Fjala “bilanc” në kulturë tingëllon e vrazhdë. Ndonjë ironizues me të drejtë do të thoshte “kultura nuk është kooperativë e kohës së monizmit, ku llogaritari në fund të vitit nxjerr bilancet dhe konstaton se planet janë realizuar deri në 120 për qind”. Por kjo fjalë është e pashmangshme në një vend, ku ata që janë të emëruar për t’i udhëhequr politikat kulturore në vend “matjet” kryesore i bëjnë me shifra. Në semantikën e fundvitit në Ministrinë e Kulturës dominojnë shifrat. Realisht, është vazhdim i avazit të vjetër. “Kaq ka pasur buxhetin ky institucion, kaq ai e kaq skena e pavarur...”, prezantohen si mburrje e arritje. Por hesapet e tyre përfundojnë me kaq. E në raste të tilla bilanci real – ai ku shifrat nuk janë kryefjalë – del i zbehtë.
Në një përmbledhje vjetore të asaj që ka ngjarë në kulturë edhe fjala kontrast është e pashmangshme, e përsëritshme tash e sa kohë.
Kjo fjalë del prej përdorimit veç te skena e pavarur kulturore e artistët, që viteve të fundit e çojnë namin e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës. Petrit Halilaj si individ prin në këtë aspekt sa i përket vitit 2023. Si formacion kori “Siparantum” është imponuar si i pashmangshëm, njashtu siç “Arrëthyesi” është histori më vete e krijuar midis Baletit Kombëtar të Kosovës e Filharmonisë së Kosovës. Shpronësimi i lokalitetit arkeologjik të Dresnikut është arritja më e madhe në arkeologji jo veç brenda vitit, por lajmet për djegie të monumenteve qenë kumte që ecnin paralelisht me kapitullin e ri për mozaikët unikë e procesin për shpronësimin e një pjese të lokalitetit më të rëndësishëm arkeologjik, Ulpianës.
Artistët e pakufishëm dhe dështimet madhore
Janari solli lajmin se instalacioni mbi hotelin Grand “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin” është bërë pronë e shtetit, pasi artisti Petrit Halilaj ka vendosur kësisoj. Qysh prej korrikut të 2022-s, kur u hap “Manifesta 14” në Prishtinë, Halilaj sikur e paralajmëroi pikturimin e qiellit. Dhe këtë e bëri në nëntorin e sivjetmë. Pikturoi qiellin e dy kontinenteve amerikane. Ilustrimi i tij me pulë bashkë me mbishkrimin “Nga Runiku me dashni!” është porosia që bart një avion “Boing 737”. Krejt kjo në kuadër të ekspozitës së tij në muzeun “Tamayo” në Mexico City, ku edhe ka mbushur hapësirën me zogjtë e Runikut të Kosovës. Por Halilaj këtë vit ka bërë bujë gjithandej. Akademia e Arteve në Berlin e ka vlerësuar Halilajn si artist që hulumton identitetin kulturor, nocionet e kombësisë dhe të trashëgimisë, si dhe idetë e kujtimeve personale e kolektive dhe ato të lirisë. Institucioni me traditë 327- vjeçare ia ka ndarë Çmimin për Arte Vizuale artistit nga Kosova. Më pas Petrit Halilaj është bërë anëtar i Akademisë së Kölnit.
E luftën e Kosovës bashkë me thirrje për paqe i ka çuar në Gjenevë duke ekspozuar në Muzeun e Kryqit të Kuq atje. Në vendin prej nga vijnë rrëfimet e Halilajt, izolimi qe temë edhe sivjet. Sa i përket artit pamor “Absoluticioni – Dialog në errësirë” e Driton Hajredinit është vepra fituese e edicionit të katërmbëdhjetë të ekspozitës ndërkombëtare, çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Izolimi është në qendër të triptikut të Hajredinit. Shteti që prej ditës së parë të 2024-s s’do të ketë regjim vizash, për herë të dytë pas luftës së fundit ka blerë vepra arti. Në këtë linjë edhe është prezantuar një koncept për muzeun e artit bashkëkohor me synim që të jetë funksional prej 2028-s. Por bazuar në tentimet e gati dy dekadave për këtë projekt dhe dështimin kapital të Ministrisë së Kulturës sa u përket investimeve në projekte kapitale për sivjet, komuniteti nuk është aq optimist.
