Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

“Shkurorëzimi” Kurti-Osmani, psikologjia e turmës dhe egërsimi i diskursit publik në rrjetet sociale

Duke identifikuar disa variabla që ushtrojnë peshë në procesin zgjedhor, sikurse janë: kapitali elektoral i kandidatëve konkurrues, pastaj struktura organizative politike e partive bashkë me sistemin zgjedhor dhe sidomos me psikologjinë aktuale elektorale që e ka Kosova, ajo çfarë mund të konstatohet në pothuajse të gjitha proceset zgjedhore lokale e kombëtare të pasluftës është se ekziston gjithmonë një “trup elektoral prej rreth 15–20%” të popullsisë që asnjëherë nuk ka shprehur asfarë interesimi për të votuar, e as për t’u përfaqësuar. Është kjo ajo shtresë e “dembelëve” inteligjentë të cilët, sikur të ushtronin ndikim me votën e tyre, do të kishim një hartë krejtësisht tjetër elektorale këtu në Kosovë.

Por analiza jonë nuk i ka objekt as shkaqet e as pasojat e kësaj dukurie, e kisha me thënë, “indifference” aktive elektorale, por e ka atë shkallën apo masën e infiltrimit të këtij korpusi në ambientin e tanishëm të kontaminuar dhe të egërsuar. Dhe atë sidomos kohëve të fundit, që është duke u na u gatuar përmes një ngërçi apo bllokade të re politike e institucionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Çudia më e madhe është se përmes një gjuhe të paparë denigruese e linçuese që po qarkullon aktualisht në medie sociale, si shkak po e gjen dhe po e ushqen “shkurorëzimi” i ndodhur mes ish-binomit Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. “Shkurorëzim” ky që, përveç një lloj përjashtimi politik, është duke prodhuar edhe një lloj izolimi patetik, po edhe një atmosferë stigmatizuese e madje edhe linçuese që është duke “vëluar” në skenën politike e në veçanti në mediet sociale. Këto lloje (sh)fajsimesh që po katapultohen, duket qëllimshëm, nuk janë vetëm thjesht padrejtësi publike që kanë rreziqe të shpërfaqen në praktikë, por janë edhe një “etikë” e re publike që po kërkon etablim e rehabilitim koheziv brenda standardit të sjelljeve tona kolektive. Dhe ajo çfarë është më e keqja, për një shoqëri sikurse kjo e jona, ende me përplot “ethe të tranzicionit”, është se po arrijnë lehtësisht t’i “pushtojnë” të rinjtë e frustruar dhe të mbyllur në “katakombet” e këtyre rrjeteve sociale. Ku, duke qenë të “ushqyer” dhe të frymëzuar nga diskurset politike, sidomos këto të fundit rreth raportit të acaruar midis Vjosës dhe Albinit, janë në gjendje të “kujdestarojnë” online “ushtri të tëra dixhitale” (lexo: badihavaxhinj) për të krijuar atmosfera dhe ambiente acaruese e tensionuese në shoqëri. 

Dhe kjo gjuhë e egërsuar dhe shpesh denigruese, që tashmë ka filluar edhe të normohet si standard i sjelljes në hapësirën publike ndaj protagonistëve të lartcekur, sociologjikisht mund të shpjegohet përmes disa këndvështrimeve strukturore, por edhe një “ngjyrimi” kulturor që ndërlidhet me mënyrën se si funksionon sfera jonë publike dhe konkurrenca politike ndër ne. Kjo dukuri nuk është thjesht vetëm një çështje e një konflikti personal politik, por, duke u futur edhe më thellë, është edhe pasqyrim i disa proceseve më të thella shoqërore të “tranzicionit” tonë stërzgjatur që, mjerisht, nuk kemi arritur t’i shpjegojmë shkencërisht. Të shohim trendin e këtij fenomeni. 

