Showbiz

Ish-e dashura e Diddyt kërkon lirimin e tij

Reagimi i P.Diddyt pas vendimit të gjykatës

Reagimi i P.Diddyt pas vendimit të gjykatës

Foto: Associated Press

Virginia “Gina” Huynh, njëra prej ish-të dashurave të Sean “Diddy” Combs dhe dëshmitare e identifikuar si “Viktima 3” në çështjen penale kundër tij, ka befasuar publikun duke i dërguar një letër gjykatësit përmes së cilës ka kërkuar që Combsi të lirohet me kusht, deri në shqiptimin e dënimit, ka raportuar CNN.

Huynh ishte përfshirë në dosjen e prokurorisë si një nga viktimat kryesore, por pak ditë para fillimit të gjyqit ajo nuk u paraqit për dëshmi, megjithëse pati thirrje zyrtare për të dëshmuar. Prokuroria njoftoi gjykatën se kishin humbur kontaktin me të dhe me avokatin e saj dhe nuk ishin të sigurt nëse ajo do të shfaqej.

Tani, në përpjekjen e fundit të mbrojtjes për ta liruar me kusht Combsin, në dosje është përfshirë letra e Huynh, në të cilën ajo e identifikon publikisht veten.

“Unë nuk e shoh z. Combs si rrezik për mua apo për komunitetin”, ka shkruar ajo.

Huynh shkruan tutje se e ka njohur Combsin për shumë vite, si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Ajo e pranon se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë e përsosur.

“Ai ka qenë i gatshëm t'i pranojë gabimet dhe t'i marrë vendime më të mira për të ardhmen”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, deri në fund të lidhjes së tyre, ai kishte ndryshuar dukshëm.

“Ai mishëronte një energji dashurie, durimi dhe butësie që ishte ndryshe nga sjellja e tij e mëparshme. Për sa di unë, ai nuk ka qenë i dhunshëm për shumë vite dhe është përkushtuar të jetë para së gjithash një baba”, ka thënë ajo.

Megjithatë, gjatë gjyqit, ish-asistenti i Combs, George Kaplan, ka dëshmuar se e kishte parë Combsin duke e gjuajtur me mollë Huynhit në një incident në shtëpinë e tij në Miami. 

Ndërkohë, këngëtarja Cassie Ventura, dëshmitarja kryesore e çështjes dhe ish-partnerja tjetër e Combs, dëshmoi se ai kishte qenë i pabesë ndaj saj duke u lidhur fshehurazi me Gina Huynh gjatë gjithë marrëdhënies së tyre 11-vjeçare.

Gjykimi ndaj Combsit ka përfunduar muajin e kaluar. Juria e ka shpallur atë fajtor për dy akuza për “transportim me qëllim prostitucionin”, por e ka shpallur të pafajshëm për akuzat më të rënda, atë për “konspiracion kriminal” dhe “trafikim seksual”, bazuar në të cilat mund të dënohej me dekada burg ose burgim të përjetshëm.

Mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij me kusht me dorëzani prej 50 milionë dollarësh, duke argumentuar se ai nuk përbën rrezik për publikun dhe nuk ka gjasa të arratiset. Avokatja e tij, Alexandra Shapiro, ka depozituar një memorandum 62 faqesh ku kërkon edhe që gjykata ta shpallë të pavlefshëm vendimin e jurisë, duke e quajtur dënimin “jokushtetues”.

“Ky dënim qëndron i vetëm, por nuk duhet të qëndrojë fare”, ka shkruar Shapiro.

Në anën tjetër, dëshmitarë të tjerë të çështjes, përfshirë Cassie Ventura, i kanë kërkuar gjykatës që Combs të qëndrojë në burg deri në shqiptimin e dënimit më 3 tetor.

Ata kanë pohuar se do të ndiheshin të pasigurt nëse ai do të lirohej. Gjatë gjyqit, u paraqitën dëshmi të shumta për dhunë fizike të ushtruar nga Combsi ndaj Venturas, përfshirë pamjet e publikuara nga CNN që tregojnë momentin kur ai e rrah atë në një hotel, në vitin 2016.

Gjykatësi e kishte refuzuar më herët kërkesën për lirim me kusht, duke përmendur historikun e tij të dhunës ndaj partnereve si arsye të fortë për ta mbajtur në paraburgim.