Lifestyle

Historia e Krishtlindjes

Krishtlindja

Krishtlindja

Krishtlindja, që festohet çdo vit më 25 dhjetor, është festë fetare e shenjtë për të krishterët, por edhe një ngjarje kulturore dhe shoqërore globale.

History shkruan se prej gati dy mijë vjetësh, ajo është festuar me zakone fetare dhe laike, që nga meshat në kishë deri te shkëmbimi i dhuratave, tryezat familjare dhe figura e Babadimrit të Vitit të Ri.

Të krishterët e shënojnë Krishtlindjen si ditën e lindjes së Jezusit të Nazaretit, udhëheqësit shpirtëror mbi të cilin u ndërtua krishterimi. Në Shtetet e Bashkuara, Krishtlindja është festë zyrtare federale që nga viti 1870.

Festimet dimërore para Krishtlindjes

Shumë përpara lindjes së Jezusit, njerëzit në Evropë festonin dimrin dhe rikthimin e dritës. Solstici i dimrit shënonte fundin e ditëve më të errëta dhe fillimin e ditëve më të gjata, ndaj ishte arsye për gëzim.

Në Skandinavi, nordikët festonin Yule, një festë disa ditore që niste rreth 21 dhjetorit. Ata ndiznin trungje të mëdha zjarri dhe besonin se çdo shkëndijë simbolizonte një kafshë të re që do të lindte vitin pasues. Edhe në pjesë të tjera të Evropës, fundi i dhjetorit ishte periudhë festash, sepse ishte koha e mishit të freskët dhe pijeve të fermentuara.

Në Gjermani, njerëzit i frikësoheshin perëndisë pagane Odin, për të cilin besohej se fluturonte natën në qiell për të vëzhguar njerëzit dhe për të vendosur fatin e tyre.

Nga Saturnalia te Krishtlindja

Në Romën e lashtë festohej Saturnalia, një festë në nder të Saturnit, perëndisë së bujqësisë. Gjatë kësaj kohe, që zgjaste deri në një muaj, rendi shoqëror përmbysej: skllevërit trajtoheshin si të barabartë, bizneset dhe shkollat mbylleshin dhe festimet ishin të shfrenuara.

Romakët festonin gjithashtu Juvenalian, kushtuar fëmijëve, si dhe ditëlindjen e Mithrës, perëndisë së diellit të pathyeshëm, më 25 dhjetor. Për shumë romakë, kjo ishte dita më e shenjtë e vitit.

A ka lindur Jezusi më 25 dhjetor?

Bibla nuk e përmend datën e saktë të lindjes së Jezusit. Festa e parë e dokumentuar e Krishtlindjes daton në vitin 336 pas Krishtit, ani se besohet se ajo festohej edhe më herët.

Përkundër dyshimeve se Jezusi mund të ketë lindur në pranverë, Papa Julius I ka vendosur që Krishtlindja të festohej më 25 dhjetor, me shumë gjasë për të adaptuar traditën e festave pagane ekzistuese.

Kjo ka ndihmuar që festa të pranohej më lehtë nga popullsia, edhe pse Kisha humbi kontrollin e plotë mbi mënyrën se si festohej.

Në Mesjetë, Krishtlindja ishte shpesh një festë e zhurmshme, me pije, këngë dhe role simbolike si “zotëria i rrëmujës”, një figurë që përfaqësonte përmbysjen e rendit shoqëror.

Kur Krishtlindja u ndalua

Në shekullin e 17-të, puritanët në Angli dhe më pas në Amerikë e konsideruan Krishtlindjen si një festë të shthurur.

Në Angli, politikani Oliver Cromwell e ndaloi festimin e saj në vitin 1645.

Në Boston, SHBA, nga viti 1659 deri më 1681, festimi i Krishtlindjes ishte i ndaluar me ligj.

Kush shfaqte “frymë krishtlindjeje” gjobitej me pesë shilinga.

Rishpikja e Krishtlindjes në Amerikë

Në shekullin e 19-të, amerikanët filluan ta shihnin Krishtlindjen si një festë familjare dhe të qetë.

Shkrimtari Washington Irving e përshkroi Krishtlindjen si një kohë bashkimi mes shtresave shoqërore, ndërsa shkrimtari i mirënjohur anglez, Charles Dickens, me “A Christmas Carol”, përçoi mesazhin e bamirësisë dhe mirësisë njerëzore.

Dickens ka shkruar për rëndësinë e dhembshurisë dhe solidaritetit, duke ndikuar fuqishëm në mënyrën se si Krishtlindja festohet edhe sot.

Kush e shpiku Babadimrin?

Legjenda e Babadimrit të Krishtlindjes e ka origjinën te Shën Nikolla, një murg që lindi rreth vitit 280 pas Krishtit në territorin e sotëm të Turqisë. Shën Nikolla ka dhuruar të gjithë pasurinë e trashëguar dhe ka udhëtuar nëpër vend për të ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët, duke u bërë i njohur si mbrojtësi i fëmijëve dhe i detarëve.

Shën Nikolla u bë pjesë e kulturës popullore amerikane në fund të shekullit të 18-të, në New York, kur familjet holandeze mblidheshin për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së “Sint Nikolaas” (Shën Nikolla në holandisht), i njohur shkurt si “Sinter Klaas”. Emri “Santa Claus” rrjedh pikërisht nga kjo nofkë.

Në vitin 1822, kleriku Clement Clarke Moore ka shkruar poezinë e Krishtlindjes “A Visit from St. Nicholas”, e njohur sot më shumë nga vargu i saj i parë: “Ishte nata para Krishtlindjes”.

Në këtë poezi, Babadimri përshkruhet si një burrë i gëzuar që fluturon nga shtëpia në shtëpi me sajë, tërhequr nga drerë, për të shpërndarë lodra.

Figura ikonike e Babadimrit si një plak i buzëqeshur, i veshur me të kuqe, me mjekër të bardhë dhe thesin me dhurata, u përjetësua në vitin 1881 nga karikaturisti politik Thomas Nast, i cili u bazua në poezinë e Mooreit për të krijuar pamjen e “Old Saint Nick” që njohim sot.