Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët e Kosovës do të përballen pa asnjë dyshim me një realitet, për gjykimin tim, alarmues: interesi kombëtar është tej mase i fragmentarizuar; polarizimi dhe humbja e besimit politik do të mbeten tema kryesore parazgjedhore; ndërkohë subjektet politike kanë shumë pak gjasa të ofrojnë një vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Pa një platformë të qartë politikisht dhe pa narrativë alternative nga ish-qeveria apo ish-opozita, mbijetesa e shtetit, siguria, stabiliteti politik dhe integriteti territorial do të rrezikohen aq shumë sa zgjidhja e vetme mund të imponohet nga “Shtrati i Prokrustit” ndërkombëtar. Për këtë arsye, në zgjedhjet kombëtare të dhjetorit 2025 shoh momentin e fundit për të zgjuar ndërgjegjen qytetare e sidomos atë kombëtare për të rivlerësuar prioritetet dhe për të vepruar me vendosmëri – pa lënë vend për kompromis ndaj interesave themelore të shqiptarëve të Kosovës.
- 1. Kosova në tranzicion dhe sfida e zgjedhjeve kombëtare
Duke marrë parasysh dy komponentë: se Kosova është ende shtet në proces të shtetndërtimit dhe është në tranzicion, mendoj që në zgjedhjet e dhjetorit programet dhe ofertat e tyre politike do të duhej t’i (ri)ndërtonin pikërisht rreth këtyre dy kornizave të rëndësishme. E themi kështu duke u nisur nga fakti se as ish-qeveria e as ish-opozita nuk kanë arritur ta definojnë asnjëherë se çfarë në të vërtetë janë koncepti dhe nocioni i interesit kombëtar! E kjo ka ndodhur ngase subjektet politike në Kosovë, sidomos opozita, në gjithë “odisenë” apo “dramën” e ngërçit, ishin kapur jo rreth përmbajtjes – ku do të duhej të impononin agjenda vendimtare për atë se çfarë është ky interes – por rreth formës, duke u marrë shumë me procedurat dhe të drejtat ankimuese që u shfaqën pa ndalur gjatë një viti të humbur kot së koti.
2. Llogaridhënia ndaj elektoratit inteligjent
Tani, nëse supozojmë – dhe këtë e kemi potencuar në vazhdimësi – se ato gjatë gjithë lojës dhe dramatizimit në seancat e Kuvendit, në mungesë të një kauze të qartësuar, vetëm kanë improvizuar e kalkuluar rreth temës së (sh)fajësimit, atëherë në zgjedhjet që po afrojnë do të duhej t’i jepnin llogaridhënie elektoratit inteligjent se përse vepruan me këtë strategji të gabuar?! Po ashtu, në dhjetor këto subjekte e kanë për obligim të japin edhe garanci shtesë: afatet e realizimit dhe mënyrat se si do ta bindin elektoratin, i cili tani do ta përdorë me një koncentrim të trefishuar “llupën e miopit”.
3. Interesi kombëtar si konstrukt sociologjik
Para se të fillojë fushata e mirëfilltë, kujtoj se është e dobishme t’u përkujtohet se çfarë dhe çka nënkuptojnë termi dhe koncepti i interesit nacional, si një strumbullar që duhet ta përdorin nëse dëshirojnë të futen në një konkurrencë të ndershme. Unë po hedh disa teza sociologjike dhe kushdo që dëshiron mund t’i “transplantojë” ato në formë oferte në programet dhe platformat e tyre gjatë fushatës, e cila duket se do të jetë e ngjeshur për shkak të afatit të shkurtuar. Por, fillimisht, duhet të sqaroj se në kuptimin sociologjik (pra, jo politik) interesi kombëtar synohet dhe madje edhe kultivohet si forma më sublime e solidaritetit etik dhe moral të një shoqërie tranzitive, siç jemi aktualisht ne, e cila për objektiv duhet të ketë: sundimin e ligjit, kultivimin e paqes së brendshme qytetare, reduktimin e të gjitha formave të dhunës dhe promovimin e sigurisë kombëtare si strategji sociale dhe politike.
4. Media dhe devijimi i konceptit të interesit kombëtar
Në anën tjetër, interesi kombëtar mund të përkufizohet edhe si koncept kolektiv që shërben për të orientuar veprimet politike dhe për të krijuar një lloj konsensusi për prioritetet që ka një shtet apo një komb. Në krejt këtë “lojë” identitare e shtetërore, një rol të rëndësishëm në formësim dhe (ri)ndërtim luajnë mediat sociale. Zhvillimi i mediave në kohën e teknologjisë informative, përmes “luftës hibride”, shumë herë mund ta devijojë konceptin e interesit kombëtar. Ato, për shembull në rastin e Kosovës, ndonjëherë sintagmën e interesit nuk ngurrojnë ta keqpërdorin dhe ta “shesin” si produkt kinse në dobi të shtetësisë dhe kombit. Ka shumë raste të këtij “invazioni” keqpërdorues. Mirëpo, kujdestarimi shtetëror dhe ai politik bashkë me atë civil duhet të bëjnë që këto tipa mediash të demaskohen dhe të ndëshkohen me ligjet mbi lirinë e shprehjes dhe mendimit.
