“Scuola dei Mosaicisti del Friuli” te studentët e ka ushqyer përkushtimin për artin e mozaikut për më shumë se një shekull. E themeluar në vitin 1922 në Friuli-Venezia Giulia, qytet i vogël me rrugica mesjetare, një kështjellë madhështore dhe pallate të stilit të Renesancës në rajonin verilindor të Italisë, ajo u krijua fillimisht për të ofruar trajnim për artizanët vendas dhe për të ruajtur traditën e lashtë të mozaikut në këtë zonë. Sot është i vetmi institucion akademik në botë që i kushtohet plotësisht artit të mozaikut
E fshehur në një qytet të qetë Italian, ndodhet një nga shkollat më unike të artit në botë – dhe një destinacion atraktiv për udhëtarët kureshtarë. Duke ecur nëpër korridoret e “Scuola dei Mosaicisti del Friuli” (Shkolla e Mozaikëve të Friulit) në një mëngjes të së premtes, gjëja e parë që hetova ishte qetësia. Prisja zhurmën e bisedave të studentëve, gumëzhimën e bisedave mes mësuesve, zhurmën e hapave. Në vend të kësaj, ajri ishte i qetë, i thyer vetëm nga trokitja e herëpashershme e një çekiçi dhe kërcitja e lehtë e pllakave që rrëshqisnin mbi njëra-tjetrën.
Gjëja e dytë ishin mozaikët – gjithandej. Në oborrin hyrës, ku një version i përmasave të plota i “Guernicas” së Picassos me mozaik, mirëpret vizitorët. Në korridore, riprodhimet me pllaka të veprave artistike si, “Pietà” e Michelangelos dhe “Virgin and Child” nga Hagia Sophia e Stambollit, i zbukurojnë muret përreth. Mozaikët shtriheshin në sipërfaqe të sheshta dhe përkuleshin rreth qosheve, duke e kthyer të gjithë ndërtesën në një arkiv të gjallë modelesh, preciziteti dhe durimi.

Të njëjtat cilësi ishin të dukshme edhe brenda klasave ku studentët qëndronin të përkulur mbi vendet e tyre të punës, me sytë të fiksuar në copëzat nën gishtat e tyre. Gjatë vizitës sime mësova se mozaiku kërkon këtë lloj përqendrimi: një zanat që formohet jo vetëm nga dora dhe materiali, por edhe nga një atmosferë e përbashkët ku përpikëria lulëzon.
Kjo shkollë ka ushqyer te studentët këtë përkushtim për më shumë se një shekull. E themeluar në vitin 1922 në Friuli-Venezia Giulia, një qytet i vogël me rrugica mesjetare, një kështjellë madhështore dhe pallate të stilit të Renesancës në rajonin verilindor të Italisë, ajo u krijua fillimisht për të ofruar trajnim për artizanët vendas dhe për të ruajtur traditën e lashtë të mozaikut në këtë zonë — një traditë që daton nga Perandoria Romake dhe ka lënë gjurmë në gjithçka, nga bazilikat bizantine e deri te monumentet moderne.
Sot është i vetmi institucion akademik në botë që i kushtohet plotësisht artit të mozaikut. Studentë të të gjitha moshave, nga maturantë deri tek artistë në mes të karrierës, vijnë nga e gjithë bota për t’u regjistruar në programin e saj intensiv trevjeçar, gjatë të cilit mësojnë teknikat historike të mozaikut – nga modelet e ndërlikuara greko-romake deri te kompozimet e shkëlqyera bizantine – përpara se të eksperimentojnë me dizajne më bashkëkohore dhe të lira në formë.

Në vitet e fundit shkolla është kthyer edhe në një destinacion më vete, duke tërhequr udhëtarë dashamirës të dizajnit të intriguar nga bota unike e mozaikëve, për të eksploruar ambientet e saj, si në turne publike ashtu edhe private. Rreth 40 mijë njerëz e vizitojnë atë çdo vit, duke e bërë shkollën e mozaikëve një nga vendet më të vizituara në Friuli.
Ndërsa çdo vit pranohen rreth 40 studentë në programin trevjeçar, jo më shumë se 15 prej tyre e përfundojnë kurrikulën e plotë, duke fituar titullin “maestri mosaicisti” (mjeshtër mozaiku). Nga ata, vetëm një grup i përzgjedhur prej gjashtë personazh vazhdon një vit të katërt – një lloj diplome master – për të mprehur më tej aftësitë.
“Duhet shumë punë e përkushtim për t’u bërë mjeshtër mozaiku”, ka thënë Gian Piero Brovedani, drejtori i shkollës. “Ky është një art që është njëkohësisht përulës dhe i rreptë. Të mëson të ngadalësosh, të përqendrohesh dhe të gjesh bukurinë në përsëritje”.
Në të vërtetë, krijimi i mozaikëve është një specialitet jashtëzakonisht i saktë. Kërkon që artisti të vendosë me kujdes qindra, ndonjëherë mijëra, copëza të vogla të quajtura “tesserae” (të cilat mund të kenë madhësi deri në 0.5 centimetra) për të formuar modele të ndërlikuara dhe skena realiste. Të bëra nga mermeri, qelqi, smalto (pllaka qelqi të errëta) madje edhe guaska, këto zbukurime të vogla kërkojnë mjeshtëri të plotë dhe intuitë për ritmin dhe vendosjen.

Siç vuri në dukje Brovedani, ky është gjithashtu një art thellësisht bashkëpunues. Artistët e mozaikut punojnë vetëm, zakonisht në seksione të veprave të mëdha, por efekti i vërtetë i asaj pune shfaqet vetëm kur ajo shihet si një tërësi.
“Është një zanat që, në njëfarë mënyre, të kërkon ta ‘fshish’ veten”, ka thënë mësuesja e vitit të tretë, Cristina de Leoni. “Një pllakë më vete nuk thotë shumë, por së bashku me të tjerat krijon një vepër arti. Nuk ka vend për ego në krijimin e mozaikëve”.
Duke hedhur një vështrim në historinë e pasur të këtij zanati – që daton nga Mesopotamia e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë dhe shtrihet në vende e kultura të ndryshme, nga grekët te populli Maja, nga Perandoria Bizantine te bota islame – është e lehtë të kuptosh pikëpamjen e saj. Nuk ka Giotto apo Raphael në artin e mozaikut, as ndonjë Mona Lisa të vetme. Në vend të kësaj, kjo formë shprehëse është mbështetur gjithmonë në mjeshtëri anonime, duke ecur në një vijë të hollë mes artit dhe artizanatit.
Kjo është edhe më e vërtetë në Friuli-Venezia Giulia, ku dashamirët e mozaikut nuk pushuan kurrë së përsosuri këtë zanat, edhe pse ai u zhduk nga vëmendja e njerëzve që nga periudha e Renesancës. Me bollëkun e gurëve nga Tagliamento (lumi kryesor i Friulit) dhe lidhjet e ngushta kulturore me Venecian – një qytet që ka qenë për një kohë të gjatë epiqendra e artit dhe zejtarisë evropiane – rajoni u bë në heshtje një fortesë e traditës së mozaikut, me artistët e tij të aftë, të kërkuar nëpër të gjitha kontinentet. Në shekullin e 19-të, artisti Gian Domenico Facchina madje ndihmoi në futjen e mozaikëve në epokën moderne, duke shpikur metodën ‘rovescio su carta’ (në anën e pasme të letrës) – një revolucion për nga shkalla dhe shpejtësia e realizimit. Hyrja e shtëpisë së operës “Opéra Garnier” në Paris, ishte e para që e prezantoi atë.
