LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet shtimi i koncepteve të ekonomisë së gjelbër në kurrikulat shkollore

Në konferencën

Shtimi i koncepteve të ekonomisë së gjelbër në kurrikulat shkollore është një nga rekomandimet kryesore i dalë nga konferenca ndërkombëtare arabo-evropiane “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”.

Në përmbyllje të kësaj konference dyditore, të dielën, u rekomandua edhe krijimi i një varg lehtësimesh për instalimin e stacioneve të energjisë diellore.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha, ka thënë se janë duke punuar në ligjin për ndryshime klimatike dhe në strategjinë për dekarbonizim.

“Fillimi i programit të ambasadorëve përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme që të kontribuojmë në fuqizimin e të rinjve për të qenë udhëheqës të ndryshimeve dhe udhëheqës mjedisorë të së ardhmes. Vizioni i kësaj iniciative është forcimi i ndërtimit të një partneriteti efektiv strategjik ndërmjet qeverive dhe OJQ-ve që merren me mjedisin, duke ofruar mbështetje teknike dhe njohuri përmes një procesi i cili mbështet një rrjetëzim në shkëmbim të përvojave”, ka theksuar ajo.

Sekretari i përgjithshëm i Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, Ashraf Abdel Aziz, lexoi rekomandimet nga konferenca ndërkombëtare arabo-evropiane në Kosovë:

“Koordinimi ndërmjet ministrive dhe agjencive që kanë të bëjnë me bujqësinë për të marrë rezultate efektive për trajtimin e ndryshimeve klimatike. Krijimi i një fushate ndërgjegjësimi shëndetësore të mbështetur nga Unioni Arab për zhvillim të qëndrueshëm, për përfundimin e ekzaminimeve mjekësore për qytetarët në nevojë; ndërgjegjësimin dhe shkëmbimin e përvojave mes mjekeve në këtë drejtim. Krijimi i një synimi vjetor në fushën e kërkimit, projekteve dhe nismave mjedisore për projektet më të rëndësishme miqësore në mjedisin, që do të shpallet nga një komision ekspertësh nga të dyja palët”, ka theksuar ai.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Beqir Ismaili, derisa lexoi deklaratën përmbyllëse, tregoi për ecurinë e konferencës, ku tha se palët janë zotuar që të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi mes tyre.

“Në këtë takim palët u dakorduan për ndërmarrjen e disa iniciativave, si iniciativa për transformimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile në energji pa lëndë djegëse, si iniciativë në fushën e shëndetësisë, një iniciativë në fushën e arsimit, një iniciativë për përdorimin optimal të burimeve natyrore dhe iniciativën ambasadorët e natyrës. U ra dakord që ambasadori Beqir Ismaili të jetë kondensator i këtyre iniciativave”, tha ai.

Gjatë konferencës, palët janë pajtuar për disa iniciativa, siç është edhe ajo për transformimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile në energji, iniciativa në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe iniciativa për ambasadorët e natyrës.

Në konferencë është diskutuar për problemet mjedisore dhe bujqësore që rezultojnë me ndryshimet klimatike.

Krahas pjesëmarrjes në konferencë, Unioni Arab pati takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.