LAJMET E MBRËMJES

Osmani bën thirrje për unitet përballë Serbisë, bojkotohet nga dy parti opozitare

Në adresimin vjetor para Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani kërkoi unitet politik në raport me Serbinë dhe koordinim të qëndrimeve me Shqipërinë. Ajo para deputetëve e vlerësoi të vështirë procesin e dialogut teksa tha se draftstatuti i BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet t’i nënshtrohet gjykimit të Gjykatës Kushtetuese

Adresimi vjetor i presidentes Vjosa Osmani në Kuvend u bë shkak që deputetë të partisë në pushtet dhe anëtarët e kabinetit qeveritar të ishin të shumtë në numër, në seancë.

Në fjalim 26-minutësh, që nisi me vonesë dhe me çështjen e sulmit të fundit në Banjskë, presidentja adresoi thirrje për unitet politik, veçmas në raport me Serbinë.

“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t’i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, tha Osmani.

E tek e adresoi këtë thirrje, deputetët të dy partive opozitare, PDK e AAK, nuk ndodheshin në seancë, të cilën e nuk morën pjesë me arsyetimin se ajo nuk ka luajtur rol unifikues.

Krahas spektrit politik, Osmani kërkoi unitet edhe mes Kosovës e Shqipërisë.

“Shqipëria është zëri ynë aty ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm si shtet simotër, por edhe aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara”, deklaroi ajo.

Tek foli për obligimet nga dialogu me Serbinë, Osmani theksoi para deputetëve se vlerësimin për draftstatutin e propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet ta japë Gjykata Kushtetuese.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t’i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, tha presidentja.

Ajo lavdëroi punën e bërë në diplomaci, tek tha se janë rikonfirmuar njohjet e mëhershme të shtetësisë së Kosovës, karshi pretendimeve të Serbisë për çnjohje.

Pas përfundimit të fjalimit, Osmani u duartrokit nga ish-bashkëpartiakët porse ata nuk u ngritën në këmbë, siç bënë deputetët e pushtetit dhe qeveritarët, që më pas bënë edhe fotografi me të.