Në Kishën Votive, që ka një histori unike me art e me një alamet kompozitori, “Siparantumi” të premten mbrëma ka thurur një rrëfim që shpalos traditën muzikore shqiptare e besimin në art. Besimi në art lidhet shumëfish si frymë dhe është arsyeja që e ka sjellë Korin deri këtu. I pari koncert prej katër sa ka në Vjenë është vetëm njëra dëshmi
Në ditën e 30-të të tetorit 1878 në Kishën Votive në Vjenë do të hynte një kompozitor 54-vjeçar. Jo veç kompozitor, por edhe maestro i organos, ai qe i ftuar special nga familja perandorake për të inauguruar instrumentin sipër galerisë hyrëse të ndërtesës ikonike në “Rooseveltplatz”. Loja që duhet të ketë bërë Anton Bruckner asokohe në inaugurimin e instrumentit në objektin e kultit, pa dyshim qe impresive. Ky inaugurim para se Kisha të hapej për qytetarë, bëhej me arsye të veçantë: pos si ndërtesë kulti, tregohej se hapësira duhej të shërbente edhe si vend i artit dhe kulturës.
Fiks 145 vjet më vonë, aty është shpalosur e promovuar edhe muzika e muzikantëve shqiptarë. Kori “Siparantum” të premten mbrëma para publikut të pranishëm ka dhënë një “liturgji” edhe në gjuhën shqipe. Para ikonostasit kryesor, koristët janë bërë tok për të treguar se besojnë në art. Përballë kanë pasur publik kryesisht shqiptar. Midis tyre edhe emra të njohur të artit jo veç në Vjenë.
Megjithëse vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit nuk qe e para e interpretuar, krejt koncerti mund të përshkruhet me këtë titull. Veprat e repertorit botëror të ndërthurura me ato shqiptare kanë bërë që ngjyra e hirtë e ndërtesës të marrë nuanca të tjera, të paktën në “dramën” që për rreth një orë është zhvilluar aty. “Mirëmbrëma” e Lorenc Antonin mund të llogaritet si një lloj “dokumenti” që dëshmon se me këtë kompozitor edhe ka nisur muzika korale në Kosovë. E me “Ater Umbra” të Memli Kelmendit, me solist Shaban Behramajn tregohet vazhdimësia deri te gjenerata e re e kompozitorëve.

Vepra i ka shkuar fort ambientit. Me të njëjtin solist, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është interpretuar si dramë. Me vargjet e poezisë së Din Mehmetit, kompozimin e Baki Jasharit, vepra e ka futur publikun në një tjetër dimension. Në atë siç e ka edhe titullin. Momenti kur të gjithë anëtarët e Korit janë shtrirë për t’u ngritur baritoni, është dukur sikur ai ecën mbi kufoma. E ambienti kishtar me sarkofagë brenda i ka dhënë hov kësaj ndjesie. Realisht vendi prej nga vijnë koristët, kufomat kolektive i ka pamje të freskëta. Ende nuk janë bërë as çerekshekulli prej kur Kosova përjetoi luftë të përmasave gjenocidale. Por ngritja e koristëve në këmbë vjen si shenjë triumfi. Interpretimi si ai i veprës “Media Vita” të Michael McGlynn me solist Mal Sopin ka qenë dëshmi se repertori i korit “Siparantum” prek horizonte të ndryshme të muzikës klasike. Përderisa “Pax” e Memli Kelmendit ka ardhur si kombinim i klasikes me modernen që bashkë me lëvizjet koreografike e bëjnë atë një lloj akti të skenave teatrore.
Për të pranishmit krejt kjo ishte diçka e veçantë.
“Ky koncert ishte diçka e veçantë për mua, pasi unë kam vite që jetoj në Vjenë dhe është hera e parë që futem në Kishën Votive. Kaluam një mbrëmje shumë të bukur me impresione shumë të mira. Nuk e dija që në Kosovë ka një kor si ‘Siparantum’ dhe u gëzova të them të vërtetën”, ka thënë midis të tjerash Eno Peçi, një prej balerinëve më të njohur shqiptarë në Evropë, i cili edhe sivjet do të luajë në pjesët koreografike të koncertit të Vitit të Ri në Vjenë.
Sopranoja Gesu Zefi, e cila jeton në Vjenë, ka thënë se për famën e korit “Siparantum” ka dëgjuar prej kohësh.
“Një surprizë mund të them. Një miks perfekt, jo vetëm kalimi nga vepra në vepër, por edhe nëpërmjet gjuhës, koreografisë e mes zërave. Akustika qe një përgjigje shumë pozitive. Më të vërtetë pata kënaqësinë t’i dëgjoj. Ishte një miks i mirë midis kantos, muzikës moderne dhe asaj që është tradicionale. Pata fatin të dëgjoj sjelljen e traditës në ditët e sotme”, ka thënë ajo.

