LAJMET E MBRËMJES

Kurti-deputetëve: Ndërkombëtarët e prezantuan planin evropian në formatin “merre ose leje”

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në një debat parlamentar të thirrur nga PDK-ja për dialogun me Serbinë, të hënën kryeministri Kurti ka dhënë sqarime për planin franko-gjerman. Ka thënë se është bazë e mirë për bisedime, por tregoi se ai iu ofrua në formatin “mere ose leje”. Debati u karakterizua me kritika të opozitarëve për Kurtin e deri tek ankesa e tij për ndërprerje të fjalës nga ta.

Karakteristikat e propozimit evropian e arsyet pse e ka konsideruar atë si bazë të mirë, kryeministri Albin Kurti për herë të parë i shpalosi të hënën.

Kurti në mesin e karakteristikave që përmendi ishte se propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes së dy Gjermanive, se përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës e se marrëveshjet e arritura deri më tani duhej të zbatoheshin.

“E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje monoetnike, atë territoriale dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e listës serbe që kontrollohet nga Beogradi”, ka theksuar Kurti.

Propozimi përfshiu komentet e Qeverisë së Kosovës, por në janar, sipas kryeministrit Kurtit, ai iu ofrua në formatin “mere ose leje” derisa iu bënë të ditur edhe masat ndëshkuese nëse nuk do ta pranojë.

“Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve prej nga vinë emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, është shprehur Kurti.

Ndaj qëndrimeve të Kurtit reaguan deputetët e opozitës, të cilët e kritikuan për mostransparencë e ndryshim të qëndrimeve.


“Kush ia ka dhënë mandatin Kurtit të flasë për marrëveshje me Serbinë pa e përfshirë njohjen e ndërsjellë. Marrëveshja nuk është as finale e as kontraktuale, me kaq sa e dëgjova deri më tash kryeministrin Kurti. Qeveria e ka sjellë një situatë politike pas veprimeve të gabuara në Veri, ku Asociacioni kërkohet para marrëveshjes finale dhe pa njohje”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se s’mund të pranohet si bazë e mirë diçka që është merre ose leje.

“Nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose leje ose është bazë përfundimtare ose është bazë fillestare. Dhe e dyta, mospërputhja më e madhe është në mes të refuzimit që provon t’ia bëjë Asociacionit dhe pranimit brenda draftit që na elaboroi e që nuk e kemi parë asnjëri nga ne, të respektimit të marrëveshjeve paraprake”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur pro planit evropian.

“Nuk besoj që është dikush në këtë sallë që nuk e ka marrë atë konfirmim që i ka interesuar tema, që menjëherë me këtë marrëveshje, konfirmim ne kemi prej atyre që nuk japin fjalë që nuk e kanë njet për t’i mbajtur, prej Amerikës, prej amerikanëve, e kemi konfirmimin që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s, që është një proces deri te ftesa për anëtarësim”, ka theksuar Haradinaj.

Përgjigjja e kryeministrit Albin Kurti pas qëndrimeve të opozitës nxiti reagimin e deputetëve opozitarë e disa herë ndërprenë fjalën e kreut të Qeverisë, gjë që nxiti debat mes tyre.

“Deputeti Gashi.. është shumë vështirë të flasësh se është shumë vështirë të flasë. Këtu. Për mua deputeti Gashi vazhdon të mbetet e pabesueshme se sa e pafundme është papjekuria juaj, andaj mos më ndërprisni”, është shprehur Kurti.

Atij i ka reaguar deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

“Po ta them edhe publikisht atë që ta thash që nuk e ka niu naj kush. U zbehe, u sarakuqe., u çrregullove, e humbe kohën vetëm për një fjalë. Dobët kryeministër”, ka deklaruar Gashi.

Kurti e ka akuzuar Gashin për ndërhyrje. “Unë nuk e dëgjoj deputetin Gashi teksa më ndërhyn , prapë më ndërhyri. Unë nuk e dëgjoj, por me të vërtetë kur po bëhen 7-8 ndërhyrje dhe nuk është cili deputet, është shef i Grupit Parlamentar. LDK-ja shef e ka, këqyrni çfarë shefi ka”, ka theksuar Kurti.

Debati më shumë se 3-orësh u ndërpre nga kërkesa për pauzë nga opozitarët, pas largimit të kryeministrit Albin Kurti nga salla e Kuvendit.

Në fund të këtij debati, pritet të ketë një dakordim mes grupeve parlamentare për një rezolutë të përbashkët.