Opinion

Pamflet për një rizgjim arsimor

Shoqëritë rrallë shemben papritur, ato rrëshqasin gradualisht drejt normalizimit të asaj që dikur do ta konsideronin të papranueshme. Videoja e fundit nga një klasë nuk është skandal në vetvete, por një pikë ku kjo rrëshqitje bëhet e dukshme. Kur një marrëdhënie që duhet të ndërtohet mbi autoritetin e dijes dhe respektin reciprok degradohet në përplasje, problemi nuk qëndron në temperamentin e individëve, por në arkitekturën që i ka formuar ata. Ngjarja, është një çarje në sipërfaqe, përmes së cilës duket qartë thellësia e një krize që prej kohësh ka filluar të normalizohet.

Nëse do ta reduktonim këtë ngjarje në faj personal, do ta kishim humbur thelbin. Sepse kur fjala zëvendësohet me forcë, kur autoriteti rrëzohet dhe respekti tretet brenda klasës, atëherë problemi nuk është më individual. Ai është sistemik. Dhe sistemi nuk është diçka abstrakte, jemi ne të gjithë.

Prej kohësh kemi ndërtuar një kulturë të rrezikshme të iluzionit. Një kulturë ku diploma shpesh vlen më shumë se dija, ku nota kërkohet si e drejtë dhe jo si rezultat, ku kalimi shihet si detyrim institucional e jo si arritje personale. Prindërit, shpesh të shtyrë nga frika për të ardhmen e fëmijëve, kërkojnë rezultat, jo proces, kërkojnë notë, jo përpjekje. Pa e kuptuar, i dërgojnë fëmijës një mesazh të gabuar: se suksesi negociohet, se dështimi duhet shmangur me çdo kusht, se realiteti mund të zbutet me ndërhyrje. Por realiteti nuk zbutet. Ai vetëm shtyhet. Dhe kur vjen përballja me të, shpesh është e ashpër.

Nota nuk është dhuratë, as mjet presioni. Ajo është një matës i dijes dhe i angazhimit. Kur e zbrazim nga pesha e saj, zbrazim vetë kuptimin e shkollës. Shoqëria që simulon suksesin, prodhon dështim të heshtur, profesionistë të brishtë, institucione të dobëta, qytetarë të pasigurt.

Ndërkohë, ekziston një tjetër e vërtetë që e dimë të gjithë, por e trajtojmë si detaj dytësor. Ne flasim për strategji kombëtare për edukimin e hershëm, për reforma, për modernizim, për rishikim të kurrikulës, për digjitalizim. Por në praktikë, një pjesë dërrmuese e fëmijëve tanë po rriten para ekranit. Tableti është bërë dado moderne. Telefoni është bërë qetësues universal. Algoritmi po formon mendimin më herët se libri. Rrjetet sociale po ndërtojnë identitetin para se shkolla të ndërtojë mendimin kritik.

Është e pamundur të kërkojmë përqendrim të thellë në klasë, kur përqendrimi është trajnuar të shpërbëhet në fragmente sekondash. Është e vështirë të flasim për edukim të hershëm të detyrueshëm, ndërkohë që rrjetet sociale janë bërë mjedisi i përditshëm formues i identitetit të hershëm. Ndoshta është koha të mendojmë seriozisht masa të guximshme, madje edhe radikale, si ndalimi i plotë i rrjeteve sociale deri në përfundim të shkollës së mesme. Jo si ndëshkim, as demonizim të teknologjisë, por si mbrojtje. Jo si izolim, por si investim në pjekuri. Sepse liria pa pjekuri nuk është zhvillim, por, është ekspozim.

Në këtë situatë, mësuesi gjendet mes presionit të pritshmërive dhe boshllëkut të sistemit. Atij i kërkohet të edukojë, të disiplinojë, të motivojë, të menaxhojë tensione sociale dhe emocionale, shpesh pa mbështetjen e nevojshme strukturore. Dhe duhet ta themi hapur: sistemi tutorial dhe mentorues, si mekanizëm real mbështetës për nxënësit që mbeten prapa, pothuajse nuk ekziston. Nuk kemi struktura funksionale orientimi, mentorimi, rikuperimi. Kemi vetëm klasën tradicionale dhe pritjen që ajo të zgjidhë gjithçka.

