Seriali për fëmijë “Sesame Street” do të transmetohet në platformën Netflix, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të ndërprerë financimin për kanalin publik amerikan PBS (Public Broadcasting Service).
Netflix e ka përshkruar këtë marrëveshje si hap të rëndësishëm drejt edukimit cilësor të fëmijëve, ka raportuar BBC.
“Ky program ikonik është një gur themel i dashur i medias për fëmijë, që magjeps mendjet e reja dhe ushqen dashurinë për të mësuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të platformës.
Marrëveshja përfshin sezonin e ri të “Sesame Street” dhe 90 orë nga episodet e mëparshme, që do të jenë në dispozicion për 300 milionë abonentët e Netflix, ndërsa seriali do të vazhdojë të transmetohet edhe në PBS. Në fakt, PBS do të ketë qasje në episodet e reja në të njëjtën ditë që ato dalin në Netflix.
E ardhmja e “Sesame Street” ishte vënë në pikëpyetje pasi kompania gjigante “Warner Bros Discovery”, që zotëron platformën HBO, nuk e ripërtëriu marrëveshjen me programin gjysmë shekulli të vjetër.
Kriza u thellua më tej në fillim të këtij muaji, kur presidenti Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv për të bllokuar financimin federal për PBS dhe për rrjetin kombëtar të radios NPR, duke akuzuar të dyja për “lajme të njëanshme dhe partiake”. Si pasojë, “Corporation for Public Broadcasting”, organi shtetëror që mbështet këto media, ka njoftuar ndërprerjen e një iniciative federale që financonte programe edukative për fëmijë, përfshirë edhe “Sesame Street”.
Seriali ka histori të gjatë që nis në fund të viteve ’60, kur bashkëthemeluesit Lloyd Morrisett dhe Joan Ganz Cooney iu drejtuan Fakultetit të Edukimit në Harvard me një ide të re për të edukuar fëmijët amerikanë përmes televizionit. Një ekip i udhëhequr nga psikologë zhvillimorë punoi për të krijuar mësime argëtuese dhe edukative, ndërsa Jim Henson, krijuesi i kukullave Muppet, kontribuoi me personazhe si Big Bird dhe Elmo, me skenografinë që i ngjante një rruge urbane.
Që nga transmetimi i parë më 10 nëntor 1969, miliona fëmijë janë rritur me melodinë “Can you tell me how to get, how to get to Sesame Street?”
Gjatë dekadave, personazhet e programit janë bërë pjesë e kulturës pop dhe politikës sociale në SHBA. Elmo, për shembull, u ftua në vitin 2002 në Kongres për të diskutuar mbi edukimin muzikor. Në vitin 2006, gjatë krizës së obezitetit te fëmijët në SHBA, u transmetuan segmente të titulluara “Health Habits” për të mësuar fëmijët mbi dietën dhe aktivitetin fizik. Cookie Monster madje deklaroi se biskotat janë “një ushqim që duhet ngrënë ndonjëherë”, dhe filloi të promovojë një dietë të balancuar.
Edhe ish-zonja e parë Michelle Obama vizitoi studiot e “Sesame Street” për të xhiruar një episod mbi ushqimin e shëndetshëm.
Netflix po përforcon përmbajtjen për fëmijë, e cila përbën rreth 15% të gjithë shikueshmërisë në platformë. Në të njëjtën ditë, kompania njoftoi se do të sjellë edhe episode të reja të serilit “Peppa Pig” dhe një lojë për telefon me puzzle dhe aktivitete për ngjyrosje. Seria “Peppa Pig” ndjek aventurat e një derrkucjeje katërvjeçare që jeton me familjen e saj në një qytet imagjinar britanik.