Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se Kosova nuk do të ketë pengesa që të përfitojë nga mjetet financiare të BE-së, të cilat janë të dedikuara për vendet në procesin e zgjerimit edhe në periudhën e ardhshme. “Kur është fjala për Kosovën, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare, siç ka qenë edhe deri me tash. Siç e dini, Kosova është tashmë edhe pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo
Mjetet financiare të Bashkimit Evropian (BE) për procesin e zgjerimit nga viti 2028 do të jenë shumë më të mëdha sesa që janë tash, për t’u përshtatur me progresin e përshpejtuar të vendeve kandidate, ka thënë të enjten komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.
Këtë ajo e ka theksuar tek ka folur për pjesën kushtuar zgjerimit nga korniza shumëvjeçare financiare, e cila të mërkurën është propozuar nga Komisioni Evropian (KE).
Nga të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, vetëm Kosova nuk e ka formalisht statusin e vendit kandidat, për çka edhe ka mbetur jashtë disa nismave në disa institucione të BE-së.
Por, sipas komisionares Kos, Kosova nuk do të ketë pengesa që të përfitojë nga mjetet financiare të BE-së, të cilat janë të dedikuara për vendet në procesin e zgjerimit edhe në periudhën e ardhshme.
“Kur është fjala për Kosovën, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare, siç ka qenë edhe deri më tash. Siç e dini, Kosova është tashmë edhe pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kos.
Ajo e ka përsëritur atë që një ditë më parë e ka thënë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se zgjerimi është identifikuar si prioritet edhe në propozimin e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së, që e përfshin periudhën prej vitit 2028 deri në vitin 2034.
“Zgjerimi nuk e bën Bashkimin Evropian vetëm me sipërfaqe më të madhe dhe me numër banorësh. Por zgjerimi ka të bëjë me unifikimin e Evropës. Duke e rritur mbështetjen për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet e anëtarësimit, ne jemi në rrugën e duhur për ta bashkuar Evropën tonë”, ka thënë Kos të enjten.
Ajo ka përsëritur edhe se përdorimi i mjeteve të BE-së nga vendet e procesit të zgjerimit do të jetë i kushtëzuar nga përmbushja e kushteve dhe ato vende do të gjykohen në bazë të meritave individuale.
Kos ka thënë se për momentin, Mali i Zi dhe Shqipëria janë duke avancuar shumë shpejt, ndërsa pret që këtë rrugë ta ndjekin edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian e ka propozuar një kornizë buxhetore prej 2 trilionë eurosh, prej të cilave 200 miliardë do të jenë në kuadër të programit “Evropa globale”. Kjo përfshin zgjerimin, fqinjësinë, ndihmën humanitare dhe ndihmën zhvillimore të BE-së në botë. Për zgjerimin, nga kjo shumë pritet që të dedikohen 42.6 miliardë euro, shumë kjo që e ngërthen një rritje domethënëse krahasuar me kornizën e tashme financiare, për të cilën janë ndarë 31 miliardë euro. Po ashtu, 100 miliardë euro për ndihmë të veçantë Ukrainës nuk janë pjesë e kësaj pakete.
Pas propozimit të Komisionit Evropian do të pasojnë negociatat me Parlamentin Evropian (PE) dhe me vendet anëtare të BE-së për ta aprovuar këtë propozim. Afati i fundit për ta arritur pajtimin është viti 2027, kur edhe përfundon korniza e tashme financiare.