Mjeti më i afërt që kemi sot me një vaksinë kundër HIV-it ka dalë në treg, por, sipas të dhënave të reja, më pak se një e dhjeta e dozave të nevojshme për të ndryshuar rrjedhën e pandemisë do të shkojnë te njerëzit që kanë më shumë nevojë, ka raportuar The Independent.
Sipas një marrëveshjeje mes kompanisë farmaceutike “Gilead” dhe donatorëve ndërkombëtarë, dy milionë njerëz do ta marrin injeksionin me veprim të gjatë “lenacapavir” brenda tre vjetëve apo rreth 666 mijë në vit. Sipas doktorit Andrew Hill nga Universiteti i Liverpoolit, kjo do të parandalojë deri në 165 mijë infeksione, por “nuk është aspak e mjaftueshme”.
Studimi i tij tregon se nëse 10 milionë njerëz në vit do ta merrnin injeksionin, atëherë mund të shmangeshin rreth gjysmë milioni infeksione dhe bota do të hynte realisht në rrugën drejt ndërprerjes së transmetimit të HIV-it.
Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të shkurtimeve të thella të fondeve globale, sidomos atyre nga administrata e presidentit Donald Trump në SHBA, që kanë dobësuar programet e parandalimit kudo në botë. Kjo e bën “lenacapavirin” edhe më të rëndësishëm.
“Vetëm për të kompensuar dëmin që po shkaktojnë këto shkurtimet, ne besojmë se dhënia e lenacapavirit për 10 milionë njerëz në vit është minimumi, dhe në mënyrë ideale duhet të jetë shumë më e lartë”, ka thënë Hill.
Ai u bëri thirrje vendeve të pasura, përfshirë Britaninë, të kontribuojnë në një fond prej 400 milionë dollarësh që do ta zgjeronte qasjen në “lenacapavir” pa prekur programet e tjera jetike të HIV-it si testimet.
Në SHBA, një cikël me “lenacapavir” kushton rreth 28 mijë dollarë, por “Gilead” ka deklaruar se do ta shesë me zero fitim për vendet me të ardhura të ulëta. Këto do të financohen përmes programit Pepfar dhe Fondit Global. Kërkimet e Hillit kanë ndihmuar që kostoja për vendet e varfra të zbresë në vetëm 40 dollarë në vit për person.
“Gilead” ka deklaruar se furnizimi për 2 milionë njerëz deri në vitin 2028 është “hapi i parë”, deri sa prodhuesit e licencuar të fillojnë ta prodhojnë ilaçin masivisht.
“Ne po u japim prioritet vendeve me nevojën më të madhe dhe po punojmë drejt zgjidhjeve afatgjata që do të arrijnë miliona të tjerë”, ka thënë një zëdhënës.
Anne Aslett, drejtoreshë e Elton John Aids Foundation, e mirëpriti me kujdes lajmin.
Ajo ka theksuar se dërgimi i dozave në Eswatini në të njëjtën kohë që po bëhen të disponueshme në SHBA është “i paprecedentë”.
Në të kaluarën, vendet e Afrikës Jugore prisnin më shumë se një dekadë për të marrë ilaçe antiretrovirale që tashmë ishin të disponueshme në SHBA dhe Britani.
“Ashtu siç jemi në prag të teknologjive të reja, injeksionet me veprim të gjatë si lenacapaviri janë më afër një vaksine se çfarëdo zbulimi që kemi pasur”, ka thënë ajo.
Por rënia e madhe e financimit rrezikon suksesin.
Grupet më të rrezikuara, vajzat dhe gratë e reja, komuniteti LGBT+ dhe punëtorët e seksit, shpesh lihen jashtë programeve të parandalimit. SHBA financonte më së shumti furnizimin global me ilaçet orale PrEP, por tani ka “boshllëqe masive”.
“Nëse këto komunitete të cenueshme mbeten jashtë, nuk mund ta ndalojmë epideminë”, ka thënë Aslett.
Organizatat po investojnë në forma të reja të shpërndarjes, përfshirë dronët që dërgojnë ilaçe dhe pako testimi, modele që po përdoren në Afrikë dhe që tashmë po frymëzojnë projekte të reja në Britani, si një pilot digjital në verilindje të Londrës që u jep njerëzve ilaçet PrEP pa vizituar mjekun apo klinikën.
Mike Podmore, drejtor i STOPAIDS, ka thënë se kontributet britanike nuk janë vetëm ndihmë humanitare, por investim në ekonominë dhe shëndetin e vetë vendit. Sipas tij, agjencia e OKB-së për qasjen në barna, Unitaid, ka investuar rreth 250 milionë funte në universitetet britanike gjatë 10 vjetëve të fundit.
Edhe Britania ka objektiv të ndalojë infeksionet e reja me HIV deri në vitin 2030, dhe lenacapavir mund të luajë rol të madh, ashtu si në vendet me të ardhura të ulëta.