Shtojca për Kulturë

Asnjë i dënuar për zhvarrosjen e kufomave të shqiptarëve

Gërmime për varreza masive në Rudnicë të Serbisë, më 28 dhjetor, 2013 (Foto: Alban Bujari)

Përpjekjet e autoriteteve zyrtare të Serbisë për të penguar zbulimin e dëshmive të krimeve serbe vazhduan edhe pas rënies së regjimit të Millosheviqit. Madje, deri tani, asnjë person përgjegjës nuk është dënuar për operacionin e zhvarrosjes së kufomave të viktimave shqiptare dhe fshehjen e tyre në Serbi. Nuk ka dyshim se në këtë aksion të Serbisë ishin të përfshirë zyrtarët policorë, politika dhe institucionet gjyqësore

Pas luftës më 1999, kur hetuesit e Tribunalit të Hagës, menjëherë pas vendosjes së Kosovës nën administrim civil dhe ushtarak ndërkombëtar, arritën të hynin pa pengesa në Kosovë, do të konfirmonin se kishte pasur ndërhyrje në varrezat masive në Kosovë. Vetëm një vit më pas, TPNJ-ja kishte marrë konfirmimin se kufomat e civilëve shqiptarë ishin fshehur në territorin e Serbisë, në harkun kohor prill-qershor 1999. Me këtë ishte konfirmuar frika e zyrtarëve serbë qysh gjatë luftës se ata do të përballeshin me telashe kur në Kosovë do të vendosej misioni ndërkombëtar. Po ashtu, sa u përket krimeve të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe në Kosovë, përpjekjet e autoriteteve zyrtare të Serbisë për të penguar zbulimin e dëshmive të krimeve serbe vazhduan edhe pas rënies së regjimit të Millosheviqit. Madje, deri tani, asnjë person përgjegjës nuk është dënuar për operacionin e zhvarrosjes së kufomave të viktimave shqiptare dhe fshehjen e tyre në Serbi. Nuk ka dyshim se në këtë aksion të Serbisë ishin të përfshirë zyrtarët policorë, politika dhe institucionet gjyqësore.

Për këtë arsye, Natasha Kandiq, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, përgjegjës për djegien e kufomave i konsideron ministrin e Policisë, Vlajko Stojilkoviq, nënkryetarin e atëhershëm të Qeverisë së Serbisë, Nikola Shainoviq, dhe shefat e atëhershëm të Sigurimit Shtetëror dhe Publik të MPB-së të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, dhe Radomir Markoviq. I dënuari për krime të luftës në Trubunalin e Hagës, gjenerali serb Vlastimir Gjorgjeviq, në gjykimin e tij, konfirmoi se mori pjesë në fshehjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë. Në aktgjykimin e Gjorgjeviqit, të Dhomës Themelore të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thuhet se në Kosovë forcat e sigurisë të Serbisë kanë bërë “përpjekje komplekse për të parandaluar zbulimin e vrasjeve dhe për të penguar hetimin e tyre”.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi se shefat ushtarakë dhe policorë jugosllavë e serbë ishin përgjegjës për operacionin e fshehjes së trupave të viktimave të luftës shqiptare etnike nga Kosova në Serbi. Por, prokurorët serbë asnjëherë nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë për këto krime. Urdhri për një operacion të tillë – për zhdukjen e provave për vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë – ishte marrë nga nivelet e larta të zinxhirit komandues, duke përfshirë edhe ushtrinë serbe.

