Një nga motivet që është përmendur për organizimin e vrasjes së bashkëshortes nga Naim Murseli, është përfitimi nga sigurimi jetësor që kishte ajo në Zvicër. E, të hënën, prokurorja Javorka Perlinçeviq bëri të ditur se borxhi që kishte i dyshuari për vrasjen e Liridona Ademajt është 475,968,77 euro
Fotografi, video incizime e raporte informuese për transaksione bankare ka propozuar Prokuroria, për t’u administruar si prova në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-ës.
Në seancën e së hënës prokurorja Javorka Perlinçeviq, si provë për administrim propozoi edhe kontaktet në Ëhatssap mes të pandehurve Murseli e Plava, ku aty ishte përmendur edhe i akuzuari Kokalla.
“I pandehuri Naim Murseli i ka dërguar një mesazh Granit Plavës me një mesazh siç është ‘shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë Kuça (Kushtrimi) për paradite’. Pas kësaj ndërmjet të të pandehurve, ka vazhduar edhe thirrja me telefon dhe thirrja e fundit e cila është shkëmbyer ndërmjet të të pandehurit Naim dhe Granit ka ndodhur ndërmjet rrjetit social ËhatsApp më 29.11.2023 në 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Dhe duke shikuar videon-incizimet të cilat janë marrë, kjo është koha kur të dytë Naimi nga njëra anë me familjen dhe Granit Plava nga ana tjetër kanë qenë në restorantin Etnokuqa në Graçanicë”, ka thënë prokurorja.
Liridona Ademaj u vra pikërisht më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë, dhe rrugës për në shtëpi, pas qëndrimit në restorantin për të cilin ka folur prokurorja. Fillimisht u raportua për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim i Murselit, bashkëshortit të viktimës.
Prokurorja ka kërkuar që të administrohet si provë edhe borxhi afro gjysmë milioni euro, që kishte i akuzuari Murseli.
“Borxhi prej 369.968.77euro ka qenë dhe gjatë dëshmisë së vetë të pandehurit, informata të cilat ua ka dhënë hetuesve policorë, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizikë në vlerë prej 106 mijë euro, që do të thotë se vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurit, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiare ka qenë 475,968,77 euro”, ka thënë prokurorja Perlinçeviq.
Një nga motivet që është përmendur për organizimin e vrasjes së bashkëshortes nga Murseli, është përfitimi nga sigurimi jetësor që kishte ajo në Zvicer.
Seanca e këtij shqyrtimi gjyqësor u ndërpre për shkak se Prokuroria njoftoi se do të ndajë sekuencat kryesore të video-incizimit, që përfshin edhe pamjet para shtëpisë të së akuzuarit, Naim Murseli.
Por paraprakisht në sesionin e paradites, në sallën e gjykimit mungoi babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, i cili në këtë proces gjyqësor është në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë.
Për të, u propozua e u mor vendim që të lexohet deklarata e dhënë më 6 dhjetor të 2023-ës.
Në deklaratën e tij të cilën e lexoi gjyqtarja Fatime Dërmaku, babai i të akuzuarit Murseli kishte treguar se si kishte marrë vesh për vrasjen e Liridonës.
“Më ka thirr djali i dytë Mërgimi e më pyeti ‘babë a ke fol me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm. E kam thirr bashkëshorten time dhe e kam pyetur se çka ka ndodhë dhe i kam treguar, pastaj pas një kohe jemi takuar së bashku me bashkëshorten Sanijen, vëllain Asllanin dhe me bashkëshorten e tij Fatmiren, djalin Mërgimin ditën më 1.12.2023 në veturë ku kemi udhëtuar për Kosovë diku 40 orë dhe kemi arritur më 3.12.203 në orët e mëngjesit te Naimi ku kemi biseduar shumë gjatë me gjithë familjen”, thuhet në deklaratën e Shaban Murselit.
Në deklaratën e tij, Murseli kishte thënë se nuk ka dyshime rreth motivit që e shtynë djalin e tij Naimin në kryerjen e kësaj vepre penale.