Rajon

Arrestohet 43-vjeçarja në Split, e mbajti si skllav një 67-vjeçar

policia kroate

Një 43-vjeçare është arrestuar në Split pasi ka mbajtur një burrë 67 vjeç në apartamentin e saj si skllav, raportoi Index.hr.

Policia e gjeti gruan pasi mori një informacion për neglizhencë të një burri, e më pas e arrestoi nën akuzën për skllavërim. Kjo vepër sipas ligjit kroat dënohet deri në 10 vjet burgim.

Policët më 3 korrik shkuan tek apartamenti prej ku dëgjuan britma për ndihmë dhe me ndihmën e zjarrfikësve u futën në të. Aty gjetën 67-vjeçarin në kushte që tregonin për neglizhencë të gjatë dhe lodhje psikofizike.

“Hetimi ka vërtetuar dyshimin se e dyshuara duke abuzuar me gjendjen e viktimës ka vepruar në atë mënyrë që e ka çuar atë në skllavëri”, ka thënë policia kroate.

Sipas policisë, e dyshuara me qëllimin që të përfitonte nga pasuria e burrit ia kufizoi viktimës gjërat bazike si ushqimi, uji, ilaçet, kujdesin mjekësor dhe lirinë e lëvizjes. Ajo mori kontrollin e plotë të të ardhurave të tij.