LDK-ja, nga parti me përgjegjësi historike në parti minoritare
Fillimisht, duhet konstatuar një fakt kur është në pyetje LDK-ja. E ai fakt është se ajo nuk humbi zgjedhjet e 28 dhjetorit, por, u vetëdorëzua në altarin e demokracisë. U vetëdorëzua nga frika e pushtetit, nga konflikti politik dhe më e rënda, nga arroganca dhe mospërfillja e vetvetes.
LDK-ja që dikur ishte simbol i rezistencës dhe i shtetformimit, sot është shndërruar në një relikt muzeu që në “xherdanin” e saj po bart ende respektin për të kaluarën e lavdishme, por edhe paditurinë për të tashmen tejet dinamike. Ajo në këto zgjedhje nuk arriti të prodhojë as frikë, as respekt, as shpresë, as entuziazëm, por vetëm kujtime, nostalgji të padobishme dhe jopragmatike për kohën tonë.
Kjo LDK-ja e sotme, gjatë gjithë “ofensivave” në fushatën elektorale, shumë më tepër u fsheh pas parimeve ideale sesa pas atyre programore. Dhe gjithë këtë narracion e ndërtoi me të vetmin qëllim: për të justifikuar frikën nga vendimmarrja e ofruar dhe pushtetmbajtja e refuzuar. Ajo e refuzoi ndarjen e pushtetit me VV-në në zgjedhjet e shkurtit 2025, sikur pushteti të ishte ndonjë barrë e rëndë morale, e jo një detyrim politik, ashtu siç vepronte Rugova.
Me këtë barrë morale, ajo përnjëherë harroi se votuesi potencial, dhe sidomos ai inteligjent, nuk e shpërblen dot një subjekt për historinë e saj ekzistenciale e as për instalimin e pluralizmit dhe kapitalin e shtetndërtimit, e aq më pak për shkak të “pastërtisë” morale, por vetëm dhe ekskluzivisht për shkak të përgjegjësisë dhe gatishmërisë për ta udhëhequr një vend apo një shtet, sikurse është Kosova.
Kjo parti nuk ka më elektorat aktiv; ajo tashmë ka vetëm nostalgjikë senilë që nuk e kanë më as fuqinë e as elanin e një potenciali favorizues që mund t'i perceptojë dinamikat e situatave aktuale. Nuk ka betejë të brendshme, sepse nuk ka më as ide për të cilat mund të kacafytet, si brenda llojit ashtu edhe me të tjerët. Heshtja e saj organizative, kam përshtypjen se është shndërruar në anamnezë politike pa formë e pa përmbajtje unike sociale.
Tani, nëse i adresojmë disa shkaqe të debaklit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mendoj se ato, përveç faktorëve politikë, duhet kërkuar edhe te disa shkaqe sociologjike, siç janë: politika e izolimit apo sjellja në vetëmjaftueshmëri që u manifestua sidomos në zgjedhjet e shkurtit, kur LDK-ja ngurroi të hyjë në koalicion strategjik me VV-në, që ishte goditje e rëndë në kredibilitet; pastaj margjinalizimi absurd dhe i panevojshëm i kuadrove tradicionale, siç ishte rasti me Agim Veliun, që u konvertua me ulje të mobilizimit të bazës periferike; si edhe te faktori diasporë që kur të konvertohet me datën e zgjedhjeve, e sidomos mungesën e një oferte konkrete në formë përmbajtjeje të një narrative reformuese premtuese.
Përfundimisht, LDK-ja e sotme nuk është më opozitë e denjë kundruall pushtetit, por vetëm një dekor politik, apo figurant politik, që nuk ka më peshë të rëndësishme politike në arenën e “gladiatorëve”, sikurse gjatë kohës së Rugovës. Dhe për më tepër, në politikë, kur shndërrohesh në dekor, ti detyrimisht harrohesh nga të gjithë dhe mbetesh relikt i së kaluarës që në rastin e saj ishte tejet e lavdishme.
PDK-ja, një parti e luftës dhe rreziku nga mungesa e një lidershipi karizmatik
PDK-ja, për më pak se pesë vjet, arriti ta relativizojë ankthin e hipotekës së keqqeverisjes, mëkatet abuzuese bashkë me skandalet gjatë pushtetmbajtjes së kohës së pasluftës, por nuk arriti dot ta eliminojë edhe frikën se do të rikthehet furishëm sërish në pushtet.
Ajo nuk humbi sepse ishte e pafuqishme, por për shkak se ende mundon, gjykon e madje edhe vepron publikisht vetëm sepse të tjerët ende ia kanë frikën, e jo respektin si subjekt kontrovers.
Ajo edhe në zgjedhjet e dhjetorit dëshmoi se ka vota të mjaftueshme për të mbijetuar politikisht, por nuk dëshmoi asnjë gram besimi e interesimi për të qeverisur me të tjerët. Këto vota dhe ky potencial modest elektoral nuk janë dëshmi për forcë reale që e ka, por janë shumë më tepër një vetëgjykim afatgjatë që e “prodhoi” karizmën e lidershipit të pasluftës e shumë më pak hipoteka e stigmatizimit dhe paragjykimit që ia krijuan dramat e aferave dhe skandaleve gjatë kohës kur qeveriste me vendin.
Dhe gjithë ky ngurrim e fajësim po e përcjell këtë subjekt edhe tash. Arsyeja kryesore është se asaj nuk i ndodhi katarsisi, por vetëmjaftueshmëria në karizmën e lidershipit që e "prodhoi" lufta e ndodhur në vitin 1999. Ajo kurrë nuk u përball seriozisht me të kaluarën e vet, e as nuk kërkoi falje, madje as nuk u distancua nga të (pa)bëmat e paraardhësve. Pa i bërë këta hapa, ajo e ka tejet të vështirë të reformohet dhe të shndërrohet në subjekt serioz e konkurrues me LVV-në.
