Kulturë

Xhamia e Plumbit në Shkodër ringjallet si monument unik në botë

Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera

Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera

Xhamia e Plumbit në Shkodër është përuruar të enjten pas restaurimit të plotë të saj. Në ceremoninë në praninë e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay dhe myftiut të Shkodrës, imam Muhamed Sytari, një projekt si ky është cilësuar si ringjallje e njërit prej monumenteve më të çmuara, mbi 250 vjet e vjetër.  

Kryetari Beci citohet të ketë thënë se restaurimi i plotë i Xhamisë së Plumbit është një moment krenarie pasi i kthen dinjitetin këtij objekti kulti unik në të gjithë Ballkanin.

“Keni kthyer në një vlerë një diamant të çmuar të këtij qyteti jo vetëm të historisë, por edhe një vepër arkitekturore për të cilën kemi qenë shumë krenarë. Rikthimi i saj për qytetin është jo vetëm një dhuratë, por edhe një mundësi për t’u vizituar. Kjo është zona historike për të cilën kemi bërë një projekt që do jetë një vlerë e shtuar e hyrjes së Shkodrës”, ka thënë kryebashkiaku i Shkodrës.

Ambasadori Tayyar Kağan Atay në fjalën e tij, jo vetëm që vlerësoi investimin e bërë nga qeveria turke, por edhe restaurimin e plotë të këtij objekti që vjen si bashkëpunim midis Qeverisë së Turqisë dhe asaj të Shqipërisë.

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari ka thënë se “kjo është ëndërr e kahershme”.

“Tashmë Xhamia e Plumbit del nga bataku i përmbytjeve dhe nga merr pamje të re dhe hyn në një erë të re që e mban të lidhur me shpirtin shekullor të saj”, citohet të ketë thënë ai.

Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.

Xhamia, sipas historiografisë, është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit. Ka një ndërthurje të arkitekturës turke me atë arabe dhe kjo dallohet që në hyrje. Hyn në një oborr të brendshëm, i mbuluar me 12 kupola dhe tamburi kryesor që shkon në një lartësi deri në 20 metra. Është xhamia më e lartë në Shqipëri që daton nga periudha osmane.

Në vitin 1948 Xhamia e Plumbit u shpall monument kulture, duke marrë statusin e mbrojtjes nga shteti. Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve. Rivitalizimi i kësaj xhamie unikale në Shkodër përfshiu jo vetëm restaurimin e thellë të saj, por edhe transformimin e hapësirës përreth.