Kosova ka rënë për 24 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit. Përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës kanë fajësuar Qeverinë për këtë, teksa zyrtarë qeveritarë gishtin e kanë drejtuar kah mediat
Njëzet e katër vende më poshtë sesa një vit më parë është ranguar sivjet Kosova në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit, të cilin e ka publikuar të premten organizata “Reporterët pa Kufij”.
Nga 180 shtete gjithsej, Kosova është renditur e 99-ta, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Serbinë dhe Shqipërinë.
Në raportin e sivjetmë theksohet se liria e medias është kërcënuar nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe nga rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.
“Mediat në Kosovë përpiqen të ruajnë pluralizmin dhe të kërkojnë llogari nga pushteti, por përballen me sfida serioze, si ndërhyrjet politike, sulmet ndaj gazetarëve, diskriminimi etnik dhe mungesa e zbatimit të ligjit. Gazetarët përballen me sulme politike dhe presione të vazhdueshme. Komisioni i Pavarur i Mediave është dobësuar nga reforma ligjore që rrezikon më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të vitit 2025, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila kërcënoi edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK”, është thënë në Raportin për lirinë e medias të “Reporterëve pa Kufij”.
Përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë fajësuar Qeverinë për rënien e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
“AGK-ja e vlerëson këtë renditje si rezultat, reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar, fushatë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr kundër mediave. Klima e tyre është kundër mediave. Gjuha absolutisht frikësuese që ka kulmuar prej muajit nëntor-dhjetor, me afrimin e fushatës, edhe pas saj. Është momenti i fundit të reflektojmë si shoqëri”, ka thënë Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.
E këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, ka përmendur arsyet që kanë kontribuuar që Kosova të renditet në pozitën më të ulët.
“Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun; Radio Televizioni i Kosovës; Ligji për Komisionin e Pavarur për Media; Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve; Moszbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike; Vëzhgimi i gazetarëve; Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet, por nuk ngrenë aktakuza dhe Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”, ka shkruar ajo në Facebook, tek ka kërkuar që urgjentisht të krijohet një komitet kombëtar për liri të medias dhe siguri të gazetarëve, me qëllim që të ndalet trendi i rënies “përmes masave konkrete dhe politikave shtetërore”.
E zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se raporti nuk e pasqyron korrekt situatën.
“Në Kosovë nuk ka pasur, as nuk do të ketë mungesë të lirisë së shtypit. Për këtë është meritore shoqëria. Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të mediave. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i ‘Reporterëve pa Kufij’”, ka thënë Kryeziu.
Të kundërtën ndërkaq e kanë thënë përfaqësues të partive që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.
Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike (PDK), gjatë një konference për media të premten ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila ka qenë në pushtet në katër vjetët e fundit, se po e përdor frikën ndaj zërave kritikë.
“Vetëvendosje ka ndërtuar një regjim linçimi dhe frikësimi. Sulme të koordinuara, të orkestruara, me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale”, ka theksuar ajo.
E deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Armend Zemaj, ka fajësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për sjellje autoritare ndaj mediave.
“Për gati katër vjet, sjelljet autoritare të Albin Kurtit, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij ndaj mediave kanë dëmtuar rëndë kritikën dhe tentuar të fshijnë fjalën e lirë. Gazetarët janë akuzuar për ‘shkaktim të destabilitetit të shtetit’”, ka thënë ai.
Kritikë për qeverisjen e fundit kjo parti ka shprehur edhe nëpërmjet një reagimi në Facebook.
“Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Harainaj, ka theksuar se rënia e lirisë së mediave është pasojë e “frikës, kontrollit dhe arrogancës politike”.
“Një qeveri që ka frikë nga kritika, ka frikë nga populli i vet”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Krahas përfaqësuesve të partive politike, reagime lidhur me gjetjet e “Reporterëve pa Kufij” ka pasur edhe faktori ndërkombëtar.
Në Ambasadën gjermane në Prishtinë kanë thënë se raporti është si një listë e detyrave për Qeverinë e re të Kosovës, “ku qartësisht tregohen hapat që duhet të ndërmerren për të pasur liri të shtypit, që është thelbësor në çdo demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme”.
Në raport, “Reporterë pa Kufij” kanë gjetur se në Kosovë, Sllovaki, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale, për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.
Verën e shkuar, me gjithë kritikat e shumta, Kuvendi e pati miratuar Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili e parasheh licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar këtë ligj, pasi ka gjetur se disa nene të tij nuk janë në përputhje me Kushtetutën. E këtë ligji, “Reporterët pa Kufij” e kanë cilësuar si kundërthënës dhe që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.
Krahas kësaj, “Reporterë pa Kufij” kanë bërë të ditur se gazetarët në Kosovë shpesh janë cak i fyerjeve dhe i lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për 'bashkëpunim me armikun', retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.
Raporti i “Reporterëve pa Kufij” mbulon 180 vende. Nga vendet e rajonit, Shqipëria sivjet është renditur në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur është vlerësuar me pozitën e 99-të.
Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri, ashtu sikurse në Greqi e cila është renditur e 89-a, përshkruhet nga konfliktet e interesit. Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pasuar nga Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnjë-Hercegovina në të 86-tin dhe Serbia në të 96-tin.
Edhe në raportin e vitit të shkuar, Kosova pati shënuar rënie tek ka rrëshqitur në vendin e 75-të, nga 56 sa ka qenë më 2023.
Metodologjia e përdorur për hartimin e Indeksit për Lirinë e Shtypit
Sipas “Reporterëve pa Kufij”, qëllimi i Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit është të krahasojë nivelin e lirisë që e gëzojnë gazetarët dhe mediat në 180 shtete dhe territore. Përkufizimi i lirisë së shtypit i përdorur nga “Reporterët pa Kufij” dhe paneli i ekspertëve për hartimin e këtij indeksi është: “Liria e shtypit përkufizohet si aftësia e gazetarëve, si individë ashtu edhe në mënyrë kolektive, për të përzgjedhur, prodhuar dhe shpërndarë lajme në interes të publikut, në mënyrë të pavarur nga ndërhyrjet politike, ekonomike, ligjore dhe shoqërore, dhe pa kërcënime ndaj sigurisë së tyre fizike dhe mendore”.
Bazuar në këtë përkufizim, pyetësori dhe harta e lirisë së shtypit ndahen në pesë kategori apo tregues të veçantë: konteksti politik, korniza ligjore, konteksti ekonomik, konteksti socio-kulturor dhe siguria.
Indeksi i “Reporterëve pa Kufij” paraqet një pamje të situatës gjatë vitit kalendarik (janar-dhjetor), para publikimit të tij. Megjithëkëtë, sipas kësaj organizate, ai synon që të ofrojë një pasqyrim sa më të saktë të gjendjes në momentin e publikimit. Prandaj, kur situata e lirisë së shtypit ndryshon në mënyrë dramatike në një vend midis fundit të vitit të vlerësuar dhe momentit të publikimit, të dhënat përditësohen për të marrë parasysh ngjarjet më të fundit. Kjo mund të bëhet nëse ka një luftë të re, një grusht shteti, një sulm të madh ndaj gazetarëve ose hyrjen e papritur në fuqi të një politike shtypëse ekstreme.
Burimi: Reporterët pa Kufij