Kulturë

Teatri feston fuqinë, Muharrem Qena nderohet si themeltar i kulturës teatrore

Muharrem Qena

Aktorja Igballe Qena, të mërkurën, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pasi ka pranuar Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore për Muharrem Qenën, ka thënë se ai përmbushej nga puna e tij. “E vetmja punë që e bënte pasi e donte. E bënte këtë jo se një ditë dikush do t’ia dinte, porse nuk deshi ndryshe”, ka thënë ajo (Foto: MKRS)

Dita Botërore e Teatrit ka mbledhur një pjesë të komunitetit në ambientet e improvizuara të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Tashmë është bërë traditë që të festohet me ndarje çmimesh. Regjisori e aktori Muharrem Qena është nderuar post mortem me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore, si figurë që i ka dhënë shtytje e drejtim zhvillimit të teatrit në Kosovë. Janë ndarë edhe çmimet vjetore, përderisa mesazhi botëror i nobelistit Jon Fosse ka kujtuar peshën e artit. “Arti është paqe!”, ka porositur ai. Përderisa TKK-ja ka festuar me çmime, “post festum” është lansuar me akuza se anëtarë të jurisë s’i kanë parë krejt shfaqjet

Për vënien e gurit themeltar të kulturës teatrore në Kosovë, me themelimin e teatrove në Mitrovicë, Prizren e Gjakovë e me punën si aktor e regjisor në këto teatro dhe në të asokohshmin Teatrin Krahinor Popullor në Prishtinë, Muharrem Qena është nderuar post mortem me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore të mërkurën në Prishtinë. Në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës ka nderuar veprën e Qenës që, sipas arsyetimit të jurisë, i ka dhënë shtytje e drejtim zhvillimit të teatrit në Kosovë. 

Dita Botërore e Teatrit ka mbledhur një pjesë të komunitetit në ambientet e improvizuara të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Aty ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka uruar komunitetin duke thënë: “Rroftë teatri!” 

Juria – në përbërje të regjisorëve Kushtrim Koliqi e Ilir Bokshi, shkrimtarit Ag Apolloni, dramaturges Doruntina Basha e aktorit Ernest Malazogu –   ka vlerësuar që Çmimi për shfaqjen më të mirë t’i ndahet shfaqjes “1984”, nën regji të Igor Mendijsky, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës. 
Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë Fadil Hysaj për shfaqjen  “Fausti”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, teatrit “Bekim Fehmiu” në  Prizren dhe Teatrit të Gjilanit. 
Sipas vlerësimeve të jurisë që janë lexuar nga drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, Çmimin për aktorin më të mirë e ka marrë Adrian Morina për rolet e tij në shfaqjet “1984” dhe “Fausti”. 

Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, në ceremoninë ku çmimet janë dorëzuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i është dhënë  qendrës “Multimedia” për prezantimet e shumta të suksesshme e dinjitoze në një sërë teatrosh evropiane e festivalesh serioze.

“Muharremi jetoi për të krijuar dhe krijoi për të jetuar përjetësisht”

Në emër të familjes Qena, e veja e Muharrem Qenës, aktorja Igballe Qena, pasi ka pranuar çmimin ka thënë se Muharremi përmbushej nga puna e tij. 

“E vetmja punë që e bënte pasi e donte. E bënte këtë jo se një ditë dikush do t’ia dinte, porse nuk deshi ndryshe. Ky është vlerësim për nismëtarët në fushën e artit dhe kulturës, është në fakt vlerësim për veten tonë. Muharremi jetoi për të krijuar dhe krijoi për të jetuar përjetësisht”, ka thënë ajo. I lindur në Mitrovicë më 5 dhjetor të vitit 1930, Qena do të bëhej një prej themeluesve të skenës teatrore në Kosovë.  Shquhej si regjisor, aktor e kantautor. Ka qenë aktor në dhjetëra shfaqje, ka bërë po aq regji dhe ka marrë disa çmime të rëndësishme në ish-Jugosllavi. Vdiq në ditën e 24 shtatorit 2006. Prej vitit 2019, teatri në vendlindjen e tij ka emrin e tij. 

Fadil Hysajt i është ndarë Çmimi Vjetor për Regji me motivacionin: “Për qasje inovative e bashkëkohore në realizimin e njërës nga kryeveprat letrare të shekullit  20, të përshtatur mjeshtërisht për skenë dhe për kontekstin shoqëror e politik”.  

Hysaj ka thënë se teatri u lind nga kureshtja sikurse mëkati i parë. 

“Teatri është i vetmi medium, i vetmi vend, në krejt atë që e ka krijuar njeriu që arrin ta ballafaqojë njeriun me fatkeqësinë e tij dhe ta bëjë ta përballojë të kënaqen duke mos vdekur, por duke e paraqitur vdekjen. Po ashtu ka arritur ta zbulojë sekretin e lumturisë nëpërmjet komedisë pasi ka dhënë përgjigje për fillimin, mesin dhe fundin”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, teatri është i vetmi medium që krijon diçka të gjallë dhe është sakrificë vetvetiu pasi vdes për një orë e gjysmë. Ka përsëritur dëshirën që disa shfaqje të qëndrojnë gjatë në repertor. 

Laureati i Çmimit vjetor për aktorin më të mirë, Adrian Morina, ka thënë se ndoshta dikush thotë se artin e teatrit nuk e gjen pas 100 vjetëve. 

“Unë mendoj se edhe nuk ka nevojë për shkak se nuk na duhet teatri në shirita filmikë të klasifikuar e të ngrirë diku, por është pak më i shenjtë se kaq, pasi ai jeton në zemrat, mendjet e shpirtrat e secilit që ka pasur mundësi të shohë shfaqjen”, ka thënë ai.  