Së pari, procesi që ka të bëjë me dukurinë e krizës sonë politike dhe me kulturën polarizuese që u instalua sidomos në periudhën e sagës së ngërçit, apo si e kam identifikuar unë, “shizofrenia politike”. Sagë kjo që edhe tani, me rastin e problemeve për ta zgjedhur një personalitet në postin e Presidentit/es, po merr dimensionet e një dukurie që pretendon të bëhet normë në sjelljet publike politike. Themi kështu nga shkaku se në shoqëritë me tranzicion të gjatë politik, si Kosova, konkurrenca politike shpesh po shndërrohet në delegjitimim moral të kundërshtarit, jo në ndonjë debat racional mbi politikën publike dhe terapinë që duhet pasur. Në këtë kontekst, figura e presidentes po bëhet simbol i një kampi politik, ku edhe kritikat dashamirëse apo edhe ato dashakeqe ndaj saj kanë filluar t’i tejkalojnë caqet e një kodi minimal etik institucional e personal. Kjo sjellje joetike është tipike për shoqëritë me polarizim të lartë politik, ku aktorët publikë mobilizojnë elektoratin përmes diskurseve antagoniste. 

Së dyti, kur procesi apo tendenca e “personalizimit të politikës” tentohet të manifestohet apo të artikulohet jo përmes institucioneve, por përmes figurave që adresojnë kapitalin e karizmës politike, dëmi publik bëhet objekt i diskursit irracional. Në këtë logjikë, kritika ndaj një politike apo institucioni përqendrohet te personi, jo te vendimet apo strukturat bartëse, si në rastin e Vjosa Osmanit, ku institucioni i presidencës shpesh gjatë mandatit të saj mënjanohen qëllimisht edhe rastet kur ajo është identifikuar ekskluzivisht përmes personalitetit të saj politik, por që janë kapitalizuar si interesa të Kosovës. 

Së treti, procesi i mediatizimit të këtij “shkurorëzimi” politik të binomit Vjosa & Albin është duke zënë hapësirë, për mendimin tim, të tepruar edhe për një arsye: ai nuk po pretendon aq shumë të zbulojë “faktet” që sollën deri te “shkurorëzimi”, gjë që realisht publiku ka një kureshtje të habitshme për t’i kuptuar ato, madje edhe qofshin ato djallëzore e, po të doni, edhe hipokrite (!?), për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në këto raporte që e fuqizuan VV-në, po edhe vetë Vjosën. Por këto media po e favorizojnë përmbajtjen që ka të bëjë me emocionin, konfliktin dhe polarizimin mes tyre. Dhe ajo çfarë “prodhon” një qasje e tillë mediatike, ku gjuha e moderuar politike kalon pa vëmendjen e duhur publike, është se shanset e amplifikimit të gjuhës agresive dhe asaj denigruese bëhen më se evidente dhe më interesante për publikun. 

Që thënë me terminologjinë e sociologjisë së zhvillimit, sfera publike, kur shndërrohet në arenë të luftës për një kapital simbolik personal, i bën sulmet verbale, e sidomos ato të orkestruara përmes “ushtrive digjitale” që i posedojnë tashmë pothuajse të gjitha subjektet politike kosovare, vetëm sa ta zvogëlojnë legjitimitetin publik të aktorit politik që i plason, me një vonesë enorme kohore. “Skema” që disa po i identifikojnë edhe si një puç “të kontrolluar” politik, por gjithsesi edhe mediatik. 

Ose, shprehur me diskursin e sociologjisë së njohjes, ky lloj diskursi agresiv ndaj presidentes Vjosa Osmani mund të shihet edhe si strategji për delegjitimimin e saj të mëvonshëm politik, për të mos thënë edhe si një lloj “vorrosjeje për së gjalli” të karrierës së saj politike. Sepse, siç është shprehur edhe ajo vetë, ka ambicie për ta vazhduar karrierën politike. Se a do ta vazhdojë ajo “odisejadën” e rikthimit si një “lojtare” kyçe, kjo varet shumë nga rrethanat politike në këta muajt e fundit po edhe nga Ajo vetë...