Që atëherë, zanatlinjtë e mozaikut – shumica e të cilëve janë trajnuar në Spilimbergo – kanë lënë gjurmë në mbarë botën: nga kompleksi sportiv ikonik “Foro Italico” në Romë, deri te stacioni i metrosë në “World Trade Center” në New York, nga kupola e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem e deri te galeritë e Tokios. Këto vepra janë dëshmi e një tradite që vazhdon të evoluojë, mozaik pas mozaiku.
“Dualiteti i mozaikëve i bën ata pafundësisht tërheqës”, ka thënë Purnima Allinger, studente e vitit të tretë që la një karrierë në marketing në Berlin për t’iu përkushtuar mozaikut. “Është një zanat i saktë dhe meditues, por gjithashtu ekspresiv dhe emocional si arti. Gjithmonë lëviz mes të dyjave – të mban tërësisht të përfshirë”.

Amos Carcano, mjeshtër i mozaikut nga Zvicra, pajtohet me këtë.
“Punon me duart tua, por je gjithashtu vazhdimisht duke shpikur, duke luajtur me tekstura, ngjyra dhe modele. Mozaikët bashkëkohorë i shtyjnë këta kufij edhe më tej”.
Carcano është aktualisht një nga 10 ish-studentët që po punojnë në një nga veprat më ambicioze të shkollës deri më sot: një dysheme mozaiku prej 1 mijë e 265 metrash katrorë, për oborrin që paraqet florën dhe faunën vendase të Friulit – projekt ky i cili pritet të zgjasë më shumë se një vit.
Dhe nuk janë vetëm mjeshtrit që krijojnë për shkollën. Të gjithë ata mozaikë që pashë gjatë vizitës sime në ambientet e saj, janë krijuar nga studentë të dikurshëm dhe aktualë.
“Ne e mendojmë shkollën si një punëtori”, ka thënë Danila Venuto, e cila jep mësim mbi historinë e mozaikëve. “Dhe në një punëtori, ti mëson duke krijuar. Është e natyrshme që studentët të vihen menjëherë në praktikë, sapo nisin të mësojnë ABC-në e mozaikut. Ky është një zanat që përvetësohet dhe mbahet gjallë përmes punës”.
Gjithnjë e më shumë mund të mësosh edhe si vizitor. Shkolla ofron kurse të shkurtra që variojnë nga intensive katërditore deri te programet njëjavore, për t’u mundësuar vizitorëve të njihen me këtë lloj arti.
Ndërkohë, turnetë nëpër shkollë përfshijnë qasje në një arkiv me më shumë se 800 vepra mozaiku si dhe mundësinë për të parë klasat ku studentët dhe mjeshtrit punojnë krah për krah. Çdo vizitë zakonisht drejtohet nga një prej 79 udhërrëfyesve të trajnuar posaçërisht nga shkolla, ose për një përvojë më vendase, nga udhërrëfyesit vullnetarë të qytetit të Spilimbergos, të cilët shpesh e kombinojnë përvojën me një shëtitje nëpër qytet.
Eksperienca nuk përfundon te portat e shkollës. Vetë qyteti Spilimbergo është plot me mozaikë. Në rrugën kryesore, Corso Roma, dyqanet dhe sallonet e mozaikëve ekspozojnë vepra të bukura nga ish-studentët e shkollës, të cilat janë në shitje. Ndërsa në periferi të qytetit, Fabbrica di Mosaici Mario Donà, një punishte tradicionale familjare që u zhvendos nga Murano në Spilimbergo në vitin 1991, mund të vizitohet me rezervim për të parë se ku prodhohen smaltet për mozaikët.
“Njerëzit nga Spilimbergo dhe nga Friuli në përgjithësi, janë shumë krenarë për këtë traditë shekullore”, ka thënë Venuto. “Krijimi i mozaikëve është pjesë e ADN-së sonë kulturore, një trashëgimi e vërtetë friuliane”.
Dhe në këtë cep të Friulit, nëse jeni kureshtarë, jeni më se të mirëpritur të bëheni pjesë e kësaj tradite.