Që nga e hëna Bashkimi Evropian ka ndaluar një përbërës që gjendet në xhelin për thonjë, ka njoftuar “NY Post”.
Substanca e ndaluar, TPO (oksid trimetibenzoil difenilofosfinë), u jep thonjve një shkëlqim shtesë dhe po ashtu mundëson tharjen e shpejt nën dritën ultravjollcë apo LED.
Por është konsideruar toksike në BE, pasi disa studime kanë treguar se mund të shkaktojnë probleme me fertilitet dhe ndikojnë negativisht në shëndetin riprodhues.
Llaku xhel për thonjtë, që ka fituar popullaritet nga vitet 2000, thahet nën dritën UV apo LED, ndërsa rezulton në një manikyr të fortë dhe të qëndrueshëm.
Ndryshe nga llaku tradicional i thonjve, xhelet krijojnë një shkëlqim të lartë që i reziston çarjeve e fshirjes, nganjëherë për disa javë.
Jo të gjitha xhelet përmbajnë TPO, por shumë prej tyre përmbajnë.
Dhe BE-ja – që prej kohësh ka ndaluar disa kimikate që ende shihen të ligjshme në SHBA, përfshirë edhe BHA dhe BHT në disa vende – ka vendosur se rreziqet shëndetësore janë tepër të larta, duke e etiketuar substancën TPO si “kancerogjene, e toksike për riprodhim”.
Disa ekspertë argumentojnë se ndalimi është masë paraprake dhe jo parandaluese, pasi provat që lidhin TPO-në me problemet shëndetësore janë kryesisht të bazuara te testimet te kafshët.
“Bashkimi Evropian po e ndalon atë si masë kujdesi, pasi ndonëse nuk ka studime të shkallës së gjerë tek njerëzit që e vërtetojnë dëmin, rreziqet e mundshme ishin të mjaftueshme për të justifikuar rregulloret më të rrepta”, thotë doktoresha Hannah Kopelman dermatologe në “DermOnDemand”.
“Nga një perspektivë mjekësore, e shoh këtë më shumë si veprim paraprak sesa si përgjigje ndaj provave të forta njerëzore”.
TPO përdoret po ashtu si një fotoiniciator në mbushjet dentare, por ndalimi evropian vlen vetëm për përbërësit kozmetikë.
TPO aktualisht është e parregulluar në SHBA.