kishin qitur në pazar, e tërhiqeshin për mbrojtjen e tokave të tyre.

Dy pjesët e fundit të librit të mrekullueshëm të Sreten Drashkiqit “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”, pjesa e tretë flet për periudhën pas rënies së Lidhjes së Prizrenit (1881) e deri më 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë, kurse në të katërtën, zbërthehet periudha nga shpallja e pavarësisë, deri më 1921, kur kufijtë e Shqipërisë u njohën ndërkombëtarisht, kur në Konferencën e Ambasadorëve në Paris, Shqipëria doli e cunguar nga konferencat e kongreset, e ndarë sikur mezeja në pjatë, për orekset ndërkombëtare, dhe në të gjithë kufijtë e saj, me përjashtim të Detit Adriatik, kufizohet me territore dhe popullatë shqiptare.

Trojet shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve u ndanë sikur mezeja në pjatë

Në pjesën e tretë dhe të katërt të librit të diplomatit serb Sreten Drashkiq “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”, flitet për dy tema boshte, ku përshkruhen dhe analizohen me objektivitet dhjetëra ngjarje të bujshme të kësaj kohe, kur shqiptarët ishin të fundit që po luftonin ende për liri, shtet, alfabet, gjuhë të shkruar dhe identitet kombëtar.

Pjesa e tretë e librit që ka 100 faqe në libër, flet për periudhën nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1881) deri te Pavarësia e Shqipërisë (1912) dhe pengesat që u dalin përpara në rrugën e tyre drejt pavarësisë. Kjo pavarësi e shpallur u kundërshtua nga të gjithë, së pari u mohua nga Porta e Lartë, pastaj nga Fuqitë e Mëdha nga të cilat askush nuk e pranoi, pos si autonomi, përveç Austro-Hungarisë, e cila ndihmonte çështjen shqiptare, karshi fqinjëve sllavë, të ndihmuar nga Rusia cariste, e cila po ngrihej si faktor i rëndësishëm në Evropën e asaj kohe.

Në Kongresin e Berlinit u konfrontuan dy koncepte: Austro-Hungaria, që bashkë me Britaninë e Madhe kishin thirrur Kongresin dhe Bismarkun si figurë kyçe dhe e palëkundur e kishin vënë në krye si nikoqir i kësaj ngjarjeje, nga e cila Austro-Hungaria doli fituese; Turqia u detyrua që edhe 34 vjet, deri më 1912 të mos tërhiqej nga Ballkani, meqë fuqitë perëndimore nuk ishin ende të gatshme që ekspansionin panrus e pansllav ta pengonin për mosdalje në Adriatik që prej kohësh ishte ëndërr e pansllavizmit. Nga Kongresi i Berlinit, siç përshkruhet në libër, dolën dy forca të përkrahura nga  Otto Bismarku: 1. Antanta (Austro-Hungari dhe Italia); 2. Aleanca Trepalëshe (Rusia, Franca dhe Britania e Madhe). Si rezultat i këtyre dy grupimeve në Londër, pasi Shqipëria kishte shpallur mëvetësinë, këto gjashtë Fuqi të Mëdha me Konferencën e Ambasadorëve (KA) nga 17 dhjetori 1912 e deri më 11 gusht 1913, caktuan kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, pra u ndanë trojet shqiptare sikur “mezeja në pjatë”, paçka se gjysma e territoreve dhe gjysma e popullatës po mbeteshin jashtë territorit të shtetit shqiptar dhe shqiptarët që kishin qenë 5 shekuj robër të Perandorisë Osmane nuk i pyeti askush nëse “këmisha që u pritej”, u binte ose jo tamam!

Janë këto ngjarje të bujshme e të shumta që zhvillohen në atë kohë, për të cilat autori flet me objektivitet, me një keqardhje, pse të gjitha ato ndodhin në kurriz të popullit shqiptar që ishte i pambrojtur. Turrjet e ndryshme të shteteve fqinje të Ballkanit ndaj trojeve shqiptare pas largimit të Perandorisë Osmane, autori i sheh me një pezëm, duke mos e thënë asnjë fjalë përkrahjeje ndaj veprimeve fqinje, gjë që rrallë, mbase kurrë nuk shihet tek autorët serbë. Ai shkruan se Shqipëria me territorin e saj të begatë, me 450 kilometra bregdet, e josh Italinë që bregdetin shqiptar ta trajtojë si “mare nostra” (deti ynë); tokat pjellore të Kosovës e Maqedonisë Perëndimore të lakmohen prej Serbisë për t’i pushtuar si “Stara Srbija” (Serbia e Vjetër) dhe Jugun e Shqipërisë me vilajetin e Janinës si “Megali Idea” greke, ku shqiptarët duhet të shfarosen, ose asimilohen në grekë. Pra, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, trojet shqiptare u bënë edhe “mollë sherri” midis Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve ballkanikë.

Autori në pjesën e tretë të librit flet me simpati që vërehet për kulturën shqiptare dhe dokumentet e para të shkruara të saj “Meshari” dhe veprat tjera të autorëve françeskanë; krijimin e Alfabetit të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir; përshkruan aktivitetin kulturor nëpër “kolonitë shqiptare” nëpër qendrat evropiane dhe aktivitetin e tyre për botimin e librave e revistave në Sofje, Bukuresht, Londër, Bruksel, Kajro, Boston etj. Flet për veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë, për ata që ne i mbajmë figura të ndritura kombëtare.

”Prijësit shqiptarë, që merrnin shpërblime ishin: Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, Bajram Curri, Isa Boletini, Prifti Preng Doçi, etj. kryesisht prijës nga Kosova dhe Shqipëria e Veriut. Shumat lëviznin në varësi të personalitetit, nga njëqind, deri në njëmijë napolona, ari, ose franga ari. Të gjitha shpërblimet ishin në ar, sepse shqiptarët në këtë kohë nuk i pranonin bankënotat prej letre” (fq.105). Madje, thotë autori: ”Për këtë qëllim kishte fond të veçantë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë” (fq. 105). “Dhënien e shpërblimeve për prijësit shqiptarë më vonë e përdorën edhe disa shtete të tjera si: Italia, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Kështu, Shqipëria Veriore dhe Kosova, me prijësit e tyre, që merrnin shpërblime nga dy-tri anë, u bënë “zonë e nxehtë” informative. Disa prijës shqiptarë, qenë të pangopur në kërkesat për para, si p.sh. i besuari i austro-hungarezëve, Hasan Prishtina. Konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër – Halla, në tetor 1914, shkruante se Hasan Prishtina në letrat e tij ka vetëm një kërkesë: “Para, para dhe prapë para!” Politika e dhënies së shpërblimeve për prijësit shqiptarë, solli rezultate politike dhe padyshim rriti ndikimin e Austro-Hungarisë në veri të Shqipërisë.”(fq. 105, 106).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Folegjenda: