LAJMET E MBRËMJES

Vuçiqi ankohet se Kurti e Gjukanoviqi po bëjnë thashetheme kundër Serbisë

“Shikoni çfarë po bëjnë Albin Kurti e Gjukanoviqi. Po e shfrytëzojnë rastin. Puna e vetme është që të bëjnë thashetheme për Serbinë, të thonë se Vuçiqi është Putini i vogël, ashtu që ta ngarkojnë gjithë Perëndimin mbi supet e Serbisë. Serbia nuk flet kurrë për ata, e ata duan që ta ndalojnë rritjen ekonomike të Serbisë. Si gazeta ‘Guardian’, asgjë nuk bën tjetër, vetëm gënjen”, ka thënë Aleksandar Vuçiqi për “TV Prva”, të dielën

Prishtinë, 27 mars - Përveç akuzave për tentim të destabilizimit të situatës me anë të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka akuzuar të dielën kryeministrin Albin Kurti se po bën edhe thashetheme kundër shtetit të tij.

Në një intervistë për televizionin serb “TV Prva”, ai ka thënë se Kurti, bashkë me presidentin malazias, Millo Gjukanoviq, po merren me thashetheme kur thonë se Vuçiqi është “një Putin i vogël”.

“Shikoni çfarë po bëjnë Albin Kurti e Gjukanoviqi. Po e shfrytëzojnë rastin. Puna e vetme është që të bëjnë thashetheme për Serbinë, të thonë se Vuçiqi është Putini i vogël, ashtu që ta ngarkojnë gjithë Perëndimin mbi supet e Serbisë. Serbia nuk flet kurrë për ata, e ata duan që ta ndalojnë rritjen ekonomike të Serbisë. Si gazeta ‘Guardian’, asgjë nuk bën tjetër, vetëm gënjen”, ka thënë Vuçiqi.

Ai vlerësoi se ndalesa e Qeverisë Kurti për moslejim të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është tentim për ta destabilizuar rajonin dhe se me këtë është menduar edhe t’i mohohen mbi 50 mijë votat e serbëve të Kosovës, për edhe një mandat si president.

Por siç ka thënë ai, më e rëndësishme është “jeta e serbëve sesa votat e tyre për të”.

Zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe një pjesë lokale në Serbi do të mbahen më 3 prill. Serbëve të Kosovës u është mundësuar të votojnë në katër qytete të Serbisë.

Vuçiqi gjatë intervistës tha se e ka pritur me shqetësim deklaratën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, se lufta në Ukrainë do të zgjasë. Shtoi se Bideni nuk jep deklarata pa i menduar mirë.

“Gjithçka më shqetëson. Më e rëndësishme për ne është të kujdesemi për veten. Unë e njoh Bidenin si një njeri shumë të kujdesshëm që përgatit çdo gjë. Në bisedën tonë të parë e kuptova se ai ka një ekip që e përgatit jashtëzakonisht dhe nëse thotë diçka, atëherë nuk e thotë rastësisht”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiqi ka folur edhe për deklaratën e publikuar nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Lajçaku e kishte falënderuar Bislimin për takimin në Bruksel të premten, ndërsa kishte thënë se diskutimet për tema të rëndësishme të dialogut nuk ishin të lehta.

“E vlerësoj qasjen konstruktive dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhje”, kishte shkruar Lajçaku në Twitter.

Vuçiqi tha se kjo është paturpësi.

“Po flasim për një deklaratë ku nuk jemi pajtuar për ndonjë gjë, as për Asociacion e as për votim”, ka thënë Vuçiqi.

Vendimi për të mos e lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë pa respektimin e kushtetutshmërisë së shtetit të Kosovës kishte nxitur reagime të ashpra. Për këtë arsye, të premten ka pasur protesta në veri të Mitrovicës dhe në disa komuna të tjera me shumicë serbe, si në Graçanicë e në Shtërpcë.

Në protesta u shpreh edhe kundërshtimi ndaj suspendimit të gjyqtares serbe të Mitrovicës, që mori pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të thirrur nga Vuçiqi.

Në ditën e protestave, Vuçiqi, në një intervistë për “Euronews”, përsëriti se është “Kurti ai që ka përmbysur marrëveshjen e Brukselit”.

“Ne do të shohim se si do të zhvillohet më tej, si do të shkatërrohet më tej, ose dikush do të përpiqet ta ngjitë në një farë mënyre”, ka deklaruar ai, duke thënë se për nëntë vjet me vështirësi i kanë mbajtur serbët në institucionet e Kosovës. “Për nëntë vjet kemi arritur të ruajmë pothuajse të njëjtin numër të serbëve që kemi pasur në vitin 2013, gjë që është tmerrësisht e vështirë dhe në të njëjtën kohë nuk kemi humbur asnjë nga interesat tona jetike kombëtare. Unë mendoj se Beogradi ishte më i drejti në marrëveshjen e Brukselit, nëse më duhet të them kështu”.

E në kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Vuçiqit për shkelje të marrëveshjes, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në Kosovë nuk ndodh që gjyqtarët dhe prokurorët të pezullohen e as të largohen nga Qeveria, ashtu siç mund të ndodhë në Serbi.

“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo nuk ndodh në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviq. Ne jemi shteti më demokratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, plotësisht të lidhur me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti, të premten mbrëma.

Sistemi i drejtësisë në veri është ngritur mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, e datës 19 prill 2013.

Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihet “vendosja e një sistemi unitar të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, si dhe shuarja e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë”.

Ajo mundëson që gjyqtarët dhe prokurorët serbë, të cilët më herët kanë punuar në këto struktura paralele, të integrohen dhe të funksionojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës. Marrëveshja ka paraparë themelimin e një Gjykate Themelore dhe një Zyre të Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, në përputhje me ligjet e Kosovës, që do të mbulonin shtatë komuna si: Vushtrrinë, Skenderajn, Mitrovicën e jugut, Mitrovicën e veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin-Potokun.

Marrëveshja parasheh që njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të përbëhet nga 5 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 2 gjyqtarë shqiptarë, kurse departamenti për krime serioze për tërë rajonin e Mitrovicës, të përbëhet nga 4 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 4 gjyqtarë shqiptarë. Kryetar i Gjykatës Themelore do të jetë një serb i Kosovës nga Mitrovica, kurse kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Themelore do të jetë shqiptar.

Në shkurt të vitit 2017, ministrja e atëhershme për dialog, Edita Tahiri, gjatë pjesëmarrjes në dëgjimin publik në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi dhe proceset e zbatimit, të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, e vlerësoi atë si “një nga marrëveshjet më të rëndësishme të arritura në dialogun e Brukselit”, e që sipas saj “parasheh konsolidimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit”.