Së paku deri në shkurt Teatri Kombëtar i Kosovës nuk do të japë shfaqje, përderisa në amfiteatrin ku është qiraxhi kanë nisur punimet rinovuese e objekti i tij është ende larg restaurimit. Rinovimet kanë nisur edhe në sallën e “Shotës”, e cila për nja dy javë pushon e Baleti Kombëtar i Kosovës që mbante prova aty, “zgjidhjen” e ka bërë në një objekt privat, e balerinët deri në prova enden me autobus në dalje të Prishtinës
Teatri Kombëtar i Kosovës për muajin janar nuk ka publikuar program. Arsyeja: nuk ka ku t’i japë shfaqjet. Baleti Kombëtar i Kosovës për këtë muaj, po ashtu, s’ka program. Arsyeja e njëjtë: s’ka ku t’i japë shfaqjet. Që ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” të mbajë ndonjë koncert këtë muaj, as që mund të planifikohet. Madje prej të hënës as nuk mban prova. Arsyeja: s’ka ku.
Hapësirat që TKK-ja i shfrytëzon me qira në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve janë duke u rinovuar. Për pasojë, shfaqje nuk ka. Amfiteatrin e këtij kompleksi njësoj si Teatri, për shfaqje e shfrytëzonte edhe Baleti. Salla e ushtrimeve të “Shotës” është në rinovim. Ky ambient është përdorur për ushtrime e prova edhe nga Baleti.
Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur provat për premierën e shkurtit. “Rebounds. A Basketballet”, titullohet shfaqja nën koreografi të gjermanëve Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Të premten e javës së kaluar BKK-ja ishte njoftuar se salla e ushtrimeve të “Shotës” – i inauguruar pas rinovimit më shumë se një dekadë më parë – do të jetë në rinovim për dy javë. Kishin para vetes dy opsione: ndërprerjen e provave dhe dështimin e shfaqjes ose gjetjen e një hapësire. I kanë kërkuar hapësirë një ndërmarrësi privat.
“I kam kërkuar të na lërë të ushtrojmë nja dy tri javë se mbetëm pa sallë dhe na e ka lëshuar pa kompensim”, ka thënë Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Bëhet fjalë për ambientet në periferi të kryeqytetit ku në nëntor dhe dhjetor është paguar qira për provat dhe dhënien e shfaqjes “Arrëthyesi”. Qiraja ka kushtuar afro 5 mijë euro për shfrytëzim të hapësirave për prova, për premierë, një reprizë dhe shfrytëzimin e ndriçimit. Kostoja totale e këtij produksioni qe 200 mijë euro bashkë me Filharmoninë e Kosovës, orkestra e së cilës ka luajtur në shfaqje.
“Të premten mbetëm në rrugë dhe duhej bërë një zgjidhje”, ka thënë drejtori Kajtazi. Aktualisht balerinët enden me autobus në mëngjes e pasdite për të vijuar provat në sallën private mbi 10 kilometra larg kryeqytetit. Sipas tij, janë në konsultime me Ministrinë e Kulturës për të bërë një zgjidhje më afatgjatë.
BKK-ja e TKK-ja janë “refugjatë” prej korrikut të vitit 2022, kur Ministria e Kulturës ia vuri drynin ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. KOHA ka raportuar se MKRS-ja e kishte mbyllur ndërtesën me alarmin për rrezikun e paqenë. Asokohe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me MKRS-në kishin vendosur krye më vete duke nxjerrë konstatime joekzistente. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Nën “alarmin” për rrezik MKRS-ja pos mbylljes planifikon edhe rinovim. Prej atëherë deri tash nuk ka nisur puna.
Tash edhe ambienti që shfrytëzohet nga TKK-ja është në rinovim. Nëpërmjet një kontrate, Amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe dy sallat e ushtrimeve të “Shotës” punimet kapin shifrën e 146 mijë eurove.
