Aeroplani që transportonte presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Moskë aktualisht është në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, dhe nuk ka leje për të vazhduar fluturimin për shkak të operacioneve luftarake midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu Agency, duke cituar Tanjugun.
Sipas agjencisë serbe, të gjitha vendet kishin dhënë më parë leje për fluturimin, por tani nuk mund të japin leje për shkak të operacioneve luftarake. Sipas agjencisë, pritet të lëshohet leja për të vazhduar fluturimin pasi aktualisht aeroportet e Moskës janë të mbyllura.
Ditëve të fundit, aeroportet në disa qytete ruse janë mbyllur për shkak të sulmeve nga dronë ukrainas.
Presidenti i Serbisë udhëtoi më herët sot nga Beogradi për në kryeqytetin e Rusisë, ku pritet të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj.
Po atë ditë, Vuçiqi do të zhvillojë takim bilateral me presidentin rus Vladimir Putin.
Presidenti serb ka udhëtuar në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi.