Kulturë

“Vetë ke mbetë” – homazhi për artistët e mëdhenj

Është interpretuar si një lloj arie duke u ngritur mbi vështirësitë që sjell teksti i veçantë e zanoret e larta. “Vetë ke mbetë” është rikthyer si homazh për bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, e cila ndërroi jetë para më shumë se tre muajsh.

Me një interpretim të veçantë nga sopranoja Zana Abazi-Ramadani, kjo këngë të martën pati premierën e vet në emisionin “Express” në Kohavision.

Tetë instrumentistë të ansamblit “NewBorn” janë bërë bashkë virtualisht për t’i dhënë ngjyrë rikrijimit të këngës së njohur.

“Jam munduar që këtë vepër ta sjell paksa si një lloj arie që të këndohet edhe nga brezat e tjerë”, ka thënë sopranoja Abazi-Ramadani në emisionin “Express”. “Nuk ka qenë e lehtë për shkak të gjuhës dhe zanoreve të larta, por, megjithatë, e përfunduam shumë bukur”, raporton KOHA. 

Për solisten e lindur në Mitrovicë, kënga vjen si përkujtim edhe për kompozitorin Gjergj Kaçinari, si dhe për artistët e tjerë që vdiqën në këtë periudhë.

Bashkëshorti i saj, dirigjenti Edon Ramadani, ka thënë se kënga “Vetë ke mbetë” veçse ishte në repertorin e ansamblit “NewBorn”.

“Ne vendosëm për këtë këngë për shumë arsye, e njëra prej tyre është se para një kohë u nda nga jeta e madhja Nexhmije Pagarusha”, ka thënë Ramadani, i cili ka bërë aranzhmanin e këtij rikrijimi.

Sipas tij, anëtarët e ansamblit janë të mishëruar me këtë këngë. Dhe ndërsa po bënin montazhin dhe miksimin, ata do të “zbulonin” edhe disa gjëra që nuk ishin ditur më parë.

“Kompozitori i kësaj kënge është Gjergj Kaçinari dhe tekstin e ka shkruar aktori i madh Fitim Domi”, ka treguar Ramadani.

Në interpretimin e Pagarushës të bërë më 1979, ajo ishte shoqëruar me piano nga Riza Dolaku.

“Ndërsa një fakt tjetër që e mësuam së fundmi është se ky version nuk ishte origjinali. Ai ishte kënduar një vit më parë, më 1978, nga këngëtari Bedri Islami”, ka thënë Ramadani.