Sepse, duke përdorur “fytyrën e Janusit” dhe duke shpresuar se kujtesa kolektive është naive, nuk mund të rikthehesh furishëm në skenën e dominuar nga subjekti që di të “notojë” politikisht dhe tashmë edhe narrativisht. Në diskursin elektoral të PDK-së mbi shtetin dhe sidomos mbi pushtetin, u ligjërua përmes kodit të pushtetit të djeshëm, ku qytetari e ka të vështirë ta kapitalizojë si interesimin ashtu edhe besimin që ka krijuar standarde e kritere krejtësisht tjera. Me këso qasje të ngurtësuar, PDK-ja në të ardhmen nuk besoj se mund të mobilizojë më askënd, e në veçanti kontingjentet e reja që për çdo vit futen 30.000 deri në 35.000 votues të rinj në “tregun” elektoral. Kjo i bie që ajo thjesht i mban të lidhur vetëm ata votues që nuk dinë nga t’ia mbajnë tjetër.
Thënë më ndryshe: PDK-së, për t’u bërë alternativë serioze konkurruese e skenës politike kosovare, i duhet një reformë e thellë programore dhe e lidershipit. Ajo sot “mirëmbahet” ende përmes kujtesës dhe memories së luftës.
LVV, fitorja morale dhe rreziku të shndërrohet në arrogancë shtetërore
Por, pse LVV fitoi aq bindshëm, është ajo dilema hamletiane që opozita dhe një kontigjent mediatik s’e ka pritur fare. Themi kështu për shkak se shumica e mediave, subjekteve opozitare, shoqëria civile, opinionistët e analistët pritnin një ulje modeste shkaku i "fajësisë" së krijuar gjatë sagës së ngërçit absurd. Por çfarë ndodhi? LVV e theu rekordin elektoral të pasluftës! Dhe kjo fitore e saj nuk ishte vetëm fitore elektorale e politike, por në fakt shumë më tepër se aq. Është një hegjemoni e padiskutueshme morale e etike që në rrethanat e një konfigurimi gjeopolitike duhet ta demonstrojë e sidomos ta dëshmojë gatishmërinë e bashkëpunimit (lexo: koncesioneve) edhe para ndërkombëtarëve.
Dhe ajo çfarë përmban rreziqe në këtë lloj hegjemonie morale, që kemi mundur ta shohim vetëm në kohën e homogjenitetit etnik të paraluftës, ishte kur shqiptarët, duke humbur edhe ato pak autonomi (1989) që i gëzonin në kuadër të ish-krijesës centaur jugosllave, masovikisht hodhën libreza të LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë).
Tani, LVV-ja, duke u gjendur në një hegjemoni të tillë politike e morale, nëse “i hyn vetja në huj", siç thotë populli, apo dëshmohet tejet narcisoide me veten dhe opozitën, mediet etj. gjasat e humbjes së kontrollit dhe mosmenaxhimit të plotë mbi institucionet që do të dalin pas konstituimit të Kuvendit janë më se reale. Themi kështu edhe për shkak se, kur pushteti shndërrohet në hegjemon politik e moral, ai zakonisht fillon të stërkeqet dhe të humbë sensin e nevojës për kontroll dhe të “shpërngulet” në krahët e autokracisë.
Formulën magjike të suksesit të LVV-së mendoj se duhet kërkuar, ndër të tjera, edhe te fakti se ajo në diskursin e saj të brendshëm shumë më tepër kërkoi lojalitet e besnikëri fanatike sesa liri të mendimit. Dhe kjo qasje e tillë, pa asnjë dyshim, nuk ka gjasa të “prodhojë” konsensus dhe unitet që te ne identifikohet gabimisht me termin “vullnet politik”.
Dhe çfarë është edhe më e çuditshme, ky lloj jolojaliteti e jogatishmërie diskursiv, tani kur e posedon kapitalin e hegjemonit moral e politik, nuk ka fare obligim e aq më tepër nevojë që këtë kapital të fituar me këmbëngulje ta “shkrijë” as në konsensus e as në diktat të bashkëqeverisjes apo koalicioneve eventuale me të tjerët.
Mirëpo, mosndarja e pushtetit, me cilindo subjekt qoftë ai, LVV shumë lehtë mund ta katapultojë atë në një barazim të pushtetit me pushtetin. Nga përvojat e demokracive të brishta dhe historia e tyre është dëshmuar se gjasat, kur partia shndërrohet në pushtet e pushteti barazohet dhe identifikohet me shtetin, janë shumë reale. Në situata të tilla, zakonisht ndodh ajo që çdo student i imi e di: kritika publike me automatizëm kriminalizohet, opozita delegjitimohet, korrupsioni lulëzon, mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes zbehen, shteti pëson.
Pra, LVV-ja, pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë, do të testohet në çdo hap që do të marrë: ose si pushtet, ose si hegjemon politik e moral. Dhe kjo gjendje do të vazhdojë e do të “ushqehet” derisa ajo vetë ta kuptojë dhe të përplaset me realitetin e krijuar nga ajo vetë. Mirëpo, ndërkohë duhet të shohim nëse ajo, në këtë mandat të fituar me merita politike e morale, do të qeverisë me shtetarë apo do të sundojë me shtetin. Sepse Kosova nuk ka krizë demokracie, por ka krizë opozite, krizë përgjegjësie, krizë llogaridhënieje dhe krizë transparence...