Ekspozita “Një hekurudhë për të ndryshuar historinë” shpalos një koleksion të pasur me dokumente arkivore, plane inxhinierike, vizatime origjinale dhe materiale multimediale. Nëpërmjet saj publiku ka mundësinë të njihet me trashëgiminë e Karl Gegës, i cili konsiderohet si një figurë që përmendet pak në diskursin shqiptar, por me ndikim të thellë në historinë evropiane të inxhinierisë. Trashëgimia që ka lënë pas ringrit në piedestal emrin e tij
Motivi kulturor dhe ai shkencor janë bërë bashkë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, i cili është shndërruar në një hapësirë reflektimi për jetën dhe veprën e njërës prej figurave më të rëndësishme të inxhinierisë evropiane të shekullit XIX: Karl Gega. Për herë të parë në Kosovë, kjo ekspozitë i kushtohet vizionarit me origjinë shqiptare që ka ndërtuar disa nga rrjetet më të mëdha hekurudhore të Perandorisë Austro-Hungareze dhe i ka lidhur kulturat përmes projekteve të tij, e në këto hapësira do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për dy javë.
Ekspozita, e realizuar në bashkëpunim me fondacionin “Musei Civici di Venezia” dhe Akademinë e Arteve të Shqipërisë, përmbledh një koleksion të pasur me dokumente arkivore, plane inxhinierike, vizatime origjinale dhe materiale multimediale. Nëpërmjet saj publiku ka mundësinë të njihet me trashëgiminë e Gegës, i cili konsiderohet si një figurë që përmendet pak në diskursin shqiptar, por me ndikim të thellë në historinë evropiane të inxhinierisë.
Karl Gega, i lindur në Venecia më 1802 dhe me prejardhje shqiptare, ka përfunduar studimet në matematikë dhe gjatë karrierës së tij në Perandorinë Austro-Hungareze ai qe bërë autor i veprave më madhore infrastrukturore të asaj kohe, duke përfshirë linjën hekurudhore të Semmeringut, e cila është linja e parë malore në botë, tashmë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, e tani kjo ekspozitë është realizuar për ta ringritur në piedestal figurën e tij. Vdiq në Vjenë më 1802.
Ekspozita, e cila fillimisht kishte lulëzuar në Tiranë, është kuruar nga historiania dhe albanologia me famë ndërkombëtare Lucia Nadin, e cila në hapje të ekspozitës ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë përmes ekranit, duke përcjellë një mesazh për ekspozitën.
“Le të jetë kjo ekspozitë një vend reflektues, ku studentët e shohin se mund të arrijnë shumë nëse ëndërrojnë dhe nëse angazhohen”, ka thënë ajo, ndërkaq rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, e ka cilësuar ekspozitën si “një përmbledhje e plotë e jetës, veprës së tij dhe impaktit që ka pasur në përgjithësi”. Sipas tij, përtej rëndësisë teknike, ky organizim dëshmon angazhimin e UBT-së për të ndërlidhur shkencën me kulturën dhe të kaluarën me të ardhmen.
“Natyrisht ne e kemi ndërlidhur një ekspozitë me disa pavijone, të cilat përmes teknologjive, qoftë pjesës emersive a klasike apo trenit, do të thotë kemi dashur t’i ndërlidhim jetën dhe kohën që ai me projektet e tij i ka zhvilluar. Tash e kemi me interes ta shprehim për publikun një inovator me prejardhje shqiptare, një inovator shumë të madh të revolucionit industrial të asaj kohe, i cili edhe sot ka shumë merita edhe për transformimet që kanë ndodhur në jetën e njeriut, në shkurtimin e rrugës, në formën e dizajnimit, në inxhinierinë, në arkitekturën dhe në zhvillimin ekonomik në lidhjen e popujve në pjesën ndërkulturore”, ka thënë Hajrizi për KOHËN, duke vlerësuar lart punën e stafit akademik të universitetit dhe të studentëve.
“Prej fillimit, prej marrjes së materialit, distribuimit, përgatitjes së skemës së strukturës së ekspozitës dhe kuratimin, studentët dhe stafi kanë marrë pjesë në dizajnim, kanë marrë pjesë në përpunim dhe në organizimin total, domethënë kemi marrë pjesë edhe këtu, edhe në Shqipëri dhe faktikisht është kontribut i tyre dhe e kemi futur brenda kurrikulës sonë që ta krijojë një ekspozitë të tillë dhe ta sjellim si produkt, e që rrjedh nga puna akademike e studentëve dhe stafit të Fakultetit të Arkitekturës kryesisht, të Dizajnit, të Muzikës dhe të Artit”, ka shtuar ai.