“Sometimes I feel like a motherless child” me aranzhim të Carsten Gerlitz, soliste Klea Dinën ka ardhur si dimension tjetër i potencialit të Korit. Dina me vokalin e saj, nën dirigjimin e Memli Kelmendit dhe e shoqëruar në piano nga Denita Dedushajn ka bërë që salla të futet në një tjetër dimension. “Dies Irae” e Ryan Main bashkë me “Ta Na Solbici”e Samo Vokv po ashtu qenë midis veprave të interpretuara nga Kori. Janë vepra të njohura botërisht, të cilave mbi 40 anëtarët e Korit u kanë bërë vend edhe në Kishën Votive.
“Nuk kam pritur numër kaq të madh të njerëzve që vijnë në koncert. Për ne është kënaqësi. Nuk ka më mirë se sa të mbyllim vitin me koncerte në Vjenë. Koncerti sonte ishte i jashtëzakonshëm dhe energjia shumë e mirë. Sivjet kemi pasur një vit shumë të rëndësishëm pasi ka qenë me një mori suksesesh, kurse sonte ishte një koncert relaksues. Po na dha energji shumë të mirë”, ka thënë baritoni Shaban Behramaj.
Për pianisten Denita Dedushaj, interpretimi në një ambient të tillë dhe në një qytet si Vjena ka kuptim të shumëfishtë.
“Të interpretoj bashkë me Korin në një vend shumë të rëndësishëm dhe me një histori të pasur në muzikën klasike ka qenë një emocion dhe një ndjenjë e paharrueshme. Vjena me trashëgiminë e pasur që ka për muzikën, është një skenë ideale për çdo artist”, ka thënë ajo.
Pak a shumë këtë e ka thënë edhe dirigjenti i Korit, Memli Kelmendi. Ai ka thënë se shpalosja e disa veprave që dëshmojnë traditën e muzikës korale në Vjenë shënon një tjetër arritje për formacionin koral që udhëheq.
“Prezenca jonë këtu është shumë domethënëse pasi vijmë në qytetin e artit botëror e aq më tepër që këtu kanë jetuar njerëzit më të mëdhenj të muzikës. Aq më tepër që sonte ndodhemi në kishën ikonike me një atmosferë e arkitekturë të jashtëzakonshme”, ka thënë ai derisa ka përmendur faktin se përballë korit ndodhej edhe organo e inauguruar nga Anton Bruckner. “Siparanrum” në repertorin e vet ka edhe vepra të Bruckner. Kelmendi ka thënë se koncertet e sivjetme në Vjenë janë diçka që ka mundur t’i paramendojë shumë më vonë.
“Por me punë të madhe bashkë me krejt anëtarët mund të themi se ëndrrat tona po bëhen realitet”, ka thën
Realitetin 20 koristë e kanë prekur gjatë ditës së premte kur kanë mbajtur prova bashkë me Orkestrën Simfonike të Vjenës e korin e njohur vjenez “Singakademie” Është gjysma e formacionit koral nga Kosova që do të ngjitet në skenën e Sallës së Koncerteve të Vjenës më 30, 31 dhjetor dhe 1 janar. Bëhet fjalë për të njohurit “Silvester Concert”, ku interpretohet vepra e vetme vokalo-instrumentale kompozitorit gjerman, Ludvig van Beethoven. Simfonia e nëntë sivjet në Vjenë do të ketë edhe një grup shqiptarësh nga Kosova brenda saj. Kurse “Silvester Concert”, siç mban titullin ngjarja, është aktivitet paralel i të famshmit koncerti i Vitit të Ri, që mbahet nga Filharmonia e Vjenës.

Koncerti në Kishën Votive qe një intro e mirë e “Siparantumit” në Vjenë. Familja Perandorake e Franz Josphit do ta ndërtonte Kishën për të falënderuar Zotin dhe në shenjë besimi në të pasi perandori i kishte shpëtuar një fatkeqësie të madhe. Objekti madhështor edhe sot shërben si vend që kultivohet besimi. E me interpretimin e bërë të premten “Siparantum” ka treguar se ka besim në art dhe se ky besim ka bërë që të ngjiten deri në Sallën Koncertale të Vjenës.