Nga 171 projektligje të planifikuara vetëm 71 prej tyre janë miratuar gjatë vitit 2022, thuhet në raportin e publikuar të premten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Po ashtu, sipas këtij raporti, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që t’i miratojë as 30 për qind të koncept-dokumenteve të planifikuara për të njëjtin vit
Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të përmbushë as gjysmën e planit legjislativ për vitin 2022 - nga 171 projektligje të planifikuara, vetëm 71 prej tyre janë miratuar gjatë vitit 2022, thuhet në raportin e publikuar të premten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në raport ndër të tjera, thuhet se edhe në ligjet që janë miratuar nga ekzekutivi ka pasur shkelje të Kushtetutës.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, gjatë prezantimit të gjetjeve ka thënë se në mungesë të planifikimit adekuat, Qeveria ndryshoi dhe plotësoi programin legjislativ nëntë herë.
“Gjatë vitit 2022, Qeveria pati më tepër plan mujor sesa vjetor. Përkundër ndryshimeve të shpeshta, Qeveria gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të miratojë as gjysmën e projektligjeve të planifikuara, duke përmbushur agjendën legjislative vetëm 41.5%, përkatësisht duke miratuar 71 nga 171 projektligjet e planifikuara”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga 71 projektligjet e miratuara - 39 janë miratuar sipas planifikimit, ndërsa 32 projektligje janë miratuar duke mos e respektuar afatin e planifikuar.
“Ndërsa, përkundër faktit se Qeveria ndryshoi plot nëntë herë agjendën legjislative, të cilën e përmbushi vetëm 41.5%, në tri raste ajo e injoroi këtë agjendë, duke miratuar projektligje të paplanifikuara”, ka thënë Jakaj.
Sipas IKD-së, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që t’i miratojë as 30 për qind të koncept-dokumenteve, të planifikuara për miratim në vitin 2022. E në këtë statistikë, del se Ministria e Bujqësisë ka dërguar dhe i janë miratuar më së shumti koncept-dokumente.
“Deri në fund të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka miratuar vetëm 21 nga 71 koncept-dokumente sa kishte planifikuar. Ajo i ka miratuar edhe dy koncept-dokumente jashtë planifikimit, pra në këtë drejtim, Qeveria nuk ka arritur që t’i miratojë as 30 për qind të koncept-dokumenteve të planifikuara për miratim dhe ka miratuar koncept-dokumente të tjera të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, ka thënë Jakaj.
Sipas tij, në gjashtë raste IKD-ja ka gjetur se me rastin e draftimit të këtyre dokumenteve nuk janë respektuar obligimet lidhur me konsultimet publike.
Sa i takon miratimit të këtyre projektligjeve në Kuvendin e Kosovës të cilat janë miratuar në Qeveri, raporti i IKD-së tregon se vetëm 21 për qind e tyre kanë arritur të miratohen në shqyrtim të dytë.
Eranda Zekaj nga IKD ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka respektuar Kushtetutën e Kosovës me rastin e miratimit të disa ligjeve.
“Së pari Qeveria ka miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme. Duhet të theksohet se para se të kalojë ky projektligj në lexim të parë, është dërguar në Komisionin e Venecias për t’u vlerësuar përputhshmëria e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, e ku këtu janë gjetur disa të meta”, ka thënë ajo.
Sipas saj, IKD-ja ka gjetur se ka shkelje edhe në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë i cili në tërësi është në kundërshtim me Kushtetutën edhe e bën të parëndësishëm rolin e këtij institucioni.
Zekaj ka përmendur edhe Ligjin për paga, për të cilin kanë kërkuar nga Avokati i Popullit që ta dërgojë në Kushtetuese, pasi i njëjti sipas IKD-së, cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik dhe nuk ofron trajtim të barabartë.
Për këtë të fundit, tek Avokati i Popullit janë paraqitur 18 ankesa nga sektorët e ndryshëm. Këto ankesa pritet të shqyrtohen brenda një muaji dhe të vendoset nëse do të dërgohet Ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji për paga ka hyrë në fuqi më 5 shkurt, ndërsa një ditë më parë përmes ndryshimeve kushtetuese për buxhetin 2023 është votuar vlera e koeficientit prej 105 eurosh për pagat e punonjësve të sektorit publik. Koeficienti më i ulët është 2, ndërsa më i larti 18.