Gjykata Themelore ka refuzuar të mërkurën kërkesën për masën e sigurisë ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Përfaqësuesi ligjor i nismës “Asnjë cent më shumë”, Ardian Bajraktari, i cili e ka bërë padinë bashkë me kërkesën për masë të sigurisë, ka bërë të ditur se tashmë e ka apeluar vendimin e shkallës së parë
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind, duke nisur nga 1 maji, do të mbetet në fuqi.
Kjo pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën për masën e sigurisë të parashtruar bashkë me padinë e nismës “Asnjë cent më shumë”, kundrejt vendimit.
Në aktvendimin e Themelores thuhet se “propozuesit e masës së sigurimit nuk kanë ofruar ndonjë dokument zyrtar apo hulumtim të pavarur dhe profesional nga ndonjë institucion kredibil, që do të argumentonte në mënyrë konkrete mundësinë e shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesve të masës”.
“Tabela e paraqitur e lëshuar nga subjekti “Mineral” LLC, gjykata vlerëson se nuk përbën dokument i cili e provon mundësinë e shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe vështirë të riparueshëm për propozuesit e masës së sigurimit”, thuhet në aktvendim.
Gjykata ka vlerësuar se parashtruesit e kërkesës për masën e sigurisë nuk e kanë arritur argumentimin e plotësimit të kushtit për cenim të interesit publik.
“Gjykata vë theksin se të njëjtit, pra propozuesit, vetëm e kanë përmendur se masa e sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik, pa qenë në gjendje të elaborojnë më tutje këtë pretendim dhe atë se çfarë përfaqëson interesi publik në këtë rast dhe nëse ky interes cenohet rëndë me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit”, thuhet në aktvendimin e Themelores.
E konstatimet e gjykatës Ardian Bajraktari, i cili është përfaqësues ligjor i grupit “Asnjë cent më shumë, i ka kualifikuar të paqëndrueshme, teksa ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Apel.
“Që nga marrja e vendimit e kam analizuar të njëjtin dhe kam përgatitur ankesën, të cilën sot do ta dorëzojmë, përmes së cilës vlerësojmë se konstatimet në aktvendim janë të paqëndrueshme ngase në bindjen tonë kërkesa që duhet me u plotësua në rastin konkret janë të bazuara për faktin se siç dihet tashmë efektet e dëmshme dhe zinxhirore vetëm kanë filluar të vërehen tek qytetarët”, ka theksuar Bajraktari.
Ai është shprehur optimist se shkalla e dytë do të vendosë në favor të pezullimit të vendimit të ZRRE-së, pasi që ka vlerësuar se mosaprivimi i kësaj mase rrezikon të prodhojë pasoja të gjera sociale dhe ekonomike për vendin.
“Në bindjen tonë procesi është karakterizuar me një varg shkeljesh, të cilat në padinë prej 13 faqesh, i kemi argumentuar para gjykatës… Ne çka mund të garantojmë është se do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat që i garanton legjislacioni në fuqi në vendosjen e drejtë të kësaj çështjeje, për çka natyrisht se jemi të bindur se ZRRE-ja, me rastin e marrjes së këtij vendimi, ka bërë shkelje ligjore”, ka thënë ai.
Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës ka hyrë në fuqi nga 1 maji, ndonëse është kundërshtuar nga qytetarët me anë të protestave.
Padia është dorëzuar pas publikimit të vendimit nga ana e ZRRE-së. Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, Avokati i Popullit i ka kërkuar ZRRE-së që atë ta pezullojë deri në shqyrtimin e të gjitha ankesave që i ka pranuar nga qytetarët lidhur me këtë çështje.
Por në ZRRE kanë thënë se, sipas ligjit për rregullatorin, vendimet e bordit të këtij institucioni kanë efekte të menjëhershme dhe nuk i nënshtrohen rishkimit, pezullimit apo vetos nga asnjë organ tjetër publik, përveçse mund të jenë subjekt i shqyrtimit gjyqësor.