“Ministri bëri disa deklarata interesante lidhur me qëndrimin e mbajtur nga fqinjët e Shqipërisë ndaj ndryshimit të regjimit në atë vend. Qeveria që e kundërshtonte më fort, deklaroi ai, ishte Turqia dhe arsyen për këtë ia atribuoi ndjesisë së Ismet Pashait se një tranzicion nga Presidenca në Mbretëri në Shqipëri mund të inkurajonte Mustafa Qemalin, i cili besohet se ka ambicie në atë drejtim”, shkruhet në memorandumin e bisedës nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së me Faik Konicën. Ndër të tjera, ai deklaronte se shqiptarët Bostoni i gjeti kryesisht indiferentë ndaj ndryshimit, me shumë pak që ishin aktivisht në favor dhe disa kundër
DEPARTAMENTI I SHTETIT, DIVIZIONI I ÇËSHTJEVE TË LINDJES SË AFËRT
28 shtator 1928
MEMORANDUM BISEDE
ME: Z. Faik Konica, Ministër i Shqipërisë
Z. Faik Konica, Ministri shqiptar, bëri një vizitë në këtë Divizion më 26 shtator pa ndonjë qëllim tjetër të dukshëm përveçse për të biseduar rreth kushteve aktuale në vendin e tij. Ai deklaroi se sapo ishte kthyer nga një vizitë në Boston, ku ndodhet një koloni prej dymbëdhjetë mijë shqiptarësh, për të konstatuar qëndrimin e bashkatdhetarëve të tij në lidhje me ndryshimin e propozuar atëherë të regjimit në Shqipëri. Ai tha se i gjeti shqiptarët atje kryesisht indiferentë ndaj ndryshimit, me shumë pak që ishin aktivisht në favor dhe disa kundër. E pyeta nëse bashkatdhetarët e tij dëshironin në përgjithësi të mbeteshin në Amerikë dhe të merrnin shtetësinë amerikane dhe ai tha se ky ishte kryesisht rasti me brezin e ri, por që shumë nga më të vjetrit ende ëndërrojnë për një rikthim në Shqipëri.
Lidhur me emrin e monarkut të ri të Shqipërisë, Z. Konica deklaroi se të dyja format Zog dhe Zogu janë të sakta, por që kjo e fundit nënkupton “Zogu” (trajtën e shquar) dhe se mbaresa të tilla zanore në emra përdoren zakonisht kur i drejtohesh një shqiptari, ndërsa forma më e shkurtër është më e saktë në raste të tjera.
Ai la të kuptohet, megjithatë, se nuk do të ishte e pasaktë t’i referohesh Mbretit si “Zogu”.
Ministri bëri disa deklarata interesante lidhur me qëndrimin e mbajtur nga fqinjët e Shqipërisë ndaj ndryshimit të regjimit në atë vend. Qeveria që e kundërshtonte më fort, deklaroi ai, ishte Turqia dhe arsyen për këtë ia atribuoi ndjesisë së Ismet Pashait se një tranzicion nga Presidenca në Mbretëri në Shqipëri mund të inkurajonte Mustafa Qemalin, i cili besohet se ka ambicie në atë drejtim. Shpreha habinë që Ismet Pasha do të guxonte të ndërmerrte një veprim të tillë në opozitë me Gaziun (Mustafa Qemalin), por z. Konica ishte i mendimit se Kryeministri turk kishte ndikim të mjaftueshëm për të pezulluar njohjen turke të Mbretit shqiptar. Në çdo rast, siç tha ai, një njohje e tillë nuk ishte akorduar ende.


Qeveria rumune, deklaroi ai, gjithashtu kishte abstenuar deri tani nga njohja e regjimit të ri në Shqipëri, për arsye se Bratianu dihet se është shumë dashamirës ndaj Francës, ndërsa anëtarët e tjerë të Kabinetit dëshirojnë të favorizojnë Italinë. Kjo mosmarrëveshje, siç tha ai, gati shkaktoi rënien e Kabinetit në Bukuresht. Vura re se dukej e çuditshme që Rumania ende të rezistonte për këtë çështje pasi njohja e Mbretit Zog ishte akorduar nga Franca.
Lidhur me Britaninë e Madhe, z. Konica tha se sipas mendimit të tij, britanikët po përpiqeshin në kohën e tashme të ndiqnin një rrugë të mesme midis Francës dhe Italisë në lidhje me Shqipërinë dhe se nuk kishte dyshim se politika e mëparshme pro-italiane në lidhje me Shqipërinë ishte modifikuar shumë. Ai besonte se ata nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje përveç dëshirës për të mos ofenduar as Francën dhe as Italinë në këtë çështje.
Italia, siç tha ai, kishte qenë kundër ndryshimit të regjimit për arsyen se në rast nevoje mund të ishte më e vështirë të rrëzohej një Mbret i vendosur në Shqipëri sesa një President i thjeshtë. Megjithatë, sapo u vendos monarkia, italianët bënë më të mirën e situatës dhe vendosën të bashkohen me Mbretin e ri. Ai vuri re, megjithatë, në mirëbesim, se Mussolini po mbante në Itali rreth njëqind azilantë politikë shqiptarë me qëllim që t'i dërgonte në Shqipëri në çdo kohë që Mbreti Zog mund të tregohej i pabindur ndaj sugjerimeve italiane.
Përgatiti: Bejtullah Destani. Titulli është i Redaksisë.