Është një dramë ekzistencialiste, e cila gjëllin edhe prej rrëfimeve personale të cilat kanë emërues të përbashkët vendet e këtyre anëve, aso që ende s’i fashisin dot plagët e luftërave. “Sirin”, nën regji të Senad Shahmanoviqit – kandidat i Malit të Zi për “Oscar” e ku ka hise edhe Kosova – përcjell betejën e tentativës së mundimshme për t’u tjetërsuar. Përplasja e identiteteve kapërthehet edhe në titullin e nxjerrë nga krijesa mitologjike, por filmi i flet një teme aktuale edhe sot. “Ne përdorim edhe ngjarje të vërteta të njerëzve që kanë motiv të zhvendosen dhe tentojnë të harrojnë gjithçka nga e kaluara e tyre, gjë që është e pamundur”, ka thënë Shahmanoviq
Është një histori tipike ballkanike. Trazirat e luftërat në këto anë gjatë viteve ’90 kishin kthyer sytë e shumëkujt nga bota perëndimore. Njëjtë do të ngjante edhe në Mal të Zi. E filmi “Sirin”, nën regji të Senad Shahmanoviqit, shpalos rrëfimin e dy rasteve. Historia shtrihet në dy gjenerata. Asaj të para viteve ’90, që edhe pas vdekjes lidhjet e telashet me vendin vazhdojnë, dhe asaj më të re që portretizohet nga Danica Qurçiq që vjen në rolin e Nathalies. Në filmin që është edhe kandidat i Malit të Zi për nominim për “Oscars” e që është dhënë premierë kosovare të mërkurën mbrëma në “PriFest” luan edhe aktorja nga Kosova, May-Linda Kosumoviq.
Personazhi kryesor, Danica Qurçiq, ka ndërruar edhe emrin që t’i ikë sa më larg Malit të Zi. Por rrëfimet e së kaluarës nuk i ka harruar dhe i bie t’i kthehet prapë vendlindjes. Kthimin e bën për një rast që trajton fiks emigracionin dhe telashet e mëtejshme. Një malazeze e pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vdekjes do të linte në testament edhe ndërtimin e një kishe të vogël në vendlindje. Por, familja e vëllait të saj nuk dëshiron ta lejojë këtë. I vëllai midis arsyetimeve ka edhe atë se e motra nuk i ishte lajmëruar kurrë më, as kur ishte në ndonjë zor të madh. Nathalie merret pikërisht me këtë rast. Por, paralelisht derisa viziton Malin e Zi i bie të luftojë edhe me identitetin e vet. Vazhdimisht paraqitet si amerikane.
Përkatësia identitare dhe krejt ndjesitë që sjell kjo temë zbërthehen në bashkëprodhimin midis Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë. Nathalie nuk mund të dalë nga vetja edhe pse synon një gjë të tillë. E ndjesitë me të cilat përballet mund t’i shpjegojë vetëm portreti i saj.
Regjisori Senad Shahmanoviq ka thënë se historia që shpaloset ka ardhur nga një eksperiencë personale dhe eksperienca e bashkëskenaristes Claudia Bottino. Ka treguar se ka përdorur të dhëna dokumentare dhe ka dashur të flasë për njerëzit identiteti i të cilëve është i ndarë në dy pjesë pasi zhvendosen në vendet perëndimore. Edhe titulli gjëllin në këtë lloj dyzimi, i nxjerrë nga sirin, një krijesë mitologjike me kokën e një gruaje të hijshme në trup zogu.
“Ata nuk i përkasin atij vendi e as këtij prej nga vijnë. Ne përdorim edhe ngjarje të vërteta të njerëzve që kanë motiv të zhvendosen dhe tentojnë të harrojnë gjithçka nga e kaluara e tyre, gjë që është e pamundur pasi ata gjithmonë kthehen dhe përballen me veten”, ka thënë ai, duke vënë theksin se kjo është më e rëndësishmja që ka dashur ta tregojë.
Sipas tij, qëllimi është që aktorja kryesore të tregojë se si nëpërmjet ndërrimit të identitetit ka dashur të harrojë traumat.
“Por, i bie të kthehet në Mal të Zi dhe të përballet me to. Është një dramë personale se çfarë u ndodh njerëzve të cilët vuajnë dhe ndërrojnë vendbanimin për të pasur jetë tjetër”, ka thënë ai.
Komiteti përzgjedhës i filmit që do të jetë kandidat i Malit të Zi për “Oscars” ka vendosur që pikërisht “Sirin” ta nisë këtë rrugë. Regjisori Shahmanoviq shpreson që shteti malazias do ta mbështesë rrugëtimin e filmit sa u përket promovimit dhe shpërndarjes.
“Sa i përket lobimit dhe shpërndarjes së filmit ne duhet të shohim, të flasim me Ministrinë e Kulturës për mbështetjen që do të kemi. Filmi është një udhëtim emocional”, ka thënë ai.
Personazhi kryesor në çdo hap që bën përballet me trauma. I ka të pashmangshme. Por, duket se ia del të gjejë pak qetësi tek pasi takon familjarët dhe vendos të përballet drejtpërdrejt me realitetin.
Fatmir Spahiu, i cili ka një rol po ashtu në film, si bashkëproducent ka thënë se bëhet fjalë për një rrëfim që do të mund të bëhej në cilëndo gjuhë të rajonit. Sipas tij, filmi shpalos për krizë identiteti e kthim në atdhe.
“Është një storie universale e rajonit. Ky film te unë si skenar ka ardhur shumë herët, ende pa siguruar fondet dhe kam besuar shumë në këtë storie. Pas meje kanë hyrë edhe shtetet e tjera në kooproduksion, siç është Shqipëria e të tjerat”, ka treguar Spahiu pas premierës kosovare.
E ka përshkruar projektin kinematografik si një film të jashtëzakonshëm që do të ketë një jetë të gjatë dhe se Mali i Zi për një kohë do të identifikohet me këtë film pasi prodhimet e filmave të gjatë atje janë më të paktë sesa në Kosovë.
“Besoj që do të jetë film-ikonë për Malin e Zi për një kohë të gjatë. Kurse sa i përket bashkëprodhimit minor, mendoj se ne duhet të jemi prezentë me krejt fuqitë që kemi dhe besoj që duhet të jemi më shumë prezentë me aktorë pasi e konsideroj që kemi një potencial të fuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë ai.
May-Linda Kosumoviq, që luan rolin e Valeries, nuk ishte e pranishme në premierë. Në këtë film ajo vjen si një amerikane gjakftohtë që e ka për detyrë të çojë ne vend amanetin për të ndërtuar një kishë të vogël, gjë që nuk realizohet dot.
Si film shumë emocionues, “Sirin” e ka përshkruar Bernard Çobajn si i ngarkuar me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë.
“Kam vërejtur se të gjithë në publik ishin shumë të prekur nga filmi. Merret me plagët e luftës, mënyrën se si e kaluara ndikon në identitetin tonë dhe ecja nga e ardhmja ndikohet nga e kaluara. Filmi ka shumë shtresime. Jam shumë i gëzuar që Ulqini prej nga unë vij ka shërbyer si vend ku janë xhiruar shumë skena”, ka thënë ai. Sipas Çobajt, bashkëpunimet ndërshtetërore sa i përket kinematografisë duhet të intensifikohen edhe më.
Deri të dielën në “Prishtina International Film Festival” ekranet do të ndizen edhe për shumë rrëfime të tjera. Përderisa hapësirat e festivalit gjatë gjithë kohës shërbejnë si ambiente ku diskutohen ide e projekte të reja.