Ndërkaq, edhe Prokuroria e Hagës, për të provuar rolin që luajti Millosheviqi në luftën e Kosovës, kishte ndjekur pistën e gjurmëve të lëna nga një organ i posaçëm, i njohur si Komanda e Përbashkët për Kosovën (shkurt Komanda e Përbashkët). Por, me gjithë kërkesën e Tribunalit për dorëzimin e dokumenteve lidhur me veprimtarinë shumëvjeçare të Komandës së Përbashkët, Beogradi dorëzoi vetëm një pjesë të këtyre dokumenteve gjatë paraqitjes së provave nga mbrojtja në shqyrtimin gjyqësor. Por, këto dokumente ishin të kufizuara dhe ishin përpiluar nga komitete të posaçme të ushtrisë jugosllave, për të shërbyer vetëm në dhënien e dëshmive nga dëshmitarët e mbrojtjes. Kjo sjellje e Serbisë ishte treguese e përpjekjeve të saj të pasluftës për t’ua mbajtur të fshehtë TPNJ-së dhe publikut provat e politikave të saj gjatë kohës së luftës në Kosovë. Beogradi ishte në dijeni se dorëzimi i plotë i këtij dokumentacioni të Komandës së Përbashkët do të nxirrte në dritë objektivat ushtarake të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe ushtrimi prej tyre i dhunës kundër civilëve shqiptarë.

Fshehja e dëshmive arkivore

Përveç kësaj, lidhur me dëshmitë për përgjegjësinë e dëbimit me dhunë dhe deportimin, vrasjen dhe përndjekjen e 80 për qind të popullsisë së Kosovës, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike në Kosovë, ashtu si edhe për krimet e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, kreu shtetëror serb, në vitet e pasluftës, ka ndjekur të njëjtën logjikë: fshehjen e dëshmive arkivore, të cilat do të vërtetonin planet serbe për gjenocid në territorin e ish-Jugosllavisë. Institucionet, si Ushtria dhe policia serbe, edhe sot pengojnë aksesin në arkivat që përmbajnë dokumente të rëndësishme për ndjekjen penale. Tashmë në dhjetëra raste është konstatuar se këto institucione kishin shkelur në mënyrë flagrante ligjin, kur nuk kanë pranuar të japin prova dhe dokumentacion për aksionet e forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Ky lloj qëndrimi ka karakteristikat e një pengimi sistematik të ndjekjes së krimeve të luftës. Më e rëndësishmja për politikën serbe ka qenë që ndjekja penale e krimeve të luftës në Serbi të ulet edhe më poshtë dhe që shteti serb të ikën nga përgjegjësia për krimet e bëra gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX. Është fakt tashmë i njohur se shumë pjesëtarë të forcave serbe të Kosovës, ashtu si dhe në rastin e Bosnjës, pas mbarimit të luftës kanë marrë nënshtetësinë serbe dhe sot jetojnë në Serbi, praktikisht të mbrojtur nga prokuroria serbe, e cila ne fakt do të duhej t’i ndiqte për atë çfarë kanë bërë në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë apo Kroaci. Një numër i madh i atyre që kanë mbajtur poste të larta në institucionet represive në Kosovë, sot janë biznesmenë të suksesshëm në Serbi. Situata është e ngjashme me pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnjë dhe asaj në Krajinë, në mesin e të cilëve ka një numër të atyre që kanë kryer krime.

Lavde për kriminelët e luftës

Autorët e krimeve në Kosovë jo vetëm që jetojnë në Serbi, por shpeshherë janë kompetentë për marrjen e vendimeve në fushën e sundimit të ligjit, sigurisë publike dhe të drejtave të njeriut, konstatonte FDH-ja. Përpos kësaj, Vuçiqi dhe disa nga besnikët e tij të Partisë Progresiste Serbe në pushtet kanë luajtur role të spikatura politike ose ushtarake gjatë luftërave të viteve ‘90 në Ballkan si pjesë e Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshel dhe të qeverive nën kontrollin e Millosheviqit. Vitet e fundit, Partia Progresiste Serbe, vazhdimisht, është akuzuar për lavdërimin e kriminelëve të luftës.

