Pas caktimit të masës së ndalimit për 48 orë, Prokuroria Speciale ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për Igor Popoviqin me dyshimin se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u arrestua të premten, pasi në një fshat të Rahovecit e quajti UÇK-në organizatë terroriste
Prokuroria Speciale e Kosovës ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit prej 30 ditësh për ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka njoftuar të shtunën zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta.
Popoviq u arrestua të premten në pikëkalimin kufitar në Bërnjak me dyshimin se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Po të premten, Popoviqi gjatë një fjalimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit, e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë terroriste.
Për arrestimin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të shtunën para mediave, tha se Popoviq do të përballet me drejtësinë, e Policia njoftoi se në cilësi të provave materiale ia ka sekuestruar dy telefona celularë.
Për cilësimin që i bëri UÇK-së, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal. Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri. Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.
E në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se për këtë ndalim është njoftuar Brukseli zyrtar.
“Me urdhër të Albin Kurtit, ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën, Igor Popoviq, u arrestua mbrëmë në Kosovë, përgjegjës për çështjet ligjore, i cili mori pjesë sot në Rahovec në përkujtimin e përvjetorit të vuajtjeve të serbëve në rajonin e Rahovecit në duart e UÇK-së kriminale. Në të njëjtën kohë, Kurti dëshiron të provokojë një krizë të re në terren dhe t'u dërgojë një mesazh serbëve se nuk ka paqe apo drejtësi për ta. Drejtori i Zyrës për Kosovën menjëherë informoi Brukselin për arrestimin e bashkëpunëtorit të tij dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm, si dhe mbrojtje për misionet që veprojnë në territorin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Gjatë fjalimit që mbajti në Hoçë të Madhe të Rahovecit, Igor Popoviq, po ashtu akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për siç tha, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.