LAJMET E MBRËMJES

Zhvillimet në veri e dialogu heqin nga agjenda vendimmarrjen për liberalizimin e vizave

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që e parashihte lëvizjen e lirë për kosovarët jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024, është hequr nga agjenda e takimit të së mërkurës të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Shkak për këtë janë bërë zhvillimet politike në Kosovë, të cilat ndikuan që procesi i liberalizimit të vizave të ndërlidhet ngushtë me dialogun midis Kosovës e Serbisë.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreperit (trupi i ambasadorëve), nuk është ideale”, ka bërë të ditur Presidenca Çeke e BE-së.

Në qarqet diplomatike në Bruksel kanë thënë se për heqjen e çështjes nga rendi i ditës ka pasur ndërhyrje nga disa vende anëtare. Vendimi është marrë pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e fajësoi Kosovën për refuzim e propozimit për zgjidhjen e krizës rreth targave ilegale.

Borrell pati paralajmëruar se do t’i informojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare dhe se kjo përçon sinjal negativ politik, veçmas për Kosovën.

Në procesin rreth liberalizimit të vizave, në BE deri më tani kanë insistuar se nuk ekziston një ndërlidhje me procesin e dialogut.

Porse Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, thotë se proceset përherë kanë qenë të ndërlidhura. Ai ka përmendur se dialogu pati ndikuar që të iniciohej edhe procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Procesi i liberalizimit të vizave edhe është proces teknik që kërkon reforma, sundim të ligjit dhe luftën e korrupsionit, por kërkon edhe progres në çështje politike, siç është dialogu. Pra, të dy këto vendimmarrësit i marrin parasysh kur marrin vendim për liberalizimin e vizave, edhe përmbushjen e kritereve, por edhe çështjet politike, siç është dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe unë besoj që institucionet gjatë orëve dhe ditëve në vijim duhet të njohin këtë fakt kokëftohtë dhe duhet të bëjnë progres edhe në kuadër të dialogut, respektivisht në kuadër të liberalizimit të vizave”, ka theksuar Shasha.

Këtë ndërlidhje deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, e quajti të mërkurën si të padrejtë.

“Tash, përtej ndërlidhjes politike të liberalizimit nga ana e BE-së, që është plotësisht e padrejtë, rikthimi i nivelit të dialogut tek targat nga ana e Qeverisë po i sjell vetëm dëme vendit. Sikur të dëgjohej në fillim SHBA-ja për shtyrje të afatit për targat për 10 muaj, sot gjendja do të ishte ndryshe”, ka theksuar Deliu.

Vendimi që ishte planifikuar të votohej të mërkurën e parashihte hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën paralelisht me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, porse jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Diskutimi i ri lidhur me çështjen në nivelin e ambasadorëve të BE-së është paraparë që të mbahet më 30 nëntor.