Një burrë e ka shpallur veten president të një mikroshteti të vetëshpallur që ndodhet në një copëz toke “të askujt” mes Kroacisë dhe Serbisë — dhe ky “shtet” ka gjithçka: flamur, qeveri, valutë dhe afro 400 “banorë”.
Daniel Jackson, një 20-vjeçar me origjinë britanike, themeloi Republikën e Lirë të Verdisit — një zonë pyjore prej vetëm 0.5 kilometra katrorë përgjatë lumit Danub. Ai e zbuloi këtë territor pasi konstatoi se as Kroacia e as Serbia nuk e pretendojnë për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare të pazgjidhur.
“Verdis ishte një ide që më lindi kur isha 14 vjeç. Në fillim ishte vetëm një eksperiment mes shokësh. Të gjithë kemi ëndërruar të krijojmë diçka të çmendur”, rrëfen Jackson.
Më 30 maj 2019, ai shpalli zyrtarisht pavarësinë e republikës, raportoi agjencia SWNS. Zona që ai pretendon, e njohur në harta si “xhepi tre (pocket three)”, konsiderohet sot shteti i dytë më i vogël në botë, pas Vatikanit.
Jackson, i cili punon si dizajner duke krijuar botë virtuale në platformën Roblox, nisi ta shndërrojë Verdisin në një “qeveri funksionale” në moshën 18-vjeçare.
“Filluam ta bënim realitet Verdisin duke hartuar disa ligje dhe një flamur. Tani kemi ngritur një qeveri dhe një kabinet”, ka thënë ai.

Gjuhët zyrtare të shtetit janë anglishtja, kroatishtja dhe serbishtja, ndërsa valuta zyrtare është euroja.
Verdisi mund të arrihet vetëm me varkë nga qyteti kroat Osijek, por përpjekjet për të jetuar aty janë përballur me rezistencë të fortë.
Në tetor 2023, policia kroate arrestoi disa njerëz, përfshirë vetë Jacksonin, dhe më pas i deportoi duke i ndaluar përjetë hyrjen në Kroaci.
“Nuk na dhanë arsye të qartë. Na quajtën kërcënim për sigurinë kombëtare”, u shpreh ai.
Aktualisht, Jackson udhëheq atë që e quan “qeveri në mërgim”, dhe akuzon autoritetet kroate se kanë vendosur kamera vëzhgimi përgjatë bregut të Verdisit për të penguar hyrjen nga Serbia.
“Ne kemi pasur shumë probleme me autoritetet kroate, por duam marrëdhënie të mira me ta në të ardhmen. Deri tani kanë qenë armiqësorë”, ka thënë Jackson.
Jacksoni thotë se nëse Verdisi arrin të njihet si shtet, do të japë dorëheqje dhe do të thërrasë zgjedhje.
“Nuk më intereson pushteti. Dua të jem një qytetar i zakonshëm. E gjithë kjo ka qenë një përvojë mahnitëse dhe jam krenar për atë që kemi arritur”, u shpreh ai.
Kur u themelua, Verdisi kishte vetëm katër persona, por sot pretendon se ka mbi 400 qytetarë aktivë nga rreth 15 mijë aplikantë.
Secili prej tyre merr pasaportë verdisiane, megjithëse Jacksoni paralajmëron që të mos përdoret për udhëtime ndërkombëtare.
“Jemi një shtet shumë i vogël, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm se kë pranojmë. Kur miratojmë aplikantë, kërkojmë njerëz me aftësi të dobishme – mjekë, policë, teknikë”, ka shtuar ai.
Megjithë pengesat, Jackson mbetet optimist.
“Është çështje kohe, jo nëse — do të kthehemi në tokën tonë. Kroacia nuk e pretendon territorin, kështu që kemi të drejtë mbi të. Besoj se kemi një shans real. Për syrin e lirë duket thjesht një pyll i zakonshëm, por kur kupton se je në një vend që e ke krijuar vetë, ndjenja është magjike”, ka përfunduar Jackson.