Lifestyle

Ekspertët në SHBA votojnë kundër vaksinimit të detyrueshëm të të sapolindurve kundër hepatitit B

shba

Një panel amerikan i këshilltarëve për vaksinat ka votuar për t’i dhënë fund rekomandimit afatgjatë për vaksinimin e menjëhershëm të të sapolindurve kundër hepatitit B.

Komiteti Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP) votoi 8 me 3 që vendimi për të vaksinuar foshnjat e lindura nga nëna që kanë rezultuar negative për hepatitin B të bëhet mbi bazë individuale, shkruan BBC.

Në qershor, sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili njihet për skepticizëm ndaj vaksinave, shkarkoi të gjithë anëtarët e ACIP-it dhe i zëvendësoi me persona më kritik ndaj vaksinimit.

SHBA-ja ka vaksinuar të sapolindurit kundër hepatitit B që nga viti 1991 dhe të dhënat tregojnë se që atëherë vaksinimi ka parandaluar rreth 90 mijë vdekje.

ACIP-i i çon rekomandimet te Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ndërsa drejtori në detyrë i CDC-së ka fjalën e fundit për miratimin.

Udhëzimet e reja sugjerojnë gjithashtu që foshnjat që nuk e marrin vaksinën menjëherë pas lindjes duhet të marrin dozën e parë “jo më herët se në moshën dy muaj”, një propozim të cilin disa anëtarë e kundërshtuan.

Ekspertët e shëndetit publik janë të shqetësuar se ky vendim mund të nxisë dyshime të pabazuara për sigurinë e vaksinës dhe të shtojë rastet e shmangies nga vaksinimi, duke sjellë më shumë sëmundje.

Këtë shqetësim e shprehën edhe disa anëtarë të panelit.

“Rekomandimi për vaksinën e hepatitit B është shumë i konsoliduar. E dimë se është e sigurt dhe shumë efektive. Nëse bëhen ndryshimet e propozuara, do të shohim më shumë fëmijë, adoleshentë dhe të rritur të infektuar me hepatit B”, ka thënë doktori Cody Meissner para se të votonte kundër.

Paneli vazhdon të rekomandojë që foshnjat e lindura nga nëna që kanë rezultuar pozitive për hepatitin B të marrin dozën e parë të vaksinës menjëherë pas lindjes.

Hepatiti B është infeksion i mëlçisë që përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda si kanceri i mëlçisë, dështimi i mëlçisë dhe cirroza.

Gratë shtatzëna që mbartin virusin mund ta transmetojnë atë te foshnja gjatë lindjes, duke shkaktuar infeksione kronike që dëmtojnë mëlçinë.

Shpesh njerëzit e infektuar nuk kanë simptoma dhe mund të mos e dinë se janë bartës të virusit, duke e përhapur atë gjatë kujdesit për foshnjat dhe fëmijët.