Në emër të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Çmimin Vjetor për Shfaqjen më të Mirë e ka pranuar drejtori i përgjithshëm, Kushtrim Sheremeti. Ka thënë se është interesant që TKK-ja e fiton këtë çmim pas shumë e shumë vjetësh dhe për këtë janë shumë të lumtur. 

“Me mënyrën se si jemi duke punuar, me mënyrën si e kemi çuar këtë tavan më lart e karriget që i kemi ndërruar, besoj do të jetë i pari në vazhdën e shumë çmimeve”, ka thënë ai. TKK-ja prej korrikut të vitit 2022 funksionon si “qiraxhi” pasi ndërtesa i është mbyllur për të shkuar në restaurim.  
Në emër të qendrës “Multimedia” Çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar e ka pranuar Aurela Kadriu. 

“Vitin e kaluar i kemi pasur në turne shfaqjet ‘The Handke Project’, ‘Negotiating Peace’, ‘Kthimin e Karl Majit’ dhe ‘Burrnesha’. Secila prej tyre e trajton nga një temë të rëndësishme sociale, mirëpo kurrë pa e kompromentuar kualitetin artistik”, ka thënë Kadriu. Te “The Handke...” zhvishet nobelisti austriak, Peter Handke si mohues të gjenocidit e viktimave të Slobodan Milosheviqit si shkaktar të një varg luftërash në Ballkan. “The Handke...” në Ditën Botërore të Teatrit, të mërkurën mbrëma, është rikthyer në Kosovë, në skenën e teatrit “Oda”, aty ku ishte dhënë premierë në 3 qershorin e vitit 2022.

Me lexim të mesazhit të Jon Fosses ka nisur ceremonia e shënimit të Ditës Botërore të Teatrit e është përmbyllur me fotografinë e përbashkët të laureatëve të çmimeve që i ndan Ministria e Kulturës (Foto: MKRS) 
 

“Arti është paqe” dhe një akuzë “post festum”  

Njashtu si kjo shfaqje, për luftërat dhe paqen ka folur një tjetër nobelist në Ditën Botërore të Teatrit. Jon Fosse, si dramaturg sivjet ka shkruar mesazhin e kësaj dite. E ka titulluar: “Arti është paqe”. 

“Secili nga ne është unik dhe sërish ngjajmë me çdo njeri tjetër. Pamja jonë e dukshme, e jashtme, është e ndryshme nga ajo e të gjithë të tjerëve, sigurisht, gjithçka është bukur dhe mirë, por ka gjithashtu diçka brenda secilit prej nesh që i përket vetëm atij personi – që është vetëm ai person.

Mund të jetë shpirti i tyre, ose bota e tyre e veçantë. Ose mund të mos e emërojmë fare me fjalë, thjesht vetëm ta lëmë të jetë e tillë siç është, ndryshe”, thuhet në mesazhin e Fosses, të cilin Teatri Kombëtar i Kosovës e ka shpërndarë të përkthyer në shqip. 

Sipas tij, “arti, vetëm arti i mirë, arrin në mënyrën e tij të mrekullueshme të kombinojë krejtësisht uniken me universalen”. “Na lejon të kuptojmë se çfarë është e ndryshme – ose ajo që është e huaj, themi – është universale. Duke vepruar kështu, arti thyen kufijtë midis gjuhëve, rajoneve gjeografike, vendeve. Ai bashkon jo vetëm cilësitë individuale të secilit, por gjithashtu, në një kuptim tjetër, karakteristikat individuale të çdo grupi njerëzish ose të çdo kombi”, shkruan ai. “Ka terrorizëm në botë. Ka luftë”, ka shkruar  ai.

E kjo, sipas tij, “sepse njerëzit kanë gjithashtu një anë shtazarake, të shtyrë nga instinkti për ta përjetuar tjetrin, të huajin, si një kërcënim për ekzistencën e dikujt dhe jo si një mister magjepsës”. 

Sipas tij, lufta është beteja kundër asaj që qëndron thellë brenda të gjithë neve: diçka unike. Ka përmendur gjithashtu një betejë kundër artit, kundër asaj që qëndron thellë brenda gjithë artit. “Lufta dhe arti janë në kundërshti, ashtu si lufta dhe paqja që janë në kundërshti –  është kaq e thjeshtë: arti është paqe!”, ka përfunduar ai. 

Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa prej vitit pasues ai shënohet më datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i “Teatrit të Kombeve” në Paris. Instituti Ndërkombëtar Teatror është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese. INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë me qëllim që të përforcohen paqja dhe miqësia mes popujve. Por, miqësia në botën e artit nuk është as e lehtë. 

Pas pak ndarjes së çmimeve në TKK – ku Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore shoqërohet me shpërblimin prej 5 mijë eurosh, të tjerët nga 2 mijë e 500 euro – regjisori Agon Myftari, ish-udhëheqës artistik i këtij institucioni, publikisht në Facebook ka akuzuar se ka anëtarë jurie që nuk i kanë parë krejt shfaqjet e propozuara për çmimet që ndahen për vitin 2023. 

“Pra, prej momentit që e pranon anëtarësinë në komision duhesh me pasë një trohë etike e profesionalizmi se kolegë jemi, një grusht komunitet. Pra, urime Dita Botërore e Teatrit!”, e ka përmbyllur ai reagimin e tij. Në vende si Kosova edhe ndodh që juria të mos i shohë një grusht shfaqjesh që realizohen. Por Dita e Botërore e Teatrit ngelet festë.