Lifestyle

Dërgimi i bebeve në çerdhe ndikon pozitivisht në mikrobiomën e tyre

Fëmijët në kopsht

Fëmijët në kopsht

Dërgimi i bebeve në çerdhe ndryshon ndjeshëm mikrobiomën e tyre, duke ndihmuar në zhvillimin e një larmie më të madhe bakteresh të dobishme në zorrë, sipas një studimi të ri shkencor.

Studimi, i publikuar më 21 janar 2026 në revistën prestigjioze Nature, ka treguar se një pjesë e madhe e mikroorganizmave që formojnë mikrobiomën e një bebe vjen nga bashkëmoshatarët e saj në çerdhe, madje edhe pas vetëm një muaji qëndrimi aty.

Sipas analizës, pas katër muajsh në çerdhe, bebet apo foshnjat ndanin mesatarisht 15-20 për qind të llojeve të mikroorganizmave me njëra-tjetrën.

“Kjo ishte përqindje më e lartë sesa të gjitha mikrobet që kishin marrë nga familja që nga lindja deri në atë moment”, ka shpjeguar Nicola Segata, mikrobiolog në Universitetin e Trentos në Itali dhe autor kryesor i studimit.

Mikrobioma është komuniteti i baktereve dhe mikroorganizmave që jetojnë në trupin e njeriut, sidomos në zorrë, dhe luan rol të rëndësishëm në shëndetin e sistemit imunitar dhe tretës.

Sipas Segatës, disa nga ndryshimet në mikrobiomë lidhen edhe me ushqimin që fëmijët konsumojnë në çerdhe, por studimi ka treguar qartë se kontakti dhe ndërveprimi mes foshnjave është faktor shumë i rëndësishëm.

“Transmetimi i mikroorganizmave mes foshnjave gjatë vitit të parë në çerdhe është shumë i madh”, ka thënë ai, duke shtuar se “ndërveprimet sociale në këtë fazë të hershme janë thelbësore për ndërtimin e një mikrobiome të larmishme dhe të shëndetshme”.

Si zhvillohet mikrobioma te foshnjat?

Mendohet se gjatë shtatzënisë, në kushte normale, fetusi nuk ka mikrobiomë. Ajo fillon të zhvillohet menjëherë pas lindjes, kryesisht përmes kontaktit me nënën. Studime të mëparshme kanë treguar se njerëzit që jetojnë së bashku fillojnë të ndajnë të njëjtat baktere, por deri tani dihej pak për mënyrën se si ndryshon mikrobioma e fëmijëve gjatë viteve të para të jetës.

Për të plotësuar këtë boshllëk, ekipi i Segatës ka analizuar mikrobiomën e 43 foshnjave, me moshë mesatare 10 muaj, gjatë vitit të tyre të parë në çerdhe në Trento, Itali.

Foshnjat u ndoqën para, gjatë dhe pas fillimit të çerdhes.

“Ne përfshimë foshnja që po takoheshin për herë të parë, në ditën e parë të çerdhes. Kjo është një periudhë kur zorra e tyre është shumë më e hapur për të marrë baktere nga foshnja të tjera dhe nga të rriturit, sepse sistemi imunitar ende nuk është i formuar plotësisht”, ka thënë Segata.

Studiuesit kanë analizuar mostrat e jashtëqitjes së foshnjave, si dhe nga 10 punonjës të çerdhes dhe persona që jetonin në të njëjtat shtëpi me fëmijët: 39 nëna, 30 baballarë, 7 motra ose vëllezër, si dhe disa kafshë shtëpiake.

Pasi foshnjat nisën çerdhen, mostrat u morën çdo javë deri në pushimet e fundvitit, dhe për disa fëmijë kjo vazhdoi deri në muajin korrik. Të gjithë pjesëmarrësit dhanë mostra edhe pas një viti.

Çka zbuluan studiuesit?

Analiza ka treguar se transmetimi i baktereve mes foshnjave fillon shumë shpejt, vetëm një muaj pas nisjes së çerdhes, dhe rritet gjatë gjithë vitit.

Foshnjat që kishin motra ose vëllezër kishin mikrobiomë më të larmishme në përgjithësi. Ato merrnin më shumë baktere nga vëllezërit e motrat sesa nga prindërit dhe, njëkohësisht, merrnin më pak baktere nga bashkëmoshatarët në çerdhe.

Studiuesit arritën të gjurmojnë edhe “udhëtimin” e disa baktereve specifike.

Segata ka përmendur një shembull konkret me bakterin Akkermansia muciniphila.

“Kemi një rast ku një bakter kalon nga nëna te foshnja. Foshnja në çerdhe ia transmeton një foshnjeje tjetër, e cila ia transmeton më pas të dy prindërve të saj”, ka shpjeguar ai.

Sipas autorëve, këto gjetje tregojnë se socializimi i hershëm nuk është i rëndësishëm vetëm për zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve, por edhe për shëndetin e tyre biologjik, duke ndihmuar në ndërtimin e një mikrobiome më të pasur dhe potencialisht më të shëndetshme.