LAJMET E MBRËMJES

Nis hetimi pas paralajmërimit për t’i shtrenjtuar 20 produkte

Rritja e paralajmëruar e çmimeve për mbi 20 produkte bazë ka aktivizuar Autoritetin e Konkurrencës për ta nisur monitorimin në treg. Ky Autoritet bëri të ditur se punën e nisi me furrat dhe me kafenetë që i kanë shtrenjtuar produktet e tyre. E njohës të fushës e vlerësuan të ndaluar veprimin e bizneseve për rritje uniforme të çmimeve

Paralajmërimi për shtrenjtimin e mbi 20 produkteve bazë ka aktivizuar Autoritetin e Konkurrencës për të bërë monitorim në treg.

Në këtë Autoritet paralajmëruan se, pas monitorimit, do të ndërmerren veprime në rastet ku evidentohet se çmimet janë përcaktuar në mënyrë të bashkërenduar apo artificiale nga ndërmarrje konkurrente.

E monitorimet janë nisur me furrat dhe me kafenetë.

“Ka filluar monitorimi i tregut të bukës dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën. Në të njëjtën kohë sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim”, është bërë e ditur në njoftimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Nëpër disa furra çmimi i bukës ditëve të fundit është rritur deri në 80 centë si rrjedhojë e shtrenjtimit të rrymës për 16.1 për qind nga 1 maji. Ka nisur edhe shtrenjtimi i kafesë nëpër lokale të gastronomisë. 
E Blendi Hasaj, drejtor në Institutin GAP, vlerësoi se është i ndaluar veprimi i bizneseve për rritje uniforme të çmimeve.

“Tregun në të cilin operon Kosova është treg i lirë dhe bizneset kanë të drejtë t’i vendosin çmimet e tyre. Ajo çka nuk është e drejtë është që, të themi, në formë uniforme të gjitha bizneset për të njëjtën ditë t’i rrisin çmimet, të them nga 50 cent në 80 cent dhe për këtë do të duhej të intervenonte edhe Autoriteti i Konkurrencës që t’i monitoronte, sepse si praktikë që bizneset në mënyrë të koordinuar t’i rrisin çmimet nga një datë ajo është e ndaluar në treg dhe nuk lejohet”, ka thënë Hasaj.

Sipas tij, rritja e tarifave të energjisë elektrike duhet të reflektohet në masë më të vogël në çmimet e produkteve të tjera.

“Të themi që një rritje në tarifat e energjisë eklektike të reflektohet po aq edhe me rritjen e çmimeve të konsumit, pasi që për shumë ndërmarrje, për shumë kompani çmimi i energjisë elektrike nuk paraqet një kosto të lartë si përqindje e kostove operative veçmas për këto bizneset sikurse supermarketet dhe dyqanet e tjera nuk e kalojnë mbi 7 ose 8 për qind të shpenzimeve operative që i kanë”, ka thënë Hasaj.

Paralajmërime për rritje të mëtejshme të çmimeve janë bërë edhe për muajin maj, kur do të hyjë në fuqi vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.