Rinovimi i Amfiteatrit, që ka nisur këtë muaj, do të përfshijë edhe ndërhyrje të tjera. Me kontratë parashihet heqja e dyshemesë ekzistuese dhe vendosja e një të reje, furnizimi me perde, ndriçim, heqja e tepisonit aty dhe zëvendësimi me një të ri. Largimi i konstruksionit dhe i instalimit elektrik në pjesën e skenës, ngjyrosja e mureve dhe tavaneve, ngjyrosja e dyshemesë, zhvendosja e ulëseve ekzistuese nga salla dhe konservimi i tyre e bartja në depo të objektit, sikurse edhe vendosja e ulëseve të TKK-së në Amfiteatër janë midis punëve që pritet të bëhen. Në kontratë përfshihet gjithashtu furnizimi me laptopë dhe të tjera mjete teknike për audio e pjesën vizuale në skenë.
Para dhjetë ditësh, drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, kishte thënë se presin të nisin aktivitet në fillim të shkurtit.
“Teatri Kombëtar i Kosovës ka një numër të madh të aktiviteteve dhe të publikut që vjen t’i shohë ato, prandaj meritojmë kushte më të denja. Jam jashtëzakonisht i lumtur që po bëhen këto investime të cilat po shpresojmë të përfundojnë në fund të janarit, eventualisht në ditët e para të shkurtit që të mund të rifillojmë me repriza dhe me provat e shfaqjes së parë për sivjet”, kishte thënë Sheremeti.
Sipas tij, kur ishte vendosur t’u jepej Amfiteatri, aty “gjendja ka qenë e tmerrshme, salla bashkë me hapësirat përcjellëse ka qenë totalisht e shkatërruar prej mosmirëmbajtjes njëzet e shumëvjeçare të kësaj hapësire”.
Me më pak punë dalin të jenë ndërhyrjet në sallat e ushtrimeve të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Intervenimet atje fokusohen kryesisht në dysheme. Parketi tashmë i zhvendosur konsiderohej i dëmtuar dhe i papërshtatshëm për ushtrimet që mban “Shota”. Puna e nisur të hënën pritet të rregullojë kushtet për ushtrimet e provat e ansamblit, që ka për objektiv ruajtjen e prezantimin e kulturës popullore.
“Ndërhyhet edhe në gëlqerosje, do të bëhet ndërrimi i dritave pasi ka mbi 7-8 vjet që nuk janë ndërruar. Do të vendosen edhe perdet pasi janë të nevojshme”, ka thënë drejtoi i përgjithshëm i Ansamblit, Mehmed Xhemajli. Brenda 14 ditësh pritet që ndërhyrjet të përfundojnë, dhe valltarët, instrumentistët e këngëtarët e “Shotës” të vazhdojnë me prova. Sipas Xhemajlit, maksimumi puna do të zgjasë dy javë. Ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e pakompromis pasi “Shota” duhet të mbajë prova për koncertin e 17 shkurtit, kur edhe do të festohet përvjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Institucioni sivjet do të vazhdojë paraqitjet jashtë vendit. Deri më tash kanë konfirmuar dy prezantime, përderisa presin edhe ftesa të tjera.
“I kemi disa thirrje, në fakt disa ftesa që të marrim pjesë. Dje e kemi konfirmuar Spanjën, që është në shtator, pastaj Egjipti e më datën 9 mars jemi në Turqi, duhet ta prezantojmë kulturën e trashëgiminë tonë”, ka thënë Xhemajli.
Sa u përket koreografive të reja, ansambli ka plane edhe për këtë pjesë. Si institucion qendror ka për detyrë që të trajtojë secilën zonë etnografike të shtetit.
“Pretendojmë që të kemi minimalisht dy koreografi. Duhet të përfshijmë të gjitha trevat e shqiptarisë. Besoj që minimalisht të jenë dy koreografi”, ka thënë Xhemajli. “Shota” është një prej institucioneve qendrore të kulturës dhe për sivjet do të ketë buxhet prej 200 mijë eurosh.