Janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt, që akuzohet për krime lufte gjatë masakrës së Izbicës. Tek ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarin, në Prokurori kanë thënë se Alidemaj iu bashkua vullnetarisht forcave ushtarake serbe, duke marrë pjesë në veprimet që përfshijnë vrasjet, plaçkitjet e dëbimet. E këto akuza i ka mohuar i akuzuari Alidemaj, mbrojtja e të cilit ka kërkuar aktgjykim lirues
Dënim maksimal, sipas ligjit, ka kërkuar Prokuroria Speciale në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë masakrës së Izbicës.
Në fjalën përfundimtare, të mërkurën në Prishtinë, prokurori special Ilir Morina ka thënë se Alidemaj ka marrë pjesë vullnetarisht, bashkë me pjesëtarë të forcave serbe, në vrasjen e 130 civilëve shqiptarë gjatë masakrës së marsit të 1999-s.
“Më 28 mars 1999, u ekzekutuan 138 civilë shqiptarë e 140 viktima u identifikuan, 12 persona i mbijetuan ekzekutimit. Gra e fëmijë u dëbuan drejt Shqipërisë, shtëpitë e fshatit u dogjën sistematikisht. Pamjet filmike, listat e viktimave e dëshmitë e të mbijetuarve e bëjnë këtë ngjarje të pakontestueshme”, ka thënë Morina.
Sipas tij, provat në këtë çështje janë të shumta, të qëndrueshme dhe bindëse.
“Drejtësia për viktimat e Izbicës nuk është vetëm çështje ligjore, por detyrim moral dhe historik”, ka thënë ai.
Prokurori Morina ka thënë se Alidemaj, si banor lokal, e ka njohur terrenin në Izbicë dhe ka qenë i njohur për afërsinë dhe bashkëpunimin me forcat serbe.
Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit ka kërkuar edhe avokati i viktimave, Veton Rudaku.
“Kemi ardhur në përfundim se i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale në masakrën e Izbicës. Dëshmitarët identifikuan dhe i bën me gisht si person që e kishin parë në fshatin Izbicë duke u paraprirë forcave ushtarake serbe. I akuzuari në asnjë rast nuk shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë”, ka thënë Rudaku.
E lirimin e të akuzuarit e kanë kërkuar avokatët e tij, Millosh Deleviq e Dejan Vasiq, teksa kanë thënë se asnjë dëshmitar nuk ka thënë që klienti i tyre ka vrarë, ka plaçkitur apo ka larguar banorët.
Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe vetë i akuzuari Alidemaj.
“I mbështes deklarimet e avokatëve. Jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Alidemaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur Alidemajn fajtor më 12 korrik 2024 dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Në aktgjykimin e shkallës së dytë thuhet se në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare që nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.