Vozitja dhe ngrënia e mishit janë faktorë të rëndësishëm që po rrisin dallimin në ndotjen e ajrit në mes të gjinive, sipas një studimi të ri.
Burrat emetojnë 26 për qind më shumë sesa gratë në transport dhe ushqim, sipas një studimi që ka llogaritur të dhëna nga rreth 15 mijë njerëz në Francë. Dallimi bie në 18 për qind pas kontrollimit të disa faktorëve socioekonomikë si të hyrat ekonomike dhe arsimimin.
Ngrënia e mishit të kuq dhe vozitja e veturave shpjegojnë pothuajse dallimin e përgjithshëm në ndotjen e ajrit prej 6.5-9.5 për qind, pasi të llogaritet fakti që burrat konsumojnë më shumë kalori dhe udhëtojnë distanca më të gjata, sipas studiuesve. Ndërkohë nga fluturimet nuk është gjetur ndonjë dallim gjinor në ndotje të ajrit.
“Rezultatet tona sugjerojnë se normat tradicionale gjinore, sidomos ato që lidhen me maskulinitetin për konsumin e mishit të kuq dhe përdorimin e veturave, luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e gjurmëve individuale në emetim të karbonit”, ka thënë Ondine Berland, ekonomiste në Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike dhe bashkëautore e studimit.
Edhe studimet e shkuara, si një nga Suedia, ka gjetur se shpenzimet e burrave shkaktojnë 16 për qind më shumë emetime që po çojnë në ndryshimet klimatike sesa gratë.
E dallimet në ndotje janë pothuajse të njëjta me dallimet edhe në të hyra mes këtyre dy gjinive në Francë, sipas ekonomistes ambientaliste Marion Leroutier, që po ashtu ishte bashkëautore e studimit.