Jehona botërore, improvizimi vendor
Optimizmi qe i madh në dhjetor të vitit 2022, kur për herë të parë Opera e Kosovës – institucion që funksionon si agjenci pa ansambël të përhershëm profesional – dha shfaqjen “La Traviata” të Verdit. Por më 2023 nuk ia doli të realizojë diçka të përmasave të tilla. Qe planifikuar “Goca e Kaçanikut”, por shkaku i hapësirës u shty. “Lo Speziale” e Joseph Haydn në bashkëpunim me studentë qe mundësi e mirë për të rinjtë, por larg “La Traviatas”. Koncertet e organizuara nga Opera gjatë krejt vitit bashkë me atë Gala të fundvit qenë improvizime të skajshme për një institucion të tillë. Por “Arrëthyesi” i sjellë midis Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës është “prurja” e vitit. Erdhi si spektakël i befasishëm për një vend si Kosova e njëkohësisht dëshmi e mungesës së hapësirave kulturore. Organizatorët ia dolën mirë të maskojnë një sallë private për ta shndërruar në skenë, përderisa MKRS-ja dështoi edhe sivjet që të paktën të ketë projekt ideor për teatër të operës dhe baletit. Por miratoi Ligjin për Artin dhe Kulturën, ku i bashkoi këto dy institucione. Ua shtoi edhe “Shotën” si ansambël kombëtar të këngëve dhe valleve. Filharmonia për pak i shpëtoi këtij bashkimi. E ky institucion interpretoi në Lisbonë e Braga të Portugalisë dhe atje dërgoi vepra vendore e mesazhe paqeje. Sa i përket muzikës, kori “Siparantum” jehoi fort. Muzikën shqipe e dërgoi në Filharmoninë e Berlinit. Më pas triumfoi në Korenë e Jugut në Lojërat Botërore të Koreve për të vazhduar me Medalje të Artë në Lojërat Evropiane të Koreve në Suedi. E vitin e ka përmbyllur në Vjenë duke qenë krahas Orkestrës Simfonike në të njohurit “Silverster Concert” për tri net radhazi krahas koncertit të veçantë edhe me muzikë shqiptare në një prej kishave ikonike të kryeqytetit austriak.
Më 2023 “Ramë Lahaj & Friends” bashkoi yjet e operës në Prishtinë, duke përballur publikun me skena metropolesh. Histori më vete qe Festivali i Këngës në RTK. Në edicionin e parë si version i të dikurshmit “Akordet e Kosovës” për tri net ktheu sytë nga kënga e lehtë. Por tri javë pas hapësira e improvizuar u rikthye si parking duke shpërfaqur improvizimin e skajshëm infrastrukturor. E telashet me hapësira edhe sivjet e kanë sfiduar Teatrin Kombëtar të Kosovës. Prej korrikut të 2022-s funksionon në skenë të improvizuar në Pallatin e Rinisë, pasi ndërtesa e tij është mbyllur për rinovimin që nuk ka nisur ende. TKK-ja bëri disa bashkëprodhime me teatrot vendore e një me asi evropian. Njëjtë në telashe me hapësirë qe edhe Baleti Kombëtar i Kosovës, që funksiononte në ndërtesën e TKK-së. Por më 2023 solli çmim nga Italia, interpretoi në Austri e disa anëtarë edhe në New York duke bërë goxha nam.
Zbulimi sensacional i Ulpianës dhe monumentet në flakë
Te nami e jehonat e 2023-s, zbulimi i mbishkrimit unik që vërteton rindërtimin e Ulpianës nga perandori Justinian u bë atraksion më vete gjatë gushtit. Ktheu fort vëmendjen te trashëgimia arkeologjike. Por krejt kjo me financim të Bashkimit Evropian. Një kushtëzim i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se për të investuar në mozaikët unikë të Dresnikut duhet shpronësim, e bëri të veten. U shpronësuan mbi 7 hektarë. E rreth 21 hektarë të Ulpianës janë në këtë rrugë. Ky edhe është suksesi më i madh në arkeologji jo veç për 2023-n. Në anën tjetër, kontrastet ishin të mëdha.
Shatërvani-monument në Prishtinë është bërë avdeshanë me leje të shtetit. Shkolla e Parë në Ferizaj u bë shkrumb në ditën kur nisi restaurimi. Por MKRS-ja nuk hoqi dorë. Shkatërrimi i Muzeut të Muzikës në Gjakovë përfundoi me kaplim zjarri, e njëjtë e pësoi edhe shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë. MKRS-ja është zotuar se nuk do të heqë dorë as nga këto monumente. Përderisa Kosova me tri artefakte çoi në SHBA kulturën 7 mijë vjet të vjetër, lokalitetet arkeologjike pa staf të mjaftueshëm qenë në hov degradimi e monumentet e mbrojtura përhershëm nga shteti rezultuan të rrezikuara edhe sipas një raporti të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Intervenimet emergjente kanë vazhduar pa ndonjë plan strategjik të sjelljes në “jetë” të monumenteve. Kurse seria, midis të tjerash, nisi restaurimin e Manastirit të Banjskës me para të “Crvena Zvezdas” e pa leje të institucioneve të Kosovës.
