Opinion

Pandëshkueshmëria që e ndau shoqërinë

Një apel për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krimet ekonomike të pasluftës për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

Kosova është një shoqëri e vogël, pothuajse si një familje. Në rrethana shumë të vështira kemi ditur të qëndrojmë bashkë, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të mbrojmë interesin e përbashkët.

Tradicionalisht, shumica e qytetarëve tanë nuk janë rreshtuar fort në ndarje ideologjike. Jemi patriotë, e duam vendin tonë dhe kemi qenë të bashkuar kur ka qenë fjala për çështje madhore kombëtare.

E megjithatë, sot përballemi me një polarizim të thellë shoqëror, deri në armiqësi. Në hapësirën publike dominojnë mesazhe pesimiste, dezinformuese dhe shpesh toksike, që krijojnë përshtypjen se në Kosovë ndodhin vetëm të këqija dhe se shpëtimi është gjithmonë diku jashtë. Kjo nuk është pasqyrë e vërtetë e shoqërisë sonë - por pasojë e një problemi shumë më të thellë.

Kam ardhur në përfundimin se problemi kryesor nuk janë individët apo profesionet e veçanta, përfshirë gazetarët. Problemi janë interesat e lidhura me paranë e krimit, një rreth vicioz ku krimet ekonomike të pasluftës nuk u hetuan kurrë, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme u shndërruan në ndikim politik dhe mediatik, dhe ky ndikim, nga ana tjetër, prodhoi më shumë krim dhe pandëshkueshmëri.

Shembulli i sektorit të telekomunikacionit është ilustrues. Për vite me radhë, janë bërë denoncime publike dhe zyrtare për kontrata të dëmshme dhe abuzime serioze, por asnjë rast nuk u trajtua në mënyrë të plotë dhe të pavarur. Ky model i mosndëshkimit nuk dëmtoi vetëm një ndërmarrje publike; ai kontribuoi në humbjen e besimit të qytetarëve dhe në forcimin e bindjes se krimi ekonomik në Kosovë mbetet i paprekshëm.

Pasojat e këtij realiteti i pamë qartë edhe në nivel shtetëror. Bllokimi institucional që përjetoi Kosova - periudha e gjatë pa Kuvend funksional dhe pa qeveri me kompetenca të plota - nuk erdhi rastësisht. Ai ishte rezultat i një sistemi të minuar ndër vite nga para të paligjshme, ndikim i fshehtë dhe mungesë llogaridhënieje.

Një ilustrim i qartë i kësaj brishtësie institucionale është edhe vendimi i fundit për shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit me të cilat u miratuan 13 ligje, përfshirë ligjin për Byronë për verifikimin e pasurisë. Pa hyrë në vlerësimin juridik të këtij vendimi, një gjë është e qartë: çdo mekanizëm që synon të luftojë krimin dhe korrupsionin, rrezikon të shembet sapo të përballet me testin e parë serioz. 

Pikërisht në këtë kontekst, gjatë periudhës kur Kosova ishte pa Kuvend funksional, unë dorëzova në Kuvend nismën e parë qytetare për themelimin e Gjykatës së Posaçme për Krime Ekonomike të Pasluftës. Qëllimi i kësaj nisme është i qartë: të ndërpritet cikli i rrezikshëm krim - para - ndikim - më shumë krim dhe të krijohet një mekanizëm i qëndrueshëm, profesional dhe i fokusuar ekskluzivisht në trajtimin e këtyre rasteve.

Prandaj, sot kur Kosova po hyn në një fazë të re institucionale, me Kuvend dhe Qeveri funksionale, është koha që ky cikël i rrezikshëm të ndërpritet. Krimet ekonomike të pasluftës nuk janë çështje e së kaluarës, por burim i drejtpërdrejtë i polarizimit shoqëror, i kapjes së institucioneve dhe i bllokimit të shtetit që e përjetuam së fundi. Nisma qytetare për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime ekonomike synon pikërisht këtë: fundin e pandëshkueshmërisë dhe kthimin e besimit se shteti mbron interesin publik.

Apeloj te deputetët e rinj që ta shqyrtojnë dhe miratojnë këtë nismë pa vonesa. Jam i bindur se do ta kenë mbështetjen plebishitare të votuesve të tyre, sepse drejtësia për krimet e pasluftës është kusht për normalitet shoqëror dhe për një shtet funksional.

(Autori është ekspert i telekomunikacionit)