Mbi 546 mijë euro ua ka ndaluar KQZ-ja partive politike nga Fondi i mbështetjes, në emër të gjobave të papaguara që Paneli për Ankesa e Parashtresa ua shqiptoi për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore. Më së shumti borxhe i figurojnë LVV-së, pasuar nga PDK-ja, AAK-ja e LDK-ja. E në Sekretariatin e KQZ-së thanë se partitë me borxhe nuk do të mund të certifikohen për zgjedhjet e ardhshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike ta ndalë shumën prej 546 mijë eurosh, e cila përkon me totalin e borxhit që partitë ia kanë Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP), për gjobat e shqiptuara gjatë fushatës zgjedhore.
Bazuar në vendimin e marrë, mjetet e ndaluara do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it, teksa pagesa e borxhit do të ekzekutohet me tri ndalesa gjatë tremujorit të ardhshëm.
Tek e arsyetoi vendimin, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se ndalesa e mjeteve është në të mirë të tyre.
“Nëse ndodhin zgjedhjet, dhe gjatë procesit të aplikimit për certifikim me patjetër duhet që subjekti politik të mos ketë asnjë gjobë të papaguar, sepse përndryshe nuk mund të certifikohet në raport me zgjedhjet që mbahen”, ka thënë Buzhala.
Nga 11 subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit, detyrime më të mëdha financiare ndaj PZAP-së ka Lëvizja Vetëvendosje me mbi 212 mijë euro, e pasuar nga PDK-ja me më se 144 mijë euro, AAK-ja me mbi 72 mijë euro, LDK-ja afro 72 mijë euro dhe Koalicioni për Familjen me mbi 18 mijë euro.
Anëtarë të KQZ-së propozuan që gjobat të paguhen me këste.
“Ne mund të shkojmë me propozimin me 3 rata apo ndalesa. Nëse zgjedhjet shpallen në një datë më të afërt, atëherë është e natyrshme që subjektet politike informohen se nuk mund të certifikohen pa e kryer gjobën, e cila është edhe e paraparë që t’i kryejë obligimet e tyre. Prandaj kjo është alternativë”, ka thënë Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.
E anëtari nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, shprehu ankesë për mungesë të bashkëpunimit e transparencës nga ana e PZAP-së.
“E kërkoj funksionimin e tyre mbi bazën e ligjit e jo të mbyllen ato seanca të tyre, ku i shqyrtojnë çështjet dhe marrin vendime, përderisa me ligj i kanë të obliguara t’i hapin dhe disa që mund t’i mbajnë të mbyllura, por as nuk ftohesh si palë. Është komplet jashtë ligjit dhe ma kujton sistemin e Jugosllavisë, kur janë mbajtur gjyqe me dyer të mbyllura dhe t’i kanë ndarë 15 vjet”, ka thënë Krasniqi.
Saktësisht 546 mijë e 600 euro është totali i borxhit që partitë ia kanë PZAP-së për 146 gjobat që iu shqiptuan gjatë një muaji fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në mesin e subjekteve që nuk e kanë paguar asnjë pjesë të borxhit janë LVV-ja, PDK-ja, AAK-ja, Koalicioni për Familje, si dhe pesë parti të tjera nga radhët e pakicave.