Reforma nuk mund të jetë kozmetike, andaj, duhet guxim për të pranuar se jo çdo mësimdhënës jep maksimumin në të njëjtën formë, dhe jo çdo nxënës mëson në të njëjtën mënyrë. Sistemi duhet të diferencojë, të orientojë, të mbështesë, pa përjashtuar askënd nga puna, por pa e kthyer mediokritetin në normë të pranueshme. Është e domosdoshme të realizohet një vlerësim i thelluar i kuadrove arsimore, me qëllim profilizimin e tyre profesional: kush ka kapacitet të vazhdojë në mësimdhënie të drejtpërdrejtë dhe kush mund të angazhohet më me efektivitet në rolin e mentorit apo tutorit.

Shteti, nga ana e tij, nuk mund ta delegojë përgjegjësinë për arsimin, sepse ai është detyrim kushtetues dhe themel i zhvillimit shoqëror. Cilësia nuk mund të shndërrohet në privilegj të atyre që paguajnë më shumë, as të varet nga kodi postar apo nga mundësia ekonomike e familjes. Standardi duhet të jetë i njëjtë në arsimin publik dhe në atë privat, ndërsa trupat rregullatorë duhet të funksionojnë realisht si mekanizma kontrolli dhe garantimi cilësie, jo si struktura formale pa ndikim. Shkollat periferike nuk duhet të mbijetojnë, por të fuqizohen, duke u përfshirë në modelin e mësimit gjithëditor bashkë me shkollat në qytete, i cili duhet të trajtohet si prioritet kombëtar për barazi reale në arsim, sepse ai krijon kohë të strukturuar për mësim, lexim dhe mbështetje akademike, duke zvogëluar hendekun mes nxënësve që kanë përkrahje jashtëshkollore dhe atyre që nuk e kanë. Nuk ekziston asnjë pengesë objektive që shteti të mos sigurojë transport për nxënësit dhe të mos e funksionalizojë çdo shkollë në këtë model organizimi. Megjithatë, infrastruktura dhe organizimi nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me monitorim sistematik, vlerësim të vazhdueshëm dhe llogaridhënie të qartë, në mënyrë që sigurimi i cilësisë të mos mbetet deklarativ, por të bëhet praktikë e përhershme institucionale.

Ndoshta jemi në pikën zero. Por pika zero nuk është fundi, është momenti i zgjedhjes. Është vendi ku një shoqëri vendos nëse do të vazhdojë me iluzionin e rehatisë së rreme, apo do të përballet me të vërtetën e nevojshme. Videoja që pamë nuk është turpi ynë më i madh. Turpi do të ishte nëse vazhdojmë të sillemi sikur gjithçka është nën kontroll. Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo gjë tjetër: ekonomia, drejtësia, kultura, vetë demokracia. Nëse themeli plasaritet, ndërtesa do të lëkundet, sado e bukur të duket fasada.

Prandaj ky nuk është tekst (sh)fajësimi, por thirrje për përgjegjësi dhe kthjellim kolektiv. Arsimi nuk mund të mbetet peng i notës së negociuar, i standardit të zbutur dhe i një fëmijërie të dorëzuar para ekranit. Zgjidhja kërkon rikthim të meritokracisë në çdo hallkë të sistemit, ndërtim real të mekanizmave mentorues dhe tutorialë për ata që kanë nevojë për mbështetje, garantim të mësimit gjithëditor me infrastrukturë e transport të siguruar nga shteti, si dhe monitorim të vazhdueshëm e të pavarur të cilësisë. Sepse në fund, një komb që nuk mbron seriozisht arsimin e vet, nuk po humbet vetëm një brez, po humbet drejtimin.

(Zahir Çerkini është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë)