Drejtuar:
I respektuar z. Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër dijeni:
I respektuar z. Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës
I respektuar zotëri Ministër,
Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë është konceptuar si një proces drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synim stabilitetin afatgjatë dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Megjithatë, përvoja mbi një dekadë e këtij procesi dëshmon se rrugëtimi ka qenë i pabarabartë dhe i ngarkuar me sfida thelbësore politike, juridike dhe të sigurisë.
Republika e Kosovës vazhdon të bartë plagë të hapura nga lufta, përfshirë mbi 1600 persona të zhdukur, dëme të konsiderueshme materiale dhe pasoja të thella shoqërore. Në anën tjetër, shtetit fqinj i ka munguar një distancim i qartë institucional dhe moral nga politikat e së kaluarës, si dhe një gatishmëri e sinqertë për përgjegjësi dhe pajtim. Në këto rrethana, dialogu shpesh ka rezultuar më shumë si një proces formal dhe duke i shërbyer Serbisë sesa si një mekanizëm i barabartë ndërmjet dy palëve sovrane.
Në këtë kontekst, marrëveshja e 19 prillit 2013, e arritur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Unionit Evropian, dhe e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka prodhuar të drejtën për emisarët dhe jo vetëm, të bëjnë trysni mbi ne, që në praktikë, kanë hasur në vështirësi serioze të zbatimit dhe interpretimit. Veçanërisht, dispozitat që ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë e komunave serbe kanë mbetur burim tensioni politik dhe institucional.
Duke marrë parasysh se marrëveshjet ndërkombëtare, sipas standardeve të së drejtës ndërkombëtare publike, kërkojnë regjistrim dhe publikim sipas nenit 102 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nenit 21 të Ligjit Nr. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare; si dhe duke pasur parasysh natyrën e veçantë të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, është legjitime të shtrohet nevoja për një rivlerësim të karakterit juridik dhe efektit praktik të këtyre marrëveshjeve.
Parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, si “Pacta Sunt Servanda”, garantojnë respektimin e marrëveshjeve, por njëkohësisht doktrina “Rebus Sic Stantibus”, e sanksionuar në Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, njeh të drejtën e shteteve për rishqyrtim, pezullim apo përfundim të një marrëveshjeje në rast të ndryshimeve thelbësore dhe të paparashikuara të rrethanave (Ref.: ShBA-ja më 7 janar 2026 u tërhoq nga një sërë marrëveshjesh/traktatesh dhe organizata).
Zhvillimet e viteve të fundit – përfshirë tensionet e vazhdueshme në veri të vendit, veprimet destabilizuese, pengimi sistematik i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, rrëmbimi i dy zyrtarëve policorë në Komunën e Podujevës nga xhandarmëria serbe, më pas rrëmbimi i tre zyrtarëve policorë kufitarë patrullues në Komunën e Leposaviçit, e duke kulmuar me agresion ushtarak serb më 24 shtator 2023, si dhe më 29 nëntor 2024 shpërthimi me eksploziv që dëmtoi rëndë kanalin ujor Ibër-Lepenc në Varragë të Zubin-Potokut në veriun e Kosovës, që secila veç e veç dhe të gjitha së bashku, kanë cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës – paraqesin rrethana që kërkojnë një analizë të thelluar strategjike dhe juridike të detyrimeve ekzistuese.
Në këtë frymë, konsideroj se Republika e Kosovës duhet të artikulojë qartë dy drejtime paralele:
Së pari, një qasje konstruktive dhe gjithëpërfshirëse ndaj qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, përmes politikave konkrete për zhvillim ekonomik dhe siguri juridike, duke e bërë të panevojshëm çdo instrumentalizim të tyre nga jashtë.
Së dyti, një orientim strategjik drejt arritjes së një traktati paqeje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përmbyllte juridikisht dhe politikisht luftën, do të garantonte njohjen reciproke, respektimin e integritetit territorial dhe hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi bilateral.
Historia bashkëkohore ofron shembuj të qartë se paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi marrëveshje të qarta dhe përfundimtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, fuqitë aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkuan nga Gjermania dhe Japonia transformime të thella kushtetuese e institucionale si garanci për paqe afatgjatë. Paqja nuk u la në nivel deklarativ, por u formalizua në instrumente juridike të detyrueshme.
Në rastin tonë, “normalizimi” madje si koncept sovjetik, i përgjithshëm nuk mund të zëvendësojë një traktat paqeje. Ka një thënie të presidentit amerikan Wilson: "Çdo luftë duhet të përfundojë me paqe".
Normalizimi duhet të jetë rezultat i paqes së formalizuar, e jo zëvendësim i saj. Njohja reciproke, marrëdhëniet bilaterale të rregulluara, kompensimi i dëmeve të luftës, zbardhja e fatit të të zhdukurve dhe garancitë për mospërsëritje janë elemente që vetëm një traktat i mirëfilltë paqeje mund t’i adresojë në mënyrë të plotë.
Republika e Kosovës ka nevojë për një strategji të qartë shtetërore, të koordinuar ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, që mbron rendin kushtetues, karakterin unitar të shtetit dhe interesin afatgjatë shtetëror, duke vepruar gjithnjë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me orientimin euroatlantik.
Me bindjen se vendimet e sotme përcaktojnë arkitekturën e paqes dhe sigurisë për brezat pas nesh, ju ftoj që dialogun ta vendosni në një kornizë të re strategjike, ku objektivi përfundimtar të jetë traktati i paqes dhe njohja reciproke, si themel i stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Me respekt të lartë,
Shqiprim Pula
(Shqiprim Pula ëshë njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)