Kulturë

“Siparantumi” pas Berlinit në destinacionet e radhës deri në Tajlandë

“Siparantumi” në Filharmoninë e Berlinit më 27 prill (Foto: Peter Adamik)

“Siparantumi” në Filharmoninë e Berlinit më 27 prill (Foto: Peter Adamik)

Formacioni koral i Kosovës tashmë ka mbyllur një kapitull në Gjermani, aty ka shkruar edhe rikthimin në Filharmoninë e Berlinit, por janë të tjerë që presin të hapen. Së paku katër deri fund të këtij viti. Nis me Greqinë, pastaj në Tajlandë dhe në një “tjetër vend pak më të largët”. “Ne tashmë kemi konfirmime deri në vitin 2028. Një rrugëtim i gjatë...”, ka thënë Memli Kelmendi, themelues dhe dirigjent i “Siparantumit”, i cili përvojën e radhës në kryeqytetin gjerman e ka përshkruar të jashtëzakonshme

Agjenda e “Siparantumit” tashmë i ngjan asaj të super-yjeve a grupeve botërore. S’ka javë pa ndonjë ftesë, prej tash ka marrë konfirmime deri më 2028, sapo është kthyer nga Berlini dhe e presin së paku edhe katër destinacione deri në fund të vitit, e njëri prej tyre është edhe Tajlanda. Kapitulli në Gjermani u mbyll këtë javë edhe me interpretimin në Filharmoninë prestigjioze të kryeqytetit gjerman, aty janë shkruar përjetime unike, por për sivjet ai është intro e hapjes së kapitujve të tjerë. 

“Ne tashmë kemi konfirmime deri në vitin 2028. Një rrugëtim i gjatë me shumë modesti, që është e pamundur që brenda një jave të mos vijë një ftesë për të performuar për korin ‘Siparantum’. Na presin edhe katër rrugëtime vetëm për vitin 2025”, ka thënë të enjten Memli Kelmendi, themelues e dirigjent i korit “Siparantum”, i ftuar në emisionin “Express” të KTV-së. Ende në emocionet e Berlinit prej nga janë kthyer të hënën mbrëma, Kelmendi ka shpalosur detaje prej atje e “stacionet” që i presin. 

“Po i ndaj disa informacione, ato që mundem me i nda: do të jemi në Greqi me datën 10 maj në një garë tjetër. Pastaj në korrik do të jemi në Danimarkë në ‘European Choir Games & Grand Prix of Nations’, ku garojmë në kategorinë e Koreve të Kampionëve, ndërsa në shtator do të jemi në Tajlandë, në një festival tjetër prestigjioz. Më pas na pret edhe një festival tjetër në një vend pak më të largët”, ka thënë ai. Por deri te “vendi i largët”, është historia e freskët në Gjermani. 

Për të pestën herë “Siparantumi” të dielën e kaluar u ngjit në skenën prestigjioze  – Filarmonisë së Berlinit,  në festivalin “Walking in Beauty”, të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, në bashkëpunim të veçantë me kompozitorin e pianistin Ola Gjeilo.  Introja e ngjarjes qenë interpretimet e një vepre të secilit prej 12 koreve. Kori nga Kosova solli “Zanat e Malit” për kor vajzash, violinë, piano dhe perkusion, të Kreshnik Aliçkajt, me Sihana Badivukun në violinë, Agron Shujakun në piano dhe me Aurora Hysenin në perkusione. I parapriu ai i një dite më herët në koncertin me titull “Around the World” në kishën “Matthäuskirche”, në Berlin. Koristët u ngjitën në skenë bashkë me koret “Polychromon” nga Greqia, “B-Tenors” nga Spanja dhe “ARTyn” nga Lituania. 

“Kjo ka qenë një prej eksperiencave më të veçanta, e çdoherë është ndryshe kur takohesh dhe ke bashkëpunim të drejtë me kompozitorin, i cili i ka krijuar dhe shkruar ato vepra. Marrë parasysh që Ola Gjeilo është një prej kompozitorëve më të njohur në botë, ku veprat e tij interpretohen me qindra herë brenda javës, e bën kompozitorin më të veçantë dhe do të thosha më unik sot në muzikën korale botërore”, ka thënë Kelmendi. Prezantime si këto, sipas Kelmendit, tregojnë potencialin, rrugëtimin e sigurt dhe vizionin e qartë për zhvillimin e muzikës korale për Kosovën. “Sepse mbi të gjitha ky është misioni dhe qëllimi ynë, që përbrenda vetes ne ngërthejmë edhe vepra të kompozitorëve vendas, të cilat më pas i bartim në skenat e ndryshme botërore, përfshirë kësaj radhe skenat prestigjioze, siç janë Filharmonia e Berlinit ose kisha ‘Matthäuskirche’ e të tjera. Sa i takon bashkëpunimit me Ola Gjeilon, realisht kjo është hera e pestë që ne udhëtojmë në Berlin”, ka thënë ai. 

Për Korin e Kosovës, skena prestigjioze e Filharmonisë së Berlinit nuk është e panjohur (Foto: Peter Adamik) 

Koncerti në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit ka qenë i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë secili kor ka prezantuar një vepër që e përfaqëson kulturën e vet. 

“Ne kësaj radhe kemi prezantuar premierë veprën e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, ‘Zanat e malit’, një vepër jashtëzakonisht interesante ku me vete kishim edhe violinisten tonë të shquar, profesoreshën Sihana Badivuku në violinë e në piano profesor Agron Shujakun dhe në kastanjeta Aurora Hyseni. Mendoj se ka qenë një vepër ndryshe prej të tjerave dhe jam shumë i lumtur që e kemi këtë vizion edhe sa i përket repertorit të përzgjedhur, i cili është pritur shumë mirë”, ka thënë Kelmendi duke shtuar se pjesën e dytë kanë vazhduar me programin e Ola Gjeilos, ku në skenë kanë qenë gjithsej 485 koristë e që tok me orkestrën, skenën e kanë pushtuar 500 pjesëmarrës. 

“Në mesin e tyre edhe kori ‘Siparantum’ dhe dua ta ndaj me juve diçka shumë interesante, sepse kori ka qenë në podiumin qendror të skenës së Filharmonisë së Berlinit, dhe kjo ka jep një besim të plotë te puna jonë si kor, gjë që më bën të ndihem shumë mirë për rrugëtimin e bukur dhe të duhur që e kemi”, ka thënë ai. Kelmendi ka dirigjuar disa herë në këtë sallë. Por kjo e radhës, thotë t’i ketë sjellë tjetër emocion. 
“Kur isha përballë kompozitorit të veprës dhe pianistit, Ola Gjeilo, orkestrës, ishte një emocion më i veçantë. Kam dirigjuar veprën ‘The Rose’, të cilën e kam punuar edhe më herët dhe kam vendosur ta marr sërish ndoshta, sepse ne si kor dhe unë personalisht jam më shumë i lidhur me këtë vepër të bukur. Të them të drejtën, vendosja e korit ka qenë shumë interesante. Kori është në qendër të gjithë sallës, orkestra është poshtë, piano po ashtu...”, ka përshkruar Kelmendi duke shtuar se ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme të cilën s’e ka përjetuar kurrë. 

“Nuk e kam përjetuar dhe nuk e mendoja se do të vijë një moment i tillë që unë do ta përjetoja një eksperiencë të tillë, sidomos në skenën e Filharmonisë së Berlinit, ku janë ngjitur artistët dhe dirigjentët më të mëdhenj që njeh historia e muzikës botërore”, ka thënë ai.

Në video-materialet e realizuara nga vetë “Siparantumi”, Sihana Badivuku, thotë se ishte kënaqësi e veçantë dhe privilegj të jetë pjesë e performancës së korit ‘Siparantum’ në sallën kamertale të Filharmonisë së Berlinit. Ka veçuar udhëheqjen energjike dhe unike të dirigjentit Memli Kelmendi, i cili ka thënë se e inspiron vite me radhe “me punën e tij falë energjisë dhe dedikimit të përkushtuar për profesionin e tij”. 

“Vepra 'Zanat e Malit’ ka shumë elemente interesante, dialogë kur violina, piano dhe kori bashkëbisedojnë”, ka thënë Badivuku. 

E, Kreshnik Aliçkaj, kompozitor i veprës së interpretuar premierë, e ka përshkruar si një përvojë shumë të mirë. 

“Si kompozitor më interesonte se si tingëllon vepra në Filharmoninë e Berlinit, duke marrë parasysh se është një ndër sallat më të mira në botë sa i përket akustikës. U ndjeva shumë mirë që isha pjesë e këtij turneu të korit ‘Siparantum’. Shpresoj në bashkëpunime të radhës me vepra të reja premierë siç ishte kjo”, ka thënë Aliçkaj. 

Raste për turne të radhës, “Siparantumi” ka më bollëk, sepse agjenda e “Siparantumit” tashmë i ngjan asaj të super-yjeve a grupeve botërore.