Pjesë e ekspozitës ka qenë një dhomë “digjitale”, e cila me vijëzime bojëkafe ka paraqitur pamje të ilustruara të arritjeve të inxhinierit. Tri pavijonet kanë shfaqur fotografi e dokumente, skica e vizatime nga puna e arkivuar e tij, si dhe një shtëpizë me tetë ekrane në skaj të ekspozitës, ka reflektuar me ngjyra punën e tij si në formë dokumentari.
Konceptimi i ekspozitës ka qenë fryt i një bashkëpunimi ndërinstitucional që ka nisur që në vitin 2023.
Sipas dekanes së Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Ariana Gjoni, ky projekt është zhvilluar me përkushtim akademik, duke përfshirë studentë e profesorë nga Departamenti i Dizajnit dhe i Arkitekturës.
“Edicioni i parë ka shkuar në Tiranë, ndërsa ne këtu jemi nikoqirë të edicionit të dytë për shkak se jemi edhe bashkëpunëtorë, kemi qenë të lidhur ngushtë me projektin, sepse kemi bashkëpunuar në mënyrë akademike, kemi ndërhyrë me qasje akademike, me studentët dhe me stafin akademik, i kemi pasur dy departamente, të cilët kanë kontribuuar në këtë projekt: ka qenë Departamenti i Dizajnit dhe Departamenti i Arkitekturës. Studentët kanë punuar nën mentorimet e profesorëve të përzgjedhur dhe e kanë mbuluar dizajnin, ka pasur qasje mandej të dizajnimit të vagonit të trenit, të muzikës e të tjera”, ka thënë dekania Gjoni, e cila ka potencuar se kjo ekspozitë nuk planifikohet të ngelë brenda kufijve ku ka shqiptarë.
“Është paraparë që ekspozita të jetë lëvizëse dhe me rastin e parë pas edicionit të Prishtinës do të vazhdojë me edicione të tjera, të cilat me siguri do të vazhdojnë nëpër shtete ose qytete të ndryshme të Evropës”, ka shtuar ajo.
Në një nga pavijonet e para, profesori Dardan Luta, i cili ka mentoruar studentët për paraqitjen e skicave, ka treguar se janë ekspozuar punët grafike të studentëve, të cilët janë përfshirë aktivisht në proces që nga faza e parë.
“Në fillim, kur jemi takuar para një viti dikur me bashkëpunëtorët tanë nga Shqipëria, ideja ka qenë t’i bëjmë dy ekspozita, fillimisht me qenë ekspozita e parë në Tiranë dhe e dyta në Prishtinë.
Bashkëpunimi ka qenë mes UBT-së, Akademisë së Shkencave e të Arteve të Shqipërisë dhe Fondacionit nga Venecia. Ne jemi përfshirë si staf i UBT-së, të cilët kemi mentoruar studentë të dizajnit grafik, është ky pavijoni i parë këtu, ku është e dizajnuar dhe e ilustruar, dhe pjesa tjetër është kryer e gjitha nga studentët”, ka thënë për KOHËN profesori Luta.
Për të rinjtë e përfshirë, kjo ka qenë një mundësi unike për të eksploruar kombinimin mes trashëgimisë historike dhe praktikës bashkëkohore.
“Është një ekspozitë mjaft e rëndësishme për të gjithë personat që duan të hulumtojnë mbi historinë tonë dhe mbi arritjet e popullit tonë shqiptar dhe të figurave tona të rëndësishme në inxhinieri dhe një nga ta është edhe Karl Gega. Ka qenë një ekspozitë me mjaft punë, ka pasur shumë volum pune, por jemi ndarë shumë të kënaqur me rezultatet dhe mendoj që ia ka vlejtur e ia vlen shumë me ardhë me e pa, kushdo që është i interesuar për inxhinieri dhe personazhet tona të njohura në botë dhe arritjet e tyre”, ka thënë Erisa Haziri, studente që ka qenë e përfshirë në përpilimin e skicimeve.
Ekspozita për Karl Gegën jo vetëm që i jep hapësirë një figure të rëndësishme për inxhinierinë evropiane, por njëkohësisht përfaqëson një model të suksesshëm të bashkëpunimit kulturor dhe akademik që i jep vlerë Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes. Ajo mbetet një ftesë e hapur për publikun, që përmes artit, teknologjisë dhe historisë, të njohë më nga afër një emër të madh që e ka lidhur Evropën me emrin e shqiptarëve.