Ndërkohë, Serbia ka nxituar t’i klasifikojë disa nga arkivat e saj ushtarakë si sekret shtetëror, ndërsa Kosova me të drejtë ka këmbëngulur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), si një grup gueril, nuk ka pasur fare arkiva ushtarake. Për më tepër, UÇK-ja dhe ushtria dhe policia serbe nuk mund të krahasohen për shkak të natyrës së roleve të tyre në luftë – një rezistencë e armatosur guerile kundër një agresori shtetëror ushtarak. Në këtë kuptim, ndërmarrja e përbashkët kriminale e Serbisë ishte planifikuar dhe organizuar gjithçka deri në detaje dhe në këtë kuptim arkivat e saj mund të krahasohen me ato të një grupi gueril, që kryesisht ishte e organizuar mbi baza vullnetare. Por duhet theksuar se përderisa arkivat e Serbisë mbeten të mbyllura, sidomos ato që kanë të bëjnë me krimet dhe planimetritë serbomëdha ndaj shqiptarëve, Beogradi në vazhdimësi ka prodhuar një dokumente enorme dhe dosje të ndryshme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe drejtuese të saj, ashtu siç kishte vepruar ndaj çdo lëvizje çlirimtare, duke shpërfaqur gjithmonë mendësinë hegjemoniste, madje edhe raciste.

Rasti më domethënës, pa dyshim, është ai i ish-shefit të Ushtrisë Serbe, gjeneral Lubisha Dikoviq (i pensionuar më 2018), për të cilin ekzistojnë prova të besueshme se ishte i përfshirë në krime lufte në Kosovë dhe Bosnjë. Për këto shërbime, brigada e 37-të e motorizuar e UJ-së, që komandohej nga Dikoviq, u dekorua nga Millosheviqi me urdhrin “Hero Kombëtar”. Në një raport të vitit 2015 të QDH-së, që bazohej në prova të besueshme dhe të dëshmitarëve të shumtë, Dikoviqi akuzohet se kishte komanduar trupat që sulmuan katër fshatrat shqiptare në Drenicë, në vitin 1999, ku mbetën të vrarë të paktën 69 civilë. “Dosja për Dikoviqin bazohet te bisedat me oficerë të Ushtrisë Jugosllave që ishin pjesë e Brigadës së Motorizuar 37 (e udhëhequr nga Dikoviqi), si dhe në deklaratat e atyre që mbijetuan, në deklaratat e familjarëve të atyre që u vranë gjatë bombardimeve të NATO-s, kur Brigada e Motorizuar 37 kishte kontroll të plotë të territorit të Gllogovcit dhe Skenderajt (në Kosovë, ku ndodhën disa prej krimeve të dyshuara të luftës të përmendura në raport)”, thotë Kandiqi.

Menjëherë pas publikimit të dosjes së Dikoviqit, reagoi Prokuroria për krime të luftës e Serbisë, e cila hodhi poshtë pretendimet e Fondit për të Drejtën Humanitare, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë mori masa për fshehjen e dosjes së Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë (Jugosllavisë) Serbe.

Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, e shpalli gjithë arkivin e Brigadës 37 sekret (shtetëror) për 30 vjetët e ardhshëm, duke e bërë kështu të pamundur ndriçimin e krimeve nga e kaluara për një kaq të gjatë kohore. Në mënyrë paradoksale, Gashiqi është tani është ministër i Brendshëm i Serbisë, institucioni që është përgjegjës për krimet më të tmerrshme të kryera në Kosovë nga MUP-i serb, dhe ish-drejtor i BIA-s (Agjencia e Inteligjencës e Sigurisë e Serbisë), e cila vetëm na tregon se ata që fshehin të dhëna dhe potencialisht fshehin krime, në kundërshtim me Ligjin për fshehtësinë e të dhënave, shpërblehen shumë shpejt. Pasi u publikua dosja për varrin masiv të Rudnicës dhe u ngrit mundësia e nisjes së një hetimi për aktivitetet e shefit të shtabit të ushtrisë, Ljubisha Dikoviq, gjatë kohës së luftës, presidenti i atëhershëm serb, Tomislav Nikoliq, paralajmëroi prokurorin e vendit për krimet e luftës që të “mendojë pak se çfarë po gërmon për në Serbi”. Ky fakt është një dëshmi tjetër se Serbia nuk është e interesuar t’i hapë arkivat e saj dhe as t’i evidentojë përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë dhe as ta zbardhë fatin e personave të pagjetur, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë