LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Do të punojmë me SHBA-në drejt normalizimit të raporteve me Serbinë

Trysni më e madhe nga ndërkombëtarët duhet t’i bëhet Beogradit zyrtar drejt arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë të martën kryeministri Albin Kurti.

Ai në një takim të mbajtur me kryetarë të komunave ka theksuar se për normalizimin e marrëdhënieve nevojitet marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke dhe se për këtë po insistohet edhe te Bashkimi Evropian dhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë e edhe aleatët tanë, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale. Pra, ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, tha Kurti.

I pyetur nëse shtimi i vizitave të ndërkombëtarëve përbën një tregues se procesi i dialogut Kosovë-Serbi ndodhet në fazën finale, Kurti nuk ka kthyer përgjigje.

Por lidhur me vizitën e paralajmëruar për të mërkurën të këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ai ka thënë se ndodh në një moment të rëndësishëm, kur po afrohet njëvjetori i pushtimit rus në Ukrainë.

E rreth planit franko-gjerman ai ka përsëritur se është dokument me bazë të mirë për diskutim.

“Plani i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në Beograd më 27 tetor të vitit 2022, konkluzion unanim i refuzimit të këtij propozimi që u bë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, i cili ka qenë përndryshe zëdhënësi i partisë së Milosheviqit. Pra, ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të gjithë të merren me ta, ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutim”, tha Kurti.

Propozimi franko-gjerman që u është dorëzuar palëve në fund të verës nuk e përmend njohjen reciproke, por shërben si platformë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Në drejtim të dinamizimit të dialogut, gjatë janarit janë paralajmëruar vizitat në Kosovë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe të atij amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet që gjatë vizitave të shoqërohen edhe nga dy këshilltarët francezë e gjermanë, Jannes Plettner dhe Emmanuel Beaune.