Shuarje e ikonave të kulturës e të shembujve për emancipim
Trashëgimia kulturore, arti e kultura në përgjithësi u varfëruan fort gjatë këtij viti. Humbën profesionistë e pionierë. Edi Shukriu, arkeologia prijëse, intelektualja e zellshme, Daut Berisha, piktori i jashtëzakonshëm i elitës në Paris, e Mimika Luca, artistja ikonike e filmit, teatrit dhe baletit janë veç tri prej humbjeve. Kristaq Mitro, regjisori i filmave të papërsëritshëm, Valter Deshpali, maestroja i violonçelit, e Aziz Islamaj, skulptori që gdhendi historinë e traditën shqiptare, iu shtuan listës së humbjeve. Arti mbeti pa kontribuues si Shyqri Nimanin, mjeshtrin e grafikës, sinonimin e pasionit për të bukurën, Haqif Mulliqin, njeriu që guxonte e besonte në art, Xhevat Qorrajn, aktorin e themeleve të teatrit dhe filmit në Kosovë e Lutfi Hoxhën, aktorin e dhjetëra roleve në film e teatër.
Luan Mulliqi artisti që promovoi tradicionalen nëpërmjet modernes, Vladimir Prifti, regjisori i filmave ikonikë, Zef Deda, ikona e humorit shqiptar, e Mirush Kabashi, emblema e aktrimit dhe idealist i artit, iu shtuan listës së kumteve.
Në muajin e fundit të vitit Kosova humbi etnologen e parë shqiptare Nahire Surroi, që pos anës profesionale e sukseseve si udhëheqëse institucionesh identitare, qe edhe frymëzuese e emancipimit.
Bota mbeti, midis të tjerësh, edhe pa Jeff Beck, maestron që ridefinoi kitarën, Gina Lollobrigida, yllin evropian të filmit pas Luftës së Dytë Botërore, Milan Kunderën, shkrimtarin e pavdekësisë, David Albaharin, shkrimtarin e errësirave të një epoke, Toto Cutugnon, simbol i muzikës italiane në botë, Terence Davies, regjisorin e filmit poetik, e Colin Burgess, bateristin që shenjoi historinë e rockut me “AC/DC”.
Yje në Prishtinë dhe ngecja e filmit
Një emër i madh në botë qe i pranishëm e mysafir nderi i Panairit të Librit në Prishtinë gjatë qershorit. Ismail Kadare në ekspozitën kryesore të librit e vlerësoi ngjarjen si frymëzuese përderisa bëri thirrje për orientim nga rrënjët, nga Evropa. Kosova mori pjesë edhe në panairet e mëdha, si në Frankfurt e Leipzig. Kosova më 2023 priti edhe një yll. Nëntori e solli Rita Orën në Kosovë e cila u zotua se do të realizojë një projekt. U fol për një film, bash aty ku vendi ngeci sivjet. Tek në dhjetor Qendra Kinematografike e Kosovës hapi konkursin për projekte, dhe njëri prej sukseseve që la gjurmë qe në jubileun e më të vjetrit festival filmi në botë, ku artistët vendorë u përfaqësuan trefish: me filmin “Bota jonë” të Luana Bajramit që është bashkëprodhim midis Francës e Kosovës, me filmin e shkurtër “A Short Trip” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luan edhe aktori nga Kosova me nam botëror Arben Bajraktaraj, dhe me “House keeping for beginners” nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, ku luan aktorja Rozafë Çelaj.
Shumë artistë dërguan në Evropë krijimtarinë e tyre. Si puna e “The Handke Project” nën regji të Blerta Nezirajt me tekst të Jeton Nezirajt, sikurse edhe me “Negotiating Peace” të po kësaj dysheje që e vazhdon rrugëtimin në skena të njohura.
Jo pak artistë u përkrahën nga Ministria e Kulturës. Por mënyra e shpërndarjes së mjeteve qe me telashe tejet të mëdha. Ministria publikoi lista, i zhduki nga faqja zyrtare e më pas i ripublikoi duke fryrë shifrat e përkrahjes brenda 24 orëve. Improvizoi edhe në këtë rast. E bilanci i përgjithshëm nuk shkon përtej improvizimit dhe sukseseve individuale.