LAJMET E MBRËMJES

Punëtorë të KOSTT-it kërkojnë rritje pagash, në të kundërtën paralajmërojnë greva

Punëtorë të KOSTT-it kanë paralajmëruar grevë, në rast se nuk u plotësohen kërkesat për rritje të pagave dhe për kushte më të mira pune. Kërkesat ata i kanë adresuar gjatë protestës, të cilën e kanë realizuar para selisë së institucionit ku punojnë

Dhjetëra punëtorë të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) kanë protestuar të premten për rritje pagash dhe për kushte më të mira pune.

Arben Pllana, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të KOSTT-it, ka thënë se duhet të plotësohen kërkesat, pasi që rreziku në punë është i madh dhe duhet të paguhet.

“Kemi kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në bazë të ligjit. Kemi hasur në heshtje të neglizhuar. Rreziku ekziston dhe duhet të paguhet. Kërkesa e tretë, kompensimi ynë jashtë orarit”, ka thënë ai gjatë protestës së mbajtur para objektit të KOSTT-it në Prishtinë.

Pllana ka thënë, po ashtu që në rast se nuk ka reflektim, atëherë, brenda një jave do të mbahen greva dhe protesta të tjera.

E, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nexhat Llumnica, i ka bërë thirrje Bordit të KOSTT-it që të bisedojë me sindikalistët për përmirësimin e mirëqenies së tyre.

“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që t’i ruajmë këto kuadro brenda sistemit energjetik. Jeni aseti kryesor i kësaj kompanie. Pa juve nuk mund të ketë energji. I bëjmë thirrje bordit të KOSTT-it të bisedojnë me sindikatën dhe të negociojnë për ngritje të mirëqenies. E dinë që inflacioni ekziston. Ne do të vazhdojmë me protestë e grevë deri në realizimin e kërkesave që i kemi”, ka theksuar Llumnica.

Punëtorët kanë kërkuar nga menaxhmenti që të shqyrtohet me urgjencë mundësia për përmirësimin e kushteve të punës dhe për rritjen e pagave.