5. Interesi kombëtar, realitet apo konstrukt kontemplativ?
Tani, meqë interesi kombëtar qenka më shumë një konstrukt kontemplativ sesa një realitet i prekshëm dhe objektiv, shtrohet pyetja kyç: A ekziston një “interes i vetëm kombëtar” që nuk ndryshon fare nëpër periudha të caktuara historike, apo ai ndryshon në varësi të kohës, rrethanave dhe interesave të individëve, subjekteve politike apo institucioneve, qoftë ato morale? Pra, cilat janë limitet e rrezikut të keqpërdorimit, manipulimit apo së paku keqmenaxhimit të këtij konstruktit për shtetin e kombin si identiteti më sublim i një vendi. Historia e qenies dhe ekzistencës sonë na ka mësuar se ky konstrukt, ndër shekuj, ka pësuar transformime të shumëllojshme. Pa hyrë në analiza më të thelluara, duket se procesi i transformimit dhe i interpretimit ka qenë produkt i vonesës sonë historike në rrumbullakimin e identitetit shtetëror. Shteti ka qenë dhe mbetet “adresa” dhe “lokomotiva” që e artikulon, avokon, definon dhe propagandon diskursin mbi interesin kombëtar. Mungesa e këtij mekanizmi, si në rastin tonë, ka krijuar kushte të reja interpretimi, por edhe ngarkesa e obligime shtesë për të rritur interesimin rreth realizimit dhe plotësimit të identitetit kombëtar.
6. Sfida e globalizimit dhe mbrojtja e interesit kombëtar
Nëse sot shtrojmë pyetjen “kush jemi ne?” dhe “çfarë duam ne si shqiptarë?” dhe këto dilema i lidhim me epokën e globalizimit, edhe pse atij me ardhjen e Donald Trumpit po i lëkundën themelet, kuptojmë se globalizimi çështjen e interesit kombëtar mundohet ta minimizojë e madje edhe ta margjinalizojë përtej kufijve kombëtarë (p.sh., integrimi ekonomik, siguria kolektive, klima, etj.), duke e trajtuar si relikt të së kaluarës së largët. Por, kur është fjala për interesin kombëtar shqiptar, i formësuar nga dy prioritete: a) mbijetesa kulturore dhe gjuhësore, siç e konceptuan rilindësit e shekullit XIX, dhe b) shtetformimi dhe integriteti territorial (1912–1945) – nuk është aq e lehtë të kapërdihet e aq më pak të anashkalohet tendenca globaliste. Këtyre dy prioriteteve, kur u shtohet edhe ai i përpjekjes për mbijetesën e shtetit të rrudhur nga 190.000 km² në vetëm 28.000 km², kuptojmë rëndësinë e ambicies sonë kolektive për të mbajtur gjallë interesat gjithëshqiptare edhe në ditët e sotme. Në këtë kontekst duhet cekur se komunizmi apo modernizimi i vonuar (1945–1990), shqiptarët i “detyroi” që përmes ideologjisë së shtetit interesin kombëtar ta identifikonin me “sovranitet absolut” dhe “pavarësi totale”. Rrugëtim ky që solli një ngatërrim, sepse interesi kombëtar u barazua dhe u identifikua tmerrësisht me mbrojtjen e regjimit, duke prodhuar izolim pesëdekadësh. Pas rënies së Murit të Berlinit, tema e interesit kombëtar u riformulua përmes: integrimit në BE, sigurisë nëpërmjet ombrellës së NATO-s, ekonomisë së tregut dhe stabilitetit politik. Në kohën tonë, termi dhe nocioni i interesit kombëtar janë aq shumë të fragmentarizuara, saqë ende nuk ka unitet rreth asaj se çfarë në të vërtetë është interesi kombëtar. Secili subjekt në trojet shqiptare e përdor sipas ideologjisë dhe interesave të veta partiake e ideologjike…
7. Nevoja për një narrativë të përbashkët kombëtare
Kjo qasje prodhon mjegull, hutim dhe apati, sepse interesat e ngushta partiake nuk mund t’i mbulojnë e as zëvendësojnë interesat e njëmendta fundamentale shqiptare në rajon. E njëjta qasje, fatkeqësisht, shfaqet edhe në skenën politike të Kosovës. Por, nëse i adresohemi shpjegimit shkencor sociologjik, kuptojmë se ai interesin kombëtar e projekton shumë më tepër si konstrukt social e identitar të një kombi, i cili “prodhohet” në diskurs publik intelektual, e jo si realitet i fiksuar politik. Pikërisht për këtë, mendoj se duke u mjaftuar secili shtet me interpretimin lokal të paradigmës së interesit kombëtar, ne shqiptarët kemi nevojë urgjente për një road map të përpunuar e të detajuar deri në imtësi për mënyrën, detyrimet dhe obligimet që duhet t’ia vëmë vetes. Në këtë “frymëmarrje” aktive, nëse dëshirojmë të ndërtojmë një narrativë të përbashkët kombëtare, është shumë me rëndësi t’i aktivizojmë të gjitha resurset dhe potencialet njerëzore: mediat sociale, elitat politike, intelektuale e civile – në mënyrë që ndryshimet aktuale gjeostrategjike e gjeopolitike të mos na zënë të papërgatitur, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën jo fort të largët. Kjo narrativë, në formë të një platforme unike, do të duhej të kanalizonte kërkesat, ambiciet dhe synimet e qytetarisë shqiptare në krejt trojet. Midis këtyre synimeve, kujtoj se duhet të merremi shumë më seriozisht me: luftën kundër korrupsionit; proceset integruese në BE; si dhe me mbështetjen pa rezervë të Kosovës në arenën ndërkombëtare nga diplomacia e Shqipërisë. Dhe atë jo vetëm si detyrim moral, por si një obligim historik…