LAJMET E MBRËMJES

Policia inicion rast penal pas kërcënimit ndaj presidentes Osmani

Policia e Kosovës ka nisur hetime penale pas një kërcënimi me jetë të adresuar ndaj presidentes Vjosa Osmani përmes një emaili anonim. Sipas deklaratës zyrtare, rasti i është referuar Prokurorisë së Shtetit dhe është hapur një procedurë. Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se ky nuk është një incident i izoluar, duke akuzuar se institucionet e drejtësisë kanë dështuar të veprojnë ndaj kërcënimeve të mëparshme.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar rast penal pas kërcënimit me jetë, që Vjosa Osmani ka marrë përmes një emaili anonim të dërguar në adresën e Presidencës.

Mbrëmë është bërë e ditur se në emailin zyrtar të Presidencës, një llogari e quajtur “Rrap Tap” e ka kërcënuar me jetë presidenten.

“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe është iniciuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë të martën.

Ka reaguar edhe zotëria i parë i Kosovës, Prindon Sadriu.

Ai ka shkruar në rrjetet sociale se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme, të qarta dhe specifike.

Sadriu ka shtuar se, përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë, ku dhuna perceptohet si e justifikuar.

Ndërsa këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, kritikoi institucionet e drejtësisë për mosveprim.

Ai ka thënë se janë bërë dhjetëra kërcënime, madje në shumë raste me emër e mbiemër, por s'ka pasur masa.

“Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë… Përkundër dhjetëra kërcënimeve - shumica prej tyre kërcënime me jetë - asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”, tha Kupina.

Kupina ka thënë se, sipas asaj që i është komunikuar nga institucionet e sigurisë, rastet e kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj presidentes dhe familjes së saj janë të vetmet në historikun e institucioneve ku askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.

Ai ka vlerësuar se mungesa e reagimit institucional ndaj këtyre kërcënimeve krijon një precedent të rrezikshëm, pasi, sipas tij, kjo qasje jo vetëm që nuk i ndalon aktet e tilla, por i inkurajon ato.

Kupina ka vlerësuar se një klimë e tillë mund të çojë në shtim të nxitjes së dhunës, thirrjeve për eliminim fizik dhe mosrespektimit të rendit kushtetues.