Opinion

Mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL: Politizimi i sigurisë dhe pasojat për rajonin

Kosova mbetet jashtë INTERPOL-it pavarësisht se disponon një nga strukturat më profesionale policore në rajon. Proceset teknike të anëtarësimit shpesh kthehen në fushëbetejë politike, ku shtetet me interesa gjeopolitike, dhe veçanërisht Serbia, e shfrytëzojnë organizatën për ta konsoliduar avantazhin rajonal.

Ky artikull ofron një analizë të thelluar të faktorëve që e pengojnë integrimin e Kosovës në INTERPOL, duke u fokusuar tek politizimi ekstrem i një organizate teknikisht të orientuar drejt sigurisë. Analiza përfshin aplikimet e Kosovës në vitet 2010 dhe 2015, dështimet e viteve 2017–2018, sesionin e INTERPOL-it në Marok (2025), si dhe nismën strategjike të Serbisë për hapjen e një Byroje Rajonale në Beograd, që ka krijuar një asimetri të rrezikshme në arkitekturën rajonale të sigurisë. Artikulli argumenton se Kosova ka nevojë për një doktrinë të re të diplomacisë së sigurisë, e cila e kombinon ofensivën diplomatike me integrimin teknik të strukturave të INTERPOL-it.

Roli i INTERPOL-it në arkitekturën globale të sigurisë

INTERPOL-i nuk është një organizatë ceremoniale, por rrjeti më i madh global i bashkëpunimit policor, me 196 shtete anëtare dhe qasje në mbi 100 milionë të dhëna operative mbi krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, personat në kërkim dhe financat ilegale. Për shtetet e vogla, që shpesh nuk kanë kapacitete të gjera për shkëmbim informacioni, INTERPOL-i është mekanizmi kryesor për integrim në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

Për Kosovën, anëtarësimi në INTERPOL do të siguronte: qasje të menjëhershme në baza të dhënash kritike; mundësi për të lëshuar Red Notices dhe për të kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar; rritje të kredibilitetit institucional; përmirësim të kontrollit kufitar dhe zbulimit të rrjeteve kriminale transnacionale. Ky kapacitet mbështetet nga Drejtoria për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (ILECU), struktura zyrtare e Policisë së Kosovës për bashkëpunim ndërkombëtar, e koordinuar me EULEX-in. ILECU-i menaxhon aplikimet, shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, edhe pse INTERPOL-i ka një karakter teknik, ai është thellësisht i ndikuar nga politika dhe rasti i Kosovës e ilustron qartë këtë tension.

Aplikimet e Kosovës dhe dështimet politike

Aplikimi i parë i Kosovës (më 2010) nuk u trajtua me seriozitet nga organet e INTERPOL-it për shkak të mungesës së një strategjie të konsoliduar lobimi dhe rolit të UNMIK-ut si kanal ndërmjetësues. Aplikimi i vitit 2015 ishte dukshëm më i strukturuar dhe profesional, i mbështetur nga Policia e Kosovës, ILECU, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Megjithatë, procesi u dominua nga dimensioni politik: në vitin 2017 Kosova u tërhoq përpara votimit dhe në 2018 aplikimi dështoi në dy raunde votimi, duke siguruar vetëm 68 vota pro — shumë poshtë shumicës së kualifikuar të kërkuar.

Këto dështime nuk ishin rezultat i mangësive teknike. Ato e pasqyruan një konfigurim politik të pafavorshëm, ku Serbia ndërmori një fushatë të koordinuar dhe agresive kundër anëtarësimit të Kosovës; Rusia, Kina dhe shtetet jonjohëse vepruan të sinkronizuar për të bllokuar votimin; politizimi i INTERPOL-it e tejkaloi në mënyrë të theksuar natyrën e tij teknike dhe mandatin operativ. Që nga viti 2018, Kosova nuk ka aplikuar më, duke e reflektuar mungesën e një strategjie të re dhe efektin demoralizues të fushatave anti-Kosovë.

Faktorët kryesorë të mosanëtarësimit të Kosovës

Faktorët kryesorë të mosanëtarësimit të Kosovës janë strukturor: statusi i kontestuar i Kosovës, i njohur nga pjesa e komunitetit ndërkombëtar, por jo nga të gjitha shtetet anëtare të INTERPOL-it, ndikoi drejtpërdrejt në votimet. Rajonal: diplomacia agresive e Serbisë, lobimi intensiv dhe mobilizimi i koalicioneve anti-Kosovë, e pengoi mbështetjen rajonale. Institucional: diplomacia e dobët e sigurisë, mungesa e strategjisë afatgjatë dhe ndërrimi i shpeshtë i ekipeve negociuese dobësuan pozitën ndërkombëtare.

Organizativ: politizimi i INTERPOL-it, ku ndikimet gjeopolitike dominojnë procesin e votimit, pengoi aplikimet teknike dhe bëri që kriteret profesionale të mos jenë të mjaftueshme për pranimin e vendit.

Kombinimi i këtyre faktorëve ka rezultuar në mungesën e aplikimeve nga Kosova që nga viti 2018, duke krijuar një sfidë ligjore, politike dhe diplomatike.

Shkelja e Marrëveshjes së Brukselit nga Serbia

Serbia ka shkelur në mënyrë të përsëritur Marrëveshjen e Brukselit (2013), duke e penguar pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale, ndërkombëtare dhe në mekanizmat e sigurisë. Këto shkelje përfshijnë lobim të strukturuar kundër Kosovës, organizim të koalicioneve anti-Kosovë, presion bilateral ndaj shteteve neutrale dhe kundërshtim të hapur gjatë proceseve të votimit. Me gjithë dokumentimin e këtyre praktikave, Serbia nuk ka përjetuar penalizime efektive, duke krijuar precedent të rrezikshëm dhe duke thelluar hendekun institucional, operativ dhe strategjik.

Pasojat për sigurinë e Kosovës

Mosanëtarësimi ka krijuar pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata: vështirësi në arrestimin e personave të kërkuar, zvogëlim të efikasitetit kundër krimit të organizuar transnacional, perceptim më të ulët ndërkombëtar mbi kapacitetet e Kosovës, varësi të vazhdueshme nga mekanizmat ndërmjetësues si UNMIK, dhe rritje të asimetrisë strategjike ndaj Serbisë. Ky kontekst tregon qartë se sfida nuk është thjesht teknike: dobësimi i kapaciteteve të sigurisë dhe rritja e asimetrisë strategjike kërkojnë një qasje të re dhe të konsoliduar të diplomacisë së sigurisë.

Sesioni i Marokut 2025 dhe nisma e Serbisë për Byro Rajonale

Në sesionin e vitit 2025, mosaplikimi i Kosovës ka reflektuar mungesën e një strategjie të qartë dhe të konsoliduar diplomatike në një vakum strategjik që Serbia e ka shfrytëzuar me kujdes. Njoftimi zyrtar i Serbisë për hapjen e një Byroje Rajonale në Beograd përbën një lëvizje strategjike të rëndësishme, duke i dhënë Serbisë avantazh institucional dhe rol koordinues në rrjetet policore të Ballkanit, ndërsa Kosova mbetet periferike. Kjo krijon asimetri strategjike: Serbia në qendër, Kosova në periferi.

Përfundim

Rasti i Kosovës në INTERPOL tregon se organizatat teknike të sigurisë nuk funksionojnë në vakum; mosanëtarësimi nuk reflekton mangësi të kapaciteteve policore, por mungesë strategjie të diplomacisë së sigurisë dhe presion politik ndërkombëtar, kryesisht nga Serbia. Mosaplikimi i Kosovës që nga viti 2018 dhe nisma e Serbisë për Byro Rajonale kanë krijuar asimetri strategjike dhe rrezik për kapacitetet policore.

Rekomandohet: konsolidim i diplomacisë shumëpalëshe dhe strategji trevjeçare të koordinuar ndërinstitucionale; ndërtim i koalicioneve të qëndrueshme votuese; depolitizim i narratives së aplikimit; përfshirje e partnerëve ndërkombëtarë kryesorë; profesionalizim i lobimit teknik dhe vizibilitetit operativ. Vetëm një qasje e koordinuar, që i integron kapacitetet operative të Policisë dhe të ILECU-së me diplomacinë shumëpalëshe dhe lobimin ndërkombëtar mund të neutralizojë asimetrinë rajonale dhe të sigurojë pozicion institucional dhe ndërkombëtar të qëndrueshëm për Kosovën.

Ky rast e ilustron rëndësinë e ndërthurjes së sigurisë teknike me politikën ndërkombëtare dhe qendrat e fuqisë rajonale

(Autori